Pas konfirmimit se futbollistët e Partizanit Dejan Boldor dhe Besnik Ferati kanë rezultuar pozitivë ndaj koronavirusit, klubi kryeqytetas ka marrë menjëherë masat për të futur në karantinë mbrojtësin rumun dhe mesfushorin shqiptar nga Maqedonia e Veriut.
Ndërkohë kur jemi disa orë para derbit të kryeqytetit, drejtuesit e Partizanit po vijojnë të ndjekin me përpikëri protokollin e dakordësuar nga ISHP dhe FSHF për menaxhimin e situatave të tilla në kampionatin shqiptar.
Kështu në orët e vona të mbrëmjes së djeshme, specialistë të ISHP-së u bënë tamponët të gjithë futbollistëve dhe pjesëtarëve të stafit të skuadrës së Partizanit dhe vetëm ditën e sotme pritet të dalin përgjigjet.
Protokolli parashikon se çdo lojtar që do të rezultojë pozitiv ndaj COVID-19, do të duhet t’i nën shtrohet karantinës, ndërsa pjesa tjetër do të grumbullohen nën masa të larta higjiene e kujdesi, për të qenë gati për ndeshjen e radhës.
Duke u nisur nga precedenti i fillimit të qershorit me sulmuesin shkodran të Bylisit, Eridon Qardaku, mund të thuhet me siguri se zhvillimi i derbit të kryeqytetit nuk është aspak në rrezik, ndërsa trajneri Sormani do të duhet të bëjë pa Boldor, Feratin dhe ndonjë tjetër që mund të rezultojë pozitiv gjatë testit të kryer mbrëmjen e djeshme.
Vlen të theksohet se sipas njoftimit të klubit të Partizanit, gjendja shëndetësore e mbrojtësit rumun Dejan Boldor dhe mesfushorit 20-vjeçar Besnik Ferati, është mjaft e mirë dhe asnjëri nuk ka shfaqur komplikacione.