Të pastrehët presin banesat sociale

5

“Ky pesimizëm real vjen për shkak të faktit se në momentin kur para se më shumë se një dekadë u ndërtuan dy ndërtesa kolektive me 42 banesa, pjesa dërmuese e tyre ju nda jo familjeve me probleme ekstreme sociale, por pati raste kur në ato banesa sot jetojnë drejtorë, administratorë dhe familje të tjera të cilët nuk i takojnë sferës sociale”, shprehet Cami

Vjollca SADIKU

Dibër, 27 shkurt – Dibranët pa një kulm mbi kokë janë në pritje të ndërtimit të ndërtesës kolektive me banesa për familjet sociale, projekt ky i paralajmëruar vite më parë edhe në Dibër. Bëhet fjalë për Programin për ndërtim të banesave sociale nga ana e Qeverisë, e cila ofron 355 banesa sociale edhe atë në Shkup, Gjevgjeli, Kumanovë, Veles, Tetovë dhe në Dibër. Sipas arkitektit Gazmend Cami, në Dibër – në kuadër të këtij projekti, pritet të ndërtohet edhe një ndërtesë kolektive me mbi 20  banesa. “Duke marrë parasysh se numri i të pastrehëve në Dibër është mbi 200, atëherë është e qartë shpresa e këtyre familjarëve për të marr banesa sociale”, thotë Cami, ndërsa informon se tashmë Komuna Dibër ka përcaktuar lokacionin ku duhet të ndërtohet kjo banesë.

Bëhet fjalë për lokacion në lagjen “Venec 2” dhe deri tani është përgatitur dhe miratuar projekti ideor, por njëkohësisht kanë përfunduar edhe studimet gjeodezike në tokën ku pritet të ndërtohet ndërtesa kolektive. “Është kjo tokë në pronësi të shtetit dhe aktualisht jemi duke përgatitur dokumentacionet tjera. Jemi në kontakt të rregullt me ndërmarrjen publike për banesa shtetërore, e cila e menaxhon këtë projekt”, “, thotë për gazetën KOHA, Cami. Por, vijon më tej ai, duhet të theksojmë se për shkak të interesit të madh për banesa sociale, nevojtarët me pesimizëm presin momentet të ndarjes të banesës pas ndërtimit. “Ky pesimizëm real vjen për shkak të faktit se në momentin kur para se më shumë se një dekadë u ndërtuan dy ndërtesa kolektive me 42 banesa, pjesa dërmuese e tyre ju nda jo familjeve me probleme ekstreme sociale, por pati raste kur në ato banesa sot jetojnë drejtorë, administratorë dhe familje të tjera të cilët nuk i takojnë sferës sociale”, shprehet Cami.

Në një situatë të këtillë, familjet pa kulm mbi kokë, e të cilët sot jetojnë falas në shtëpitë e dibranëve që janë në mërgim, shpresojnë se këtë radhë, ndarja e banesave sociale do të jetë meritore dhe për ata që me të vërtetë kanë nevojë për të njëjtat. Në bisedën që patëm me anëtarë të familjeve të pastrehë, ata thonë se për shkak të situatës në të cilën ndodhen, shpeshherë kanë bërë kërkesa në institucionet lokale dhe qendrore për të përfituar banesa në ndërtesën e re që akoma nuk ka filluar të ndërtohet. Por, ata po ashtu shtojnë se papunësia dhe situata radikale sociale në të cilën janë, shkakton edhe probleme me shëndetin e anëtarëve të familjes. Prandaj, sipas tyre, ndërtimi sa më shpejtë i ndërtesës së re sociale, duhet të përfundojë me ndarjen korrekte të këtyre banesave e jo ashtu siç ndodhi para më shumë se një dekadë, kur banesat sociale në pjesën më të madhe ju ndanë atyre që s’u takon, apo të pasurve. (koha.mk)

Comments are closed.