Një përplasje e ashpër ndodhi dje në aeroportin e Sarajevës mes pjesëtarëve të Policisë Kufitare dhe truprojave të liderit turk, Rexhep Taip Erdogan. Anëtarët e sigurimit të Erdoganit refuzuan të kalojnë nëpër kontrollin e rregullt të aeroportit, madje arritën të nxjerrin edhe armët. Por, kjo nuk është hera e parë që sigurimi i presidentit turk është në qendër të vëmendjes. Në vitin 2017, ata u përfshinë në një tjetër incident të rëndë në Nju Jork. Ngjarja ndodhi në hotelin “Meriot Marquis”, ku Erdogan merrte pjesë në sesionin e 72-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Në mes të fjalimit të Erdoganit në turqisht, një i ri në sallë u ngrit dhe e mbylli fjalimin duke thirrur: “Ti je terrorist, largohu nga vendi im!”. Pas kësaj ndërhynë menjëherë truprojat e liderit turk dhe në sallë shpërthyen trazirat. Më parë, gjatë vizitës së Erdogan në Uashington, truprojat e tij u përfshinë në dhunë me demonstruesit, ndërsa ai shihte qetësisht nga makina e tij. Një tjetër incident është regjistruar edhe në vitin 2016. Në atë kohë, sigurimi i Erdogan ushtroi dhunë ndaj një grupi grash që protestonin për fjalimin e liderit në Ekuador. Përveç kësaj, sigurimi i Erdoganit në vitin 2011 u rrah me sigurimin në ndërtesën e Kombeve të Bashkuara, pasi ata nuk donin t’i lejonin të kalonin përmes hyrjes që ishte mbyllur.