Pekin, 27 janar – Të paktën 80 persona kanë humbur jetën nga koronavirusi, ndërsa vetëm në Kinë janë infektuar 2.744 persona.
Virusi vazhdon të përhapet nëpër botë, ku janë regjistruar 50 raste të infektuar, pesë prej të cilëve në SHBA.
Rreth 60 milionë njerëz janë në karantin të pjesërishëm apo të plotë, sepse autoritetet kineze në disa qytete kanë ndaluar hyrje dhe dalje.
Autoritetet në Kinë gjithashtu u bënë thirrje personave, që kanë qenë në Vuhan në dy javët e fundit, qytet nga ku filloi të përhapet virusi të paraqiten në karantin.
Siç transmetojnë agjencitë e huaja në spitalin në Vuhan ka të infektuar edhe mes personelit mjekësor.
Në Vuhan, ka arritur kryeministri kinez Li Keçijang, i cili i vizitoi spitalet në qytet.
Tash për tash nuk ka raste të vdekjes jashtë Kinës, ndërsa virusi ka arritur edhe në Evropë, në Francë, ku janë infektuar tre persona.