Investimet të cilat nevojiten për hapjen e një agrobiznesit, vlerësohen se janë mjaft të kushtueshme, pasi sot kërkohet edhe teknologji më moderne për prodhimin dhe përpunimin e produkteve bujqësore
Remzije BILALLI
Shkup, 4 tetor – Duke parë potencialin e vogël zhvillimor që ka sektori i bujqësisë në vend, Qeveria e Maqedonisë në bashkëpunim më Ministrinë e Bujqësisë po punon për orientimin e të rinjve në hapjen e agrobizneseve, të cilët do të ndikojnë në rritjen e ekonomisë dhe punësimit. Ligji për zhvillimin rural, i cili parasheh 10 mijë euro për të filluar veprimtari bujqësore nga drejtori i Odës për agro-biznes u cilësua si humbje parash sepse është shumë e vogël për fillimin një biznesi serioz, shkruan gazeta KOHA.
Investimet, të cilat nevojiten për hapjen e një agrobiznesit, vlerësohen se janë mjaft të kushtueshme, pasi sot kërkohet edhe teknologji më moderne për prodhimin dhe përpunimin e produkteve bujqësore. Krahas kësaj, agrobizneset në vend, vazhdojnë të ballafaqohen edhe me mungesën e financave dhe kushtet e vështira të subvencionimit.
Në bazë të ekspertëve të bujqësisë, interesi për bujqësi nuk është në trendin e rritjes jo vetëm në Maqedoni por në të gjithë Ballkanin dhe për ta ndaluar këtë trend duhet të punohet në rritjen e sipërfaqeve bujqësore dhe biznesit primar.
Kryetari i Lidhjes së Odave Ekonomike (LOE), Ognen Orovçanec, theksoi se çdo biznes nën 50 hektar është humbje, duke u pajtuar me investime më të mëdha të cilët janë bartës të zhvillimit ekonomik. Sektori i agro-biznesit kërkon nga shteti subvencione të njëjta si në Europë, buxheti i të cilit brenda vitit ndahen nga 67 për qind për bujqësinë.
Nga kjo Odë vlerësojnë se ekonomitë e mëdha janë shtytës të zhvillimit, por nuk janë kundër mbështetjes për prodhimet e vogla.
“Çfarëdolloj ndihmese do të ishte në favor të bujqve, por zhvillimi bujqësor në 2-3 hektarë do të prodhojmë vetëm humbje. Çka mund të bëhet me 10.000 euro, aq sa është mbështetja për fermerët e rinj nëse e dimë se një traktor kushton shumë shtrenjtë. Bizneset bujqësore mund t’i mbajmë vetëm me dhënien e subvencioneve 30%, por nëse është e nevojshme edhe 90 për qind për kapacitetet përpunuese”, tha Orovçanec.
Megjithëkëtë, ekspertët e ekonomisë vlerësojnë se është koha që të drejtohemi tek bizneset primare sepse bizneset sekondare dhe terciare janë në numër më të madh dhe për t’u zhvilluar një ekonomi është e nevojshme zhvillim i biznesit primar.
“Për investime në agrobiznes nevojitet kohë por duhet bërë edhe planifikime afatgjate. Me rëndësi është ti stimulojmë të rinjtë të drejtohen në këtë drejtim. Edhe pse 10 mijë euro janë një shumë e vogël, besoj që do të shërbejnë si stimulim për fillim të një biznesi. E rëndësishme është që këto fonde të mos keqpërdoren dhe të shkojnë në duart e duhura”, tha për gazetën Koha eksperti për agro-ekonomi primare, Ruzhdi Matoshi.
Mes tjerash, ai theksoi se të rinjtë të njëjtën punë e kryejnë edhe në perëndim, mirëpo atje janë më të motivuar duke përfshirë këtu edhe pagat më të larta.
Se numri i ekspertëve bujqësor në Maqedoni është i ulët, këtë e konfirmoi edhe dekani i Fakultetit të Bujqësisë në Shkup, Vjekoslav Tanaseviq, i cili u shpreh se të rinjtë nuk janë të interesuar për bujqësi. Tanaseviq shtoi se ky fakultet nëpërmjet kuadrove profesionale, projekteve të ndryshme dhe kontakteve me bujqit, synon të ndihmoj zhvillimin e agrobizneseve. (koha.mk)