Shpërputhja midis Listës zgjedhore (të stërmadhe) dhe votuesve realë(as dy të tretat e listës), motivi i ulët në rreth të dytë me bojkotimin eventual të njërës parti maqedonase, mund të ndikojnë në mos përmbushjen e censusit të 40-përqindëshit, që u pa në referendumin për ndryshimin e emrit
Nga Daut DAUTI
Një javë para zgjedhjeve presidenciale, është kohë e “përshtatshme” për t’u përballuar edhe me disa gracka që janë reale. Sepse, disa aspekte, në shikim të parë, “teknike”, mund ta përcaktojnë fatin jo të kandidatëve, por të vetë zgjedhjeve. Çështja e parë është se asnjë nga kandidatët nuk mund të shpresojë të zgjidhet në rrethin e parë.
ÇËSHTJET “TEKNIKE” QË MUND TË RREZIKOJNË ZGJEDHJET
Është jo reale me këtë listë zgjedhore objektivisht përtej çdo realiteti. Asnjë kandidat nuk mund t’i marrë gjysmën nga lista 1.8 milionëshë, as në rrethanat më ideale po të ishte i vetëm në garë! Çështja e dytë është ajo e kushtit prej 40 për qind të jehonës votuese në rrethin e dytë. Pragu i vendosur kaq ulët nga zgjedhjet e fundit duket se ka qenë largpamës, sepse ai në vete i ngërthen rrethanat objektive që po vijnë në shprehje sidomos tash: emigrimin masiv të popullatës aktive në botën e jashtme dhe motivin më të ulët të votuesve në rreth të dytë. Edhe pse pjesa dërmuese e qytetarëve që kanë dalë jashtë për punë gjatë viteve të fundit janë në listën zgjedhore, dhe ata kanë të drejtë vote kudo që janë, ata praktikisht nuk janë votues realë as këtu, e as jashtë (siç e dimë, në diasporë janë paraqitur një numër fare simbolik votuesish për këto zgjedhje).
Çështja e tretë është që gjithë pjesëmarrësit në procesin votues, që nga subjektet që kanë kandiduar, deri te anëtarët e këshillave votuese, duhet të rreshtohen në rrethanat e reja, për të mos lejuar keqpërdorime siç janë vërejtur dhe toleruar në të kaluarën. Disa procese gjyqësore për shkelje të procesit votues, duke përfshirë edhe kuadro të larta partiake ose anëtarë të KSHZ-së, flet se është ngushtuar në maksimum rrethi për këso veprimesh dhe askush më nuk duhet të bëhet argat i subjekteve në garë, për të përfunduar prapa grilave!
Si çështje të katërt duhet përmendur patjetër edhe rrezikun për dështim edhe të rrethit të dytë! Në “duelin e dekadës”, unë e mora si shaka të pa kripë insistimin e Zaevit ndaj Mickovskit që të betohet se VMRO-ja nuk do t’i bojkotojë zgjedhjet presidenciale, por Zaevi, me gjasë, me të drejtë e ka theksuar këtë moment, ngase një bojkot eventual, për çka mund të shërbejë ndonjë pretekst më banal, mund të ndikojë që të dështojë rrethi i dytë! Këtë e pamë në referendumin për emrin. Jehona në zgjedhje në kufi prej 700 mijë votuesish mund të bëhet problem pa trupin votues të VMRO-së. Rënia e motivit për të dalë në zgjedhje dhe bojkoti, mund t’i vënë në sprovë pikërisht partitë e koalicionit, ku disa raporte nuk duken të jenë shumë të qarta, për të mos thënë gjithaq korrekte. Në këtë situatë, votat e shqiptarëve janë vendimtare, të cilat vështirë se mund të sigurohen pa mobilizim të aktivistëve partiakë. Në këtë mënyrë, jo vetëm që BDI, PDSH e Alternativa do të duhen sërish ta motivojnë anëtarësinë e tyre, por hyjnë në lojë edhe votat e kandidatit shqiptar, Blerim Reka, gjegjësisht, trupi votues i Aleancës për Shqiptarët dhe Lëvizjes Besa, gara e të cilëve vetëm me rrethin e dytë merr kuptim.
Në këto rrethana, kur mund të hyjnë në lojë plus-minus qindra vota, janë reale shanset që kryetar gjashtë muajt e ardhshëm të bëhet Talat Xhaferi, spikeri aktual i parlamentit. Kështu do të vijmë në situatë që përfundimisht të shqyrtohet mundësia më racionale që në vend se në zgjedhjet e përgjithshme të shtrenjta, kryetarin e shtetit ta zgjedhim nëpërmjet Kuvendit. Natyrisht, për këtë do të duhej të ndërrohet edhe legjislativi zgjedhor, Kjo do të sillte një situatë të re, atë të marrëveshjeve ndërpartiake, me mundësi që të shpeshtën shefin e shtetit do ta kishte shumica parlamentare (kështu, i merr në dorë të gjitha pushtetet), por, pa përjashtuar as mundësinë kur forcat janë të balancuara, ndonjëherë me marrëveshje t’i takojë opozitës.
TOSHE PROEVSKI APO ADEM JASHARI?!
Shpresoj që lexuesit të mos e kuptojnë aq seriozisht dilemën e mësipërme, sepse nuk ka gjë që i lidh këto dy figura profilesh krejt të ndryshme njëri me tjetrin. Njëri këngëtar i njohur që humbi jetën tragjikisht në fatkeqësi komunikacioni në zenitin e karrierës së tij, e tjetri, figura më emblematike e epopesë kosovare të fundshekullit të kaluar, i cili u me gjithë familjen e Jasharajve. Nuk kanë se si të bëhen bashkë, por, megjithatë, ata i lidh diçka. I lidh stadiumi futbollistik i Shkupit, një vend ku ata nuk e kanë vendin!
Javën që shkoi, kuptuam se qeveria ka vendosur që emri i stadiumit futbollistik të Shkupit, të quhet Toshe Proevski. Stadiumi më i njohur dhe më i madh në Maqedoni, dikur quhej Stadiumi i Qytetit(maqedonisht: Gradski stadion), përderisa ideatorëve të antikuzimit nuk iu kujtua ta riemërtojnë me Arena Filipi i Dytë. Një emër që nuk i shkonte, por që ishte në kuadër të një inxheneringu identitar dhe të rishkrimit të historisë, që bënte qeveria e kaluar. Ndoshta në mënyrë indirekte, mund të aludohej në arenat ku në antikë ndesheshin gladiatorët ose mbaheshin gara sportive. Krejt këto nuk kanë të bëjnë aspak me Filipin e Dytë, pos me frymën luftarake të tij në betejat që i ka bërë, e që duhet ta ketë edhe një sportist për të arritur fitore. Arsyet pse iu vu ai emër ishin të gabuara për shkak të vetëmashtrimit identitar, që për motive politike, u bë “trendi” në dhjetë vitet e qeverisjes së Nikolla Gruevskit.
Tash, për shkak të marrëveshjes me Greqinë, qeveria e tashme duhet të çlirohet nga trashëgimia e maqedonasve antikë. Pasi ia hoqën autostradës dhe aeroportit emrin e Lekës së Madh, gjithsesi do t’i vinte radha edhe Filipit të Dytë nga stadiumi i Shkupit. Por, duhet thënë se nga të gjitha variantet e mundshme, ky me ripagëzimin me emrin e këngëtarit të popullarizuar që vdiq i ri, është nga më të palogjikshmit, nuk arsyetohet me asgjë. Me emrin e tij, bie fjala, mund të emërtohej Salla Universale në Shkup, ku mbahen koncerte e manifestime të ndryshme kulturore, ndonjë shkollë ose fakultet i muzikës, por një stadium sportiv, ç’lidhje ka me një këngëtar? Është fakt se pas vdekjes së Toshe Proevskit në këtë stadium janë mbajtur koncerte në kujtim të tij, por kjo është shumë pak për ta marrë emrin e tij. Ose, të bëjmë paksa humor bizar, për ta marrë emrin e tij nuk mjaftojnë as brohoritet e disa tifozëve të pandërgjegjshëm të klubeve shqiptare, të cilët sloganeve antishqiptarë të tifozëve maqedonas, u përgjigjeshin me “Tosho peder”! (Prej nga e morën Toshon e ndjerë për ta fyer, kur ai ka qenë kokërr djali dhe kurrë nuk ka fyer dikë në baza etnike! Vërtet bizare!)
Pra, të kthehemi te aluzioni i Toshes me Adem Jasharin! Po këtij stadiumi, në disa ndeshje kualifikuese për ligat evropiane të Shkëndijës së Tetovës, gjatë transmetimeve televizive, komentatori i njohur Dritan Shakohoxha, ia “dha” emrin “Adem Jashari”! Shpikje vërtetë patriotike! E paramendoni një patriot të humbur në kohë e hapësirë, që vjen këtu për të shitur patriotizëm për ca grosh, t’i feksë në mendje një ide e këtillë “gjeniale”?! Ne këtu hamë bar, ai vjen dhe na zgjon! Emrin e Adem Jasharit e meriton ta mbajë çdo institucion, kjo nuk diskutohet, por një stadiumi të kryeqytetit të Maqedonisë, as logjika më patriotike nuk e kapë. Nëse ka dashur ta shqiptarizojë një stadium, ka mundur të kërkojë nëpër “google search” ndonjë emër sportisti shqiptar dhe do t’i gjente dy Shabanët, kampionë botërorë e olimpikë, sportistët me më shumë trofe në Maqedoni, pa le t’ua bënte pak qejfin sportdashësve të këtushëm…!
Pa keqkuptime, nuk ka askush kundër Tosho Proevskit, por emri i tij nuk i shkon stadiumit, të cilit më së miri është t’i kthehet emri që e ka pasur dikur, Stadiumi i Qytetit.
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)