Driton ZENKU
Gostivar, 30 janar – Edhe pse vazhdimisht drejtuesve u tërhiqet vëmendja dhe mungesat janë denoncuar edhe publikisht, evidencat e Njësisë Territoriale kundër zjarreve në Gostivar flasin se edhe në fillim të vitit 2017 në disa nga institucionet me karakter publik si dhe në objekte kolektive banesore vërehen mungesa të pajisjeve elementare kundër zjarreve, siç janë aparate, gomat e ujit dhe hidrantë. Që situata të jetë nën kontroll, nga njësia territoriale kundër zjarreve thonë se po kryhen vazhdimisht kontrolle në objekte kolektive banesor, por edhe objektet e tjera me karakter publik siç janë Spitali, Shtëpia e Shëndetit, shkollat dhe çerdhet. Sa u përket objekteve kolektive banesore, të dhënat e fundit flasin se mungesa të tilla janë vërejtur kryesisht në objektet e vjetra, ndërsa objektet e reja janë të furnizuara me pajisjet e nevojshme. Nga njësia territoriale kundër zjarreve në Gostivar thonë se ka objekte banesore që nuk janë aspak të kyçura në rrjetin e hidrantëve, andaj apelon tek institucionet gjegjëse dhe konkretisht tek kryetarët e Këshillave Shtëpiake që të merren më seriozisht me këtë problematikë. “Kemi kryer kontrolle në objektet kolektive banesore por edhe objektet e tjera ma karakter publik dhe disa fabrika. Kemi hasur mungesë të pajisjeve të tilla sidomos tek objektet e vjetra banesore, disa shkolla dhe institucione të tjera. Kemi vërejtur se disa nga këto objekte nuk janë aspak të kyçura në sistemin e hidrantëve, gjë që e rëndon tej mase dhe e vejnë në pikëpyetje sigurinë e qytetarëve që frekuentojnë apo banojnë në objekte të tilla kolektive. Ne si njësi territoriale kundër zjarreve në Gostivar, u rekomandojmë drejtuesve të institucioneve dhe kryetarëve të këshillave shtëpiake në objektet kolektive banesore dhe organeve përkatëse që të evitojnë këto mungesa, dhe në të ardhmen të mos ballafaqohemi me mungesa të tilla, të cilat në momente kyçe janë vendimtare për punën tonë por edhe për sigurinë e tyre”, shprehen nga atje. Mungesa të tilla ishin vërejtur edhe në Qendrën për Kulturë. Drejtori Luan Zenku thotë për gazetën KOHA se brenda kohës, të gjitha kushtet e parapara u siguruan dhe se tani qendra për Kulturë plotëson kriteret e kërkuara.
Nga njësia territoriale kundër zjarreve në Gostivar, pohojnë se posedojnë pajisjet e nevojshme për intervenime në objekte të kësaj natyre. Evidencat e Njësisë Territoriale kundër zjarreve në Gostivar, tregojnë se rastet e shpërthimit të zjarreve në objekte të kësaj natyre janë të rralla, megjithatë kjo nuk është arsye që institucionet me karakter publik si dhe objektet kolektive banesore të mos posedojnë pajisjet e nevojshme që shërbejnë për shuarjen e zjarreve në momentet fillestare para se të intervenohet nga shërbimi i zjarrfikësve. “Asgjë nuk duhet t’i lihet fatit. Institucionet duhet të jenë të pajisura me pajisjet e nevojshme primare kundër zjarrit. Më mirë është që të parandalohen rastet e tilla se sa pastaj të sanohen dëmet materiale por edhe pasojat në njerëz”, thonë nga njësia e zjarrfikësve në Gostivar, nga ku ritheksojnë nevojën për sigurimin e kushteve elementare dhe primare kundër zjarreve.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.