Të dhënat statistikore tregojnë se 41 për qind e buxhetit mujor në Maqedoni ndahet për ushqim, e që është për dy herë e gjysmë më shumë sesa mesatarja e Bashkimit Evropian prej 15.6 për qind
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 15 tetor – Qytetarët e Maqedonisë më shumë konsumojnë bukë dhe perime, dhe më pak mish dhe peshk. Sipas publikimit të fundit të Entit të Statistikës, i ashtuquajtur “Konsumi i amvisërive në Maqedoni në vitin 2017”, amvisëritë në Maqedoni mesatarisht konsumojnë 272 lloje të ndryshme të bukës, 90 kg miell dhe 21 kg makarona. Nga ana tjetër, konsumojnë edhe 103 kg patate, 26 kg oriz, 50 kg domate, 65 kg speca, 22 kg groshë, afër 38 kg lakër dhe 7 kg spinaq për person, shkruan gazeta KOHA.
Nga artikujt e tjerë për konsum personal, sipas të dhënave për vitin 2017, janë konsumuar edhe 32 mish pule dhe 12 kg stek i pulës, 20 kg mish mëshqerre dhe 5 kg mish viçi. Në konsumin e peshkut dominon ai më i liri – merluci me 17 kg në raport me 1.1 kg troftë me kosto më të shtrenjtë. Ekonomistët thotë se struktura e ushqimeve që më shpesh konsumohen në tryezat tona tregon edhe mirëqenien e ulët të qytetarëve në Maqedonisë. Njëherazi, në mesatare për person konsumohen edhe 98 litra qumësht, 51 litra jogurt dhe 18 litra kos, 22 kg djathë, 11 kg gjizë dhe 52 litra vaj.
Nga pemët konsumohen afër 40 kg mollë, afër 3 kg dardha, 17 kg rrush, 24 kg portokaj, 26 kg banane, 48 kg pjepër. Më pak konsumohen pemët e tjera të shtrenjta si gështenjat me 900 gr , fiku i thatë me 600 gr, rrushi i thatë me 200 gr, lajthitë me 200 gr.
Shumë pak konsumohet mjaltë dhe marmelatë me nga 2 kg dhe 300 gram për person. Çokollata konsumohen me nga 4.2 kg, ndërsa imitacioni i çokollatës me përmbajtje më të ulët të çokollatës apo krem-çokollata harxhohet me 2.7 kg për person. Harxhojmë edhe 8.3 kg kafe, 1.4 kg çaj, dhe vetëm nga 400 gr kafe instant dhe nga 200 gram kafe-kapuçinë si prodhime më të shtrenjta. Te pijet joalkoolike dominojnë pijet e gazuara me 97 litra, uji me gaz 84, si dhe lëngjet e pemëve me 23 litra. Konsumohet edhe 153 kilogram duhan për kokë banori.
Nga ana tjetër, krahasimi se për çfarë i shpenzojnë paratë qytetarët e Maqedonisë në krahasim me mesataren e BE-së, tregon sesa më i varfër është një vend, aq më shumë shpenzon popullsia e saj për t’u ushqyer. Familjet në Maqedoni shpenzojnë gati gjysmën e buxhetit mujor për ushqime, ndërsa konsumatorët në vendet e BE-së mjaftohen me vetëm me 15.6 për qind të buxhetit për të plotësuar nevojat e tyre të përditshme e të ushqyerit.
Të dhënat statistikore tregojnë se 41 për qind e buxhetit mujor në Maqedoni ndahet për ushqim, e që është për dy herë e gjysmë më shumë sesa mesatarja e Bashkimit Evropian prej 15.6 për qind.
Nga ana tjetër, në shekullin e 21, akoma 40 për qind e amvisërive në Maqedoni nuk janë të kyçur në kanalizim, ndërsa 20 për qind e amvisërive i derdhin ujërat e ndotur në gropat septike, transmeton KOHA.
Analizat e Entit të Statistikës dhe Institutit për shëndet publik tregojnë se papastërtitë nga kuzhinat dhe banjat, derdhen lirisht nga 12 për qind e shtëpive dhe banesave, ndërsa pa asnjë instalim të kanalizimit janë 7.4 për qind e amvisërive.
Gjithashtu, brengosës është fakti se vetëm 7 për qind e ujërave të ndotura pastrohen në sistemet bashkëkohore të kolektorëve para se të kthehen tek lumenjtë dhe liqenet, për dallim prej mesatares evropiane të pastrimit të 70 për qind të ujërave të ndotura. Njëherazi, 30 për qind e popullatës nuk posedojnë kompjuter, 40 për qind nuk kanë veturë në pronësinë e tyre, ndërsa 57 për qind e popullatës nuk kanë vajtur në stomatolog për shkak se nuk kanë mundësi materiale për diçka të tillë. (koha.mk)