Laura PAPRANIKU
Shkup, 14 shtator – Numri i nxënësve shqiptarë, të cilët shkollohen në gjuhën e tyre jo amtare nuk është aspak i vogël. Megjithëse i detyrueshëm me Ligj, jo të gjithë mund të shkollohen në gjuhën e tyre amtare, shkruan gazeta KOHA. Tradita e mbushjes së paraleleve maqedonase me nxënës shqiptarë, respektivisht dukuria e paraleleve artificiale, për fat të keq vazhdon sot e kësaj dite. Edhe pse zyrtarët e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës nuk parapëlqejnë të flasin për këtë dukuri dhe nuk jepen të dhëna zyrtare për kategorinë e këtyre nxënësve, përsëri gjenden mënyra të tjera për tu vërtetuar një gjë ë e tillë. Lista e maturantëve të cilët i janë nënshtruar Maturës shtetërore 2016 e vërteton një gjë të tillë. Lista, deri tek e cila arriti gazeta KOHA, vërteton se 3 për qind e numrit të maturantëve shqiptarë nuk kanë kryer shkollimin në gjuhën e tyre amtare.
Në dokumentin që liston emrat e 16.861 nxënësve maturantë dhe ku jepen të dhëna për lëndët e provimeve të Maturës shtetërore, respektivisht të notave që kanë marrë nxënësit – tregon se jo të gjithë janë shkolluar në gjuhën e tyre amtare. Për shkak të dallimeve të theksuara etnike mes maqedonasve dhe shqiptarëve në rrafshin linguistik pra të ndërtimit gjuhësor të emrave dhe mbiemrave, është shumë e lehtë të dallosh nxënësit shqiptarë nga nxënësit maqedonas, turq dhe serbë, në rastin konkret të atyre që dhanë provim të parë të Maturës shtetërore gjuhën dhe letërsinë maqedonase. Ndërkaq, siç dihet – provimi i parë i Maturës shtetërore është gjuha në të cilën është zhvilluar mësimi. Nga numri rendor 1 deri në 6024, lista ka evidentuar kryesisht nxënës shqiptarë, pra që kanë dhënë gjuhën dhe letërsinë shqipe si provim të Maturës. Këtu bëjnë përjashtim 375 nxënës kryesisht turq dhe pak maqedonas, pra që provim të parë të maturës kanë pasur gjuhën dhe letërsinë tyre, gjegjësisht gjuhën dhe letërsinë maqedonase. Rrjedhimisht, sipas dokumentit i cili përdoret për nevoja të brendshme të Ministrisë të Arsimit dhe Shkencës (MASH), i bie që në vitin shkollor 2015/2016 në Maqedoni të ishin 5649 maturantë shqiptarë. Pra, vetëm ata që janë shkolluar në gjuhën e tyre amtare në numrin e përgjithshëm të maturantëve të atij viti, shqiptarët përbëjnë 33.5 për qind. Mirëpo, lista në vijim, nga numri rendor 6025 ku nis evidentimi i nxënësve që provim të parë të Maturës shtetërore kanë gjuhën dhe letërsinë maqedonase, dëshmon se në këtë kategori maturantësh ka një numër të konsiderueshëm të nxënësve shqiptarë. Konkretisht janë rreth 170 nxënës, të cilët falë emrave dhe mbiemrave – nuk është aspak e vështirë ti identifikosh se janë shqiptarë. Do të thotë, nëse numrit të atyre që kanë mësuar në gjuhën shqipe (5649) u shtohet edhe ky i nxënësve që kanë mësuar në gjuhën jo amtare, i bie që për atë vit shkollor përqindja e maturantëve shqiptarë të jetë për 1 për qind më e lartë. Pra, në përfundim të vitit shkollor 2015/2016 numri i maturantëve shqiptarë në përgjithësi është 34.5 për qind dhe jo 33.5 për qind sa është sipas gjuhës në të cilën kanë zhvilluar mësimin. Nga kjo prizëm, 171 maturantët shqiptarë të atij viti, edhe mund të mos paraqesin dallim kushedi sa të madh. Mirëpo, nuk mund të thuhet kështu nëse ai numër përpjesëtohet me numrin real të shqiptarëve maturantë për atë vit. Sepse, i bie që 3 për qind e nxënësve shqiptarë, që u regjistruan në vitin shkollor 2012/2013 dhe që mbaruan shkollimin e mesëm në vitin 2015/2016 u shkolluan në gjuhën amtare, konkretisht në gjuhën maqedonase.
Nga gjithsej 5820 nxënës shqiptarë, që në vitin shkollor 2015/2016 ishin maturantë, 5049 mësonin në gjuhën amtare, kurse 171 në gjuhën maqedonase. Përveç kësaj, duhet nënvizuar se4 numrat në fjalë janë tregues të atyre nxënësve shqiptarë që ia kanë dalë të shpien deri në fund shkollimin e mesëm. Kështu që, numri i atyre shqiptarëve që janë regjistruar në paralelet maqedonase në vitin shkollor 2012/2013, sigurisht se ka qenë edhe më i lartë se sa në vitin shkollor 2015/2016. Shumë prej tyre, mund të mos e kenë përfunduar shkollën për arsye nga më të ndryshme, ndërsa bie në sy që pjesa dërmuese e atyre që janë shqiptarë dhe që kanë mësuar në gjuhën maqedonase janë në shkollat e Shkupit, Velesit, Manastirit dhe Ohrit.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.