Romë, 16 shtator – Reshje të rrëmbyeshme shiu dhe përmbytjet mbrëmë vonë kanë goditur rajonin qendror të Italisë Marke, me ç’rast humbën jetën të paktën shtatë persona, ndërsa tre konsiderohen të zhdukur, raportojnë sot mediat italiane.
Autoritetet lokale kumtuan se nuk e prisnin një “bombë uji” të tillë të papritur. Për dy deri në tre orë kanë rënë rreth 400 milimetra shi, pas së cilës janë përmbytur rrugët e disa qyteteve në provincat e Ankonës dhe Pezaro-Urbinos.
Pamjet e publikuara nga zjarrfikësit lokalë tregojnë si disa nga shpëtuesit në gomone lëvizin në rrugët e qytetit bregdetar të Senigalia për të arritur dhe t’i evakuojnë njerëzit, ndërsa të tjerë përpiqen të kalojnë një nënkalim.
Ekipet e shpëtimit janë ende në kërkim pas të mbijetuarve, kumtuan autoritetet.
Ndërkohë, lideri i Partisë Demokratike të Italisë (PD) në Tuiter publikoi se do të ndërpresë fushatën në rajon, përpara zgjedhjeve kombëtare më 25 shtator.