Të paktën 90 persona kanë vdekur si pasojë e shpërthimit të luftës midis trupave qeveritare dhe rebelëve besnikë të ish-zëvendëspresidentit, Riek Machar në Sudanin e Jugut, njoftoi sot një zyrtar. “Përleshjet u zhvilluan dje në zonën Waat të shtetit Bieh”, sipas zëdhënësit të ushtrisë, Lul Ruai Koang, i cili tha se midis të vdekurve ishin civilë, ushtarë dhe rebelë. “Ne kemi humbur katër ushtarë gjatë betejës dhe forcat tona guximtare kanë vrarë 80 rebelë dhe gjashtë civilë gjatë një shkëmbimi zjarri”, tha Koang. Dhjetëra mijëra persona janë vrarë në Sudanin e Jugut, që pas ndarjes së presidentit, Salva Kiir nga ish-deputeti i tij, Machar duke ndezur një konflikt ushtarak në dhjetor 2013.