Të paditet Ivanovi, shkeli rendin juridiko-kushtetues

Fatos RUSHITI

Shkup, 3 mars – Vendimi fundit i presidentit Gjorge Ivanov për të mos ia dhënë mandatin liderit të LSDM-së, Zoran Zev, i cili paraprakisht kishte siguruar 67 nënshkrime, është dënuar ashpër nga partitë politike shqiptare dhe nga bashkësia ndërkombëtare, shkruan gazeta KOHA. Kjo për faktin se për herë të parë në jetën pluraliste ndodhë që të sigurohet shumica parlamentare, ndërsa presidenti i vendit të refuzojë mandatimin.

Eksperti juridik Naser Ziberi, thotë për KOHA se presidenti Ivanov me mosdhënien e mandatit shkelë Kushtetutën, e cila me dispozitat e saj e obligon të veprojë në rastin kur janë siguruar votat e nevojshme. Shkelja e Kushtetutës, sipas tij, nënkupton edhe dhënie të përgjegjësisë politike të presidentit. “Mosdhënia e mandatit nga ana e presidentit Gjorge Ivanov, paraqet shkelje të rëndë të dispozitave kushtetuese, sepse neni 90 atë e obligon apo e detyron, kur thotë se Kryetari i shtetit është i obliguar që të jep mandatin, ndërsa neni 84 e parasheh si kompetencë të tij. Mosdhënia e mandatit do të thotë mos ushtrim i kompetencës nga neni 84 dhe njëkohësisht paraqet shkelje të nenit 90 për mosdhënie të mandatit kandidatit të partisë ose partive që kanë siguruar shumicë parlamentare. Këtu kemi të bëjmë më shkelje shumë të rëndë të Kushtetutës, konkretisht dispozitave të saj. Me këtë kuptohet, kemi përgjegjësi politike nga neni 87, i cili thotë se Presidenti i shtetit është përgjegjës për shkeljen e ligjeve dhe të Kushtetutës, ndërsa në rastin në fjalë ai vetë i ka bërë ato shkelje”, thekson Naser Ziberi. Siç sqaron ai, përgjegjësia e Presidentit kërkohet përmes procedurës parlamentare, duke kaluar më pas në Gjykatën Kushtetuese. Por, që të ndodhë kjo, së pari duhet të konstituohet Parlamenti dhe më pas të ngritet procedura kundër Presidentit.

 

Të konstituohet Parlamenti dhe të ngritet përgjegjësi për Ivanovin

“Konstatimi i përgjegjësisë së Presidentit bëhet përmes procedurës së paraparë me Kushtetutë, ku Parlamenti me dy të tretat e votave ngrit iniciativë, ndërsa Gjykata Kushtetuese e merr vendimin. Parlamenti duhet të vazhdojë seancën konstituive e cila ka mbetur përgjysmë, pra siç e dimë kryetari i përbërjes së kaluar ka thirrur mbledhjen konstituive, ku është bërë verifikimi i mandateve dhe dihet kush janë 120 deputetët, më pas mbledhja është ndërprerë, që do të thotë se ne nuk kemi Parlament të konstituuar. Urgjentisht duhet të mblidhen deputetët dhe të zgjedhin kryetarin, me çka përfundon seanca konstituive. Një Parlament i konstituuar mund të merr vendime të mëtutjeshme, duke përfshirë edhe ngritjen e iniciativës për konstatimin e përgjegjësisë së politike të Presidentit”, thotë Naser Ziberi. Në këtë pikë, ai thekson se pasi Gjykata Kushtetuese konstanton shkelje të Kushtetutës, Parlamenti më pas mund të nxjerrë vendime të reja duke shkarkuar Presidentin dhe tek më pasi, siç thotë Ziberi, Parlamenti mund të zgjedhë Qeverinë e re. “Gjykata Kushtuese mund të konstatojë shkeljen e dispozitave kushtetuese nga ana e Presidentit dhe këtu përfundon kompetenca e Gjykatës kushtetuese. Parlamenti në seancë të re, pasi të konstatohet përgjegjësia e Presidentit nga Gjykata Kushtetuese, mund të marr vendim të ri si të veprohet në lidhje me zgjedhjen e Qeverisë”, thotë ai. Sa i përket përgjegjësisë penale, Ziberi thotë se ajo do të vinte në shprehje nëse pas vendimit të tij do të kishim humbje të jetës së njerëzve përmes protestave apo formave tjera të shprehjes së pakënaqësisë. “Përgjegjësia penale do të vinte parasysh nëse mosdhënia e mandatit shkakton trazira, në të cilat mund të ketë humbje të jetës së njerëzve ose dëmtim të pasurisë private apo shoqërore. Nëse këto pasoja kanë lidhje kauzale me vendimin e Presidentit, respektivisht janë rezultat i vendimit të tij, ai atëherë mund të konstatohet se ka konsumuar edhe vepër penale”, thekson Naser Ziberi. Ai më tej vlerëson se Kushtetuta nuk parasheh zgjidhje juridike tjetër në situatën kur Presidenti refuzon të jep mandatit edhe pasi te ketë shumicë parlamentare. Sipas juristit Ziberi, zgjidhja më e mirë do të ishte nëse Presidenti Ivanov revokon vendimin duke nxjerrë vendim të ri për rastin në fjalë. “Zgjidhja më e mirë do të ishte që Presidenti ta revokojë vendimin e tij, respektivisht ta ndryshojë atë, duke i dhënë mandatin kandidatit i cili ka siguruar shumicë parlamentare. Kjo pasi zgjidhje tjetër të bazuar në Kushtetutë nuk ka, pra Kushtetuta e Maqedonisë nuk ka paraparë zgjidhje juridike që Presidenti të mos e jep mandatin kur është siguruar shumica në Parlament. Nëse duhet t’i referohemi Kushtetutës dhe ligjeve, nuk janë paraparë situata të tilla, sepse ligjvënësi nuk ka paraparë zgjidhje në situata kur ka shumicë parlamentare dhe Presidenti nuk e jep mandatin. Në këso rastesh mund t’i referohemi analogjive me vendet tjera, por nëse kërkojmë mbështetjen në nene të kushtetutës dhe Ligjit për Parlamentin, nuk kemi asnjë zgjidhje juridike.

 

Ivanov atakon sovranitetin, duhet të kërkohet përgjegjësi penale

Profesori universitar Bekim Kadriu është në vijë të njëjtë me juristin Naser Ziberi sa i përket shkeljes së rëndë të Kushtetutës me vendimin e fundit për të mos i dhënë mandatin liderit të LSDM-së, Zoran Zaev. Sipas profesorit Kadriu, përmes kësaj shkelje Presidenti bllokon formimin e institucioneve kryesore të shtetit, duke cenuar edhe sovranitetin që buron nga qytetarët përmes zgjedhjeve të lira. “S’do mend se kemi shkelje të rëndë të Kushtetutës si akt më i lartë juridik dhe politik që rregullon jo vetëm raportet ndërshoqërore, por edhe raportet ndërinstitucionale. Me vendimin e tij për të mos i dhënë mandatin liderit të LSDM, jo vetëm që vepron kundër asaj që ka thënë dhe vetë tre jave më parë, se atij që i sjell 61 nënshkrime do t’ia jap mandatin, por edhe atakon direkt sovranitetin e shtetit i cili buron qytetarët. Ndërsa 67 nënshkrime do të thotë shumica e qytetarëve që kanë votuar për partitë politike, në këtë rast LSDM dhe partitë shqiptare. Presidenti më vendimin e tij bllokon direkt formimin e institucioneve që dalin si rezultat i votës së lirë të qytetarëve”, thotë për KOHA, profesori universitar Bekim Kadriu. Nëse marrim për bazë pasojat negative që mund të prodhojë vendimin i Presidentit, profesori Kadriut thekson se ai vendim prish edhe rendi juridik, duke cenuar njëkohësisht dhe sistemin kushtetues të shtetit. “Nëse vendimi për të mos dhënë mandatin atij që ka siguruar shumicë prodhon pasoja negative, shtohen protesta, kemi trazira dhe nxiten konflikte ndërqytetare mes dy etnive, prodhon dhe krizë ekonomike, kjo do të thotë se me atë vendim Presidenti prish rendin juridik në shtet dhe rrezikon sigurinë publike. Përveç kësaj, vendimi i tillë atakon dhe sistemin juridiko-kushtetues, ngaqë kemi shkelje direkte të normës kushtetuese, normë e cila nuk i lë asnjë hapësirë Presidentit për pushtet diskrecional, por vetëm e obligon të veprojë, gjegjësisht të vendosë në lidhje me mandatin, këtu i referohemi nenit 90 të kushtetutës”, thotë profesori Bekim Kadriu. Ai më tej shton se në këtë rast duhet të kërkohet edhe përgjegjësia penale e Presidentit. Sipas Kadriut, që të mos ndodhë më e keqja, partitë që kanë siguruar shumicën duhet të shtojnë presionin ndaj Presidentit, që do të detyronte atë të tërheq vendimin, kurse këtu duhet, siç thotë ai, edhe një presion direkt dhe pa ekuivoke i ndërkombëtarëve. “Në situatë kur cënohet sistemi juridik nga një individ me funksion të lartë siç është Presidenti, përgjegjësia e tij duhet të kërkohet jo vetëm politikisht por të ndiqet edhe penalisht. Megjithatë, për të mos ndodhë më e keqja, partitë politike që kanë në dorë 67 nënshkrime duhet t’i bëjnë presion Presidentit që të tërheq vendimin e tij. Në këtë rast, një presion direkt dhe pa ekuivoke i SHBA-së dhe BE-së do të kryente punë, më shumë për ti paraprirë një parandalimi të përshkallëzimit të mundshëm të situatës në vend”, thekson profesori universitar Bekim Kadriu.

 

© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.