Vjollca SADIKU
Dibër, 24 mars – Dibranët, një ndër investimet kryesore që bëjnë është arsimimi i fëmijëve të tyre. Po, njëkohësisht duhet theksuar se në asnjë moment ata nuk kanë bërë dhe as që bëjnë dallime gjinore kur është në pyetje shkollimi i meshkujve apo femrave, shkruan gazeta KOHA. Arsimimi i dibranëve ka dhanë një ndihmesë të madhe edhe ne drejtim të arsimimit të shqiptarëve. Dekada me radhë arsimtarët dibranë kanë dhënë një kontribut të madh edhe në arsimimin e popullit shqiptar në trojet e veta etnike në Maqedoni. Mes tyre ka pasur edhe shumë arsimtare dibrane, të cilët, pa marrë parasysh gjininë, nuk kanë hezituar që të punojnë jashtë vendlindjes, me qëllim që të arsimojnë bashkëkombësit e tyre.
Edhe sot, të paktë janë ata të cilët pas përfundimit të shkollimit të mesëm nuk vazhdojnë studimet. Por, në këtë drejtim Dibrën e karakterizon edhe një dukuri tjetër. Të dhënat e institucioneve, por edhe shoqatave qytetare tregojnë se femrat janë më të shkolluara se sa meshkujt. Viteve të fundit numri i femrave të cilat vazhdojnë studimet pas përfundimit të shkollës së mesme, pothuajse është më i madh se sa numri i meshkujve të cilët përcaktohen të studiojnë. Emancipimi i dibranes ka një traditë të gjatë, por dukuria në fjalë edhe një herë argumenton faktin se femra shqiptare në Dibër gjithmonë ka qenë prezent në sferën e arsimit.
Por, edhe pse Dibra ka një numër të madh të kuadrove të gjinisë femërore, ata nuk janë në pozitat të cilët i gëzojnë meshkujt . Këtë vlerësim e jep edhe Komisioni për barazi gjinore pranë pushtetit vendor në Dibër. Në një prononcim, kryetarja e komisionit në fjalë, Lumturie Xhafa, ka vlerësuar se femrat duhet të jenë në një numër me të madh në pozita udhëheqëse. Komisioni për barazi gjinore disa herë ka debatuar rreth këtij problemi dhe qëndrimet janë përcjellë edhe në Këshillin e komunës. Sot në shumë ndërmarrje në Dibër ajo është dominante. Kështu, në Spitalin e përgjithshëm, Shtëpinë e shëndetit, shkollat fillore, Çerdhen “Breshia” dhe në disa institucione të tjera, numri më i madh i të punësuarve janë femra. Kur bëhet fjalë për studimet, të dhënat thonë se mbi 95 për qind e të rejave janë nëpër universitet të vendit apo jashtë vendit. Por, edhe pse ata dominojnë në aspektin e shkollimit, kjo nuk ndodh në sferën e udhëheqjes. Femra gjithmonë është sekondare në kur bëhet fjalë për funksione dhe pozita.
Në Këshillin e Dibrës, nga 15 këshilltarë, vetëm 3 janë femra, kurse numri i femrave që udhëheqin institucionet në nivel lokal dhe qendror që funksionojnë në Dibër numërohen me gishta. Aktualisht, drejtoresha femra ka në Çerdhen “Breshia” si dhe në Njësinë e fondeve për sigurim shëndetësor dhe pensional. Se femrat me shumë sukses mund të udhëheqin institucionet, flet edhe suksesi i drejtoreshës Ajrie Daçi, e cila është udhëheqëse në çerdhen e Dibrës. Ajo për disa vite ka mundësuar që institucioni parashkollor i Dibrës të jetë mes çerdheve më të suksesshme në vend. Kur jemi te debatet rreth këtij problemi, me të drejtë flitet se ka nevojë që atje ku numri më i madh i të punësuarve është femra, të ketë edhe drejtoresha. Në bisedën që patëm me disa arsimtare të gjimnazit dhe nëntëvjeçares në qytet, u informua se ata janë të mendimit se duhet të ketë më shumë femra udhëheqëse. Sipas tyre, edhe përkundrejt emancipimit shumë të lartë të femrës dibrane, përsëri te meshkuj paraqitet një mosbesim, por edhe një dëshirë për të mbizotëruar, që nuk është korrekt për kohën në të cilën jetojmë. Në lidhje me problemin në fjalë intelektualet dibrane theksojnë se patjetër duhet të ketë ndryshime përcaktimi i pozicioneve kur është në pyetje gjinia. Institucionet lokale, por edhe degët e partive politike kanë sugjeruar për një prezencë më të madhe të femrës në vendet udhëheqëse, por situatat ka ngelur vetëm në iniciativë. Edhe në jetën politike femrat janë në minorancë edhe përkundrejt normave ligjore. Gjithmonë në prag të zgjedhjeve, sidomos në partitë politike, debatohet rreth këtij problemi i cili është akut. Deri tani është fakt se kur fillon përpilimi i listave ka një trajtim më korrekt ndaj prezencës së femrave sipas përqindjes, por në fakt emrat e femrave përfundojnë në fundin e listave. Ka paralajmërime të disa partive politike që veprojnë në Dibër që në zgjedhjet e ardhshme lokale apo parlamentare ferma dibrane të ketë pozitën e vet si në institucione ashtu edhe në jetën shoqëroro-politike.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara