Vitin e kaluar, në 80 aksidente komunikacioni në rajonin më të gjerë të Tetovës – pjesëmarrës kanë qenë këmbësorë. Dy nga këto aksidente kanë përfunduar me dy të vdekur, lëndime të rënda trupore kanë marrë 13 persona, ndërsa lëndime të karakterit më të lehtë kanë marrë 68 persona
Urim HASIPI
Tetovë, 18 maj – Qytetarët e Tetovës vazhdojnë të jenë të pasigurt sidomos kur duhet që të qarkullojnë nëpër rrugët e frekuentuara. Viktimë e këtyre aksidenteve shpeshherë janë edhe fëmijët, por nuk përjashtohen as më të rriturit, shkruan gazeta KOHA. Rrugët më të rrezikshme janë bulevardi kryesor i Ilindenit, por edhe rruga Industriale, ku vetëm brenda një jave – në këtë rrugë janë aksidentuar katër këmbësorë, në mesin e tyre edhe një fëmijë.
Sipas informatave, këmbësorët janë akisdentuar në vijat e bardha kur edhe ata kanë përparësi kalimi. Një nga prindërit e një fëmije të aksidentuar tregoi shkurt se fëmija i tij është aksidentuar në vijat ku janë të shënuara për këmbësorët dhe vetura ka ardhur me shpejtësi të madhe, por fatmirësisht – fëmija ka shpëtuar nga më e keqja dhe ka marrë vetëm lëndime të lehta. Si shkaqe më të shpeshta të këtyre aksidenteve ka qenë mospërshtatja e shpejtësisë, por edhe kalimi i pakujdesshëm i rrugëve, parasëgjithash nga fëmijët, të cilët kalojnë në rrugë pa mbikëqyrjen dhe kujdesin e prindërve.
“Për të parandaluar dhe të mos përsëriten këto aksidente, të cilat në të shumtën e rasteve përfundojnë me lëndime të lehta dhe të rënda të këmbësorëve, Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë apelon deri tek prindërit që të mos i lënë të vetëm fëmijët e tyre që të lëvizin ose në mënyrë të pasigurt të kalojnë në rrugë, për arsye se pasojat mund që të jenë edhe më serioze, ndonjëherë edhe të pandreqshme për sigurinë e fëmijëve. Përveç kësaj, prindërit do të ballafaqohen edhe më sanksione për kundërvajtje dhe dënime varësisht rastit dhe pasojave”, njoftojnë nga Policia e Tetovës. Në ndërkohë, jo rrallë herë edhe këmbësorët janë të pakujdesshëm. Duke nisur nga kjo situatë, Sektori për Punë të Brendshme njofton se ka ndërmarrë aksione kontrolluese për të dënuar edhe këmbësorët.
“Gjatë kontrollit në Tetovë, gjithsej janë ndaluar 25 këmbësorë, prej të cilëve janë zbuluar 17 kundërvajtje. Gjashtë këmbësorë kanë kaluar rrugën jashtë vendkalimeve të shenjëzuara, pesë këmbësorë nuk e kanë respektuar sinjalizimin në trafik dhe urdhrat e dhëna nga policët, pesë këmbësorë kanë lëvizur jashtë trotuareve ku, dy prej tyre janë ndaluar më gjatë në rrugë, dhe një tjetër ka kryer lloj tjetër të kundërvajtjes. Kundërvajtjet e kryera të tyre janë përmbledhur me 17 fletëpagesa për kundërvajtje, 14 thirrje për edukim trafiku, dhe 2 paralajmërime me shkrim”, njoftojnë nga Policia e Tetovës.
Ndërkohë, aksione të këtilla janë realizuar edhe në Gostivar. “Numri i përgjithshëm i kundërvajtjeve të konstatuara gjatë aksionit në Gostivar është 12, ku po aq këmbësorë e kanë kaluar rrugën jashtë vendkalimeve për këmbësorë, dhe për këtë shkak, janë përgatitur fletëpagesa adekuate, si dhe 12 thirrje për edukim në trafik. Qëllimi i kontrollit dhe aksionit është që të kontribuoj në rritjen e rendit dhe sigurisë në komunikacion në rrugët e Tetovës dhe të Gostivarit, duke përmendur se gjobat për këto lloje të kundërvajtjeve lëvizin prej 25 deri 45 euro në kundërvlerë të denarit”, njoftuan nga policia e Tetovës.
Elmir Mustafai, eksperti i komunikacionit, thotë se duhet më shumë kujdes edhe nga ana e këmbësorëve, por edhe nga ana e vozitësve sidomos në periudhën që po vjen, kur dihet që frekuentimi i këmbësorëve do të rritet në nivel më të lartë.
“Më shumë problem pritet të ketë gjatë verës, kur ka edhe lëvizje të madhe të qytetarëve nëpër rrugët e Tetovë, sidomos me automjete, ndërsa edhe këmbësorët duhet që të jenë më të kujdesshëm. Nuk duhet që rruga të kalohet në pjesën ku nuk ka shenja sinjalizimi për këmbësorë apo vija të bardha, sidomos nuk duhet të kalohet në ato rrugë ku ka frekuentim më të madh të veturave. Kujdes duhet të bëjnë edhe vozitësit që t’u japin përparësi këmbësorëve në këto raste, prandaj mendoj se fajin e kanë të dyja palët”, thotë ai.
Vitin e kaluar, në 80 aksidente komunikacioni në rajonin më të gjerë të Tetovës – pjesëmarrës kanë qenë këmbësorë. Dy nga këto aksidente kanë përfunduar me dy të vdekur, lëndime të rënda trupore kanë marrë 13 persona, ndërsa lëndime të karakterit më të lehtë kanë marrë 68 persona ose në krahasim me vitin paraprak, gjegjësisht me vitin 2016 – në këtë rajon numri i këmbësorëve të cilët kanë ndërruar jetë si pasojë e aksidentimit nga automjetet është zvogëluar për 2 për qind, përderisa numri i të lënduarve rëndë është përafërsisht në të njëjtin nivel sikurse në vitin 2016.
VAZHDOJNË KONTROLLET POLICORE NDAJ MOTOÇIKLISTËVE
Shoferë pa leje përkatëse për ngasje me motor, pa kaskë mbrojtëse, dhe shoferë me motorë të paregjistruar, janë kundërvajtjet më të shpeshta të shoferëve të motorëve nëpër rrugët e Tetovës. Në kontrollin e policisë në rajonin e Tetovës dhe Gostivarit gjithsej janë zbuluar 40 motoçikleta me regjistrim të skaduar deri në 30 ditë dhe mbi 30 ditë dhe 14 me polisë të pavazhduar të sigurimit, kundërvajtje për të cilën gjoba e parashikuar lëviz prej 100 deri në 500 euro në kundërvlerë të denarit.
Në prill, gjithashtu, janë zbuluar edhe 76 motoçikleta të cilët kanë drejtuar motoçikletën pa dhënë provimin për shoferë dhe leje valide, si dhe 91 që nuk kanë përdorë kaskë mbrojtëse. Numri më i madh i këtyre kundërvajtjeve, më saktë 78 janë thirrur për leksione trafiku, ndërsa dy janë paralajmëruat me shkrim. Përndryshe, në suaza të edukimit të të rinjve, SPB Tetovë, këtë javë e ka përfunduar edhe pjesën e parë, gjegjësisht faza nga dy projektet parandaluese-edukative
“Ngasje e sigurt me motoçikletë” dhe “Mos u ul në timon pa dhënë provimin e shoferit”, bartës i të cilit është Reparti për parandalim të Sektorit për punë të brendshme Tetovë, në bashkëpunim me pushtetin lokal të Tetovës dhe Gostivarit. Në këtë fazë të projektit janë mbajtur ligjërata të veçanta me të cilat ishin përfshirë 119 paralele të cilat ndjekin mësim në gjuhën maqedonase, shqipe dhe turke me gjithsej 2.556 nxënës nga 13 shkolla të mesme nga rajoni i Pollogut. (koha.mk)