Mijëra të rinj të papunësuar me moshë deri në 29-vjeçare do të kenë mundësinë për praktikë dhe punësim në sektorin privat, me shpalljen që e ka publikuar sot Agjencia për Punësim e Republikës së Maqedonisë (APRM).
Programi për praktikë do të realizohet me përkrahje financiare të IPA projektit “Përkrahje për punësimin e të rinjve” si grant i tretë direkt për APRM-në me qëllim që të mundësohet integrimi më i lehtë në tregun e punës së të rinjve. Për këtë masë sivjet janë parashikuar 18.915 denarë.
Drejtori i APRM-së, Vllatko Popovski i bëri thirrje kompanive që kanë nevojë për kuadro të reja të aplikojnë, që t’i aftësojnë kadidatët për punë, ndërsa pas trajnimit edhe t’i punësojnë.
Të rinjtë deri në moshën 29-vjeçare që dëshirojnë të përdorin masën për praktikim duhet që të paktën të kenë arsim të mesëm. Do të mund të fitojnë të drejtën e përvojës së punës në pajtim me arsimin e tyre, si dhe me njohuritë dhe aftësitë konkrete përmes pjesëmarrjes në praktikë tremujore tek punëdhënës privatë apo organizata joqeveritare. Do të marrin një kompensim mujor prej 6.200 denarësh me të cilin do të mund t’i mbulojnë shpenzimet rrugore.
Përmes programit për praktikim në APRM nga viti 2009 deri tani janë përfshirë 3.157 persona, prej të cilëve 1.882 janë punësuar, respektivisht 60 përqind.
Nikolla Bartolini, drejtues i Sektorit për bashkëpunim pranë delegacionit të BE-së në Maqedoni, rekomandoi se ndihma për punësim të të rinjve është aktivitet që duhet të përkrahet.
IPA projekti “Përkrahje për punësimin e të rinjve” filloi që të zbatohet nga dhjetori i vitit të kaluar. Buxheti i përgjithshëm për projektin që do të implementohet 12 muaj arrin 1.456,721 euro. Qëllimi është integrim më i lehtë i të rinjve përmes zhvillimit të njohurive dhe aftësive të tyre. Pritjet janë se në projekt do të përfshihen 3.790 persona në disa prej trajnimeve të planifikuara.