Aleanca për Shqiptarët cak të këtyre zgjedhjeve nuk e ka qëllimin që të synoj pushtetin, por etablimin e saj si parti e dytë në taborin e shqiptarëve. Andaj, lufta e Aleancës është që ta zbusë sa më shumë humbjen në zgjedhjet e muajit prill
Nga Valmir AZIRI
“Disa njerëz ndryshojnë partitë për hir të principeve të tyre, disa i ndryshojnë principet për hir të partisë”, kjo thënie e burrështetasit Winston Churchill ilustron në mënyrën më të mirë kaosin e opozitës, gjegjësisht gjendjen kaotike të ‘politikanëve’’ që bëjnë opozitë. Që me çarjen e parë në fillim në vitet e para të pluralizmit te shqiptarët në Republikën e Maqedonisë e Veriut u vendos një shabllon i rrezikshëm i veprimit politik. Përçarja dhe koketimi me partitë politike maqedonase dhe nëpërkëmbja e vullnetit të shqiptarëve, në Republikën e Maqedonisë së Veriut ka një histori të dhimbshme që fillon nga viti ‘98, vit që i mundësoi nemoklaturës maqedonase të zgjedh shqiptarin e përshtatshëm për qeverisje. Jemi dëshmitarë të asaj historie ku për të arsyetuar këtë veprim anti-shqiptar u thurrën dhe thane dhjetëra teori, madje u sajuan shumë opinione nga përkrahësit e PDSH-së së asaj kohe, ku ‘’të pavetëdijshëm’’ ishim në anën e gabuar të historisë. Pas luftës së vitit 2001 dhe vendosjes së principeve të reja në politikën e shqiptarëve të RMV-së po e njëjta garniturë politike dhe “intelektuale’’, arriti sërish të shkel mbi vullnetin e sovranit dhe mundësoi ngritjen nga pluhuri i një partie më shoviniste siç ishte VMRO-ja asaj kohe.
Qeverisja e tyre dy vjeçare, la pasoja shumë të rënda për shtetin dhe rajonin. Në këtë qeverisje dy vjeçare, VMRO-ja arriti të tregohet si parti e cila “theu hundët partisë së dalë nga lufta BDI-së”, dhe në opinionin maqedonas VMRO u paraqit si parti e cila u tregoi vendin shqiptarëve. Kjo ilustrohet me protagonistët e partisë së PDSH-së që në atë kohë ishin avokatët më të zëshëm të politikave të VMRO-së, duke parë në këtë kontekst VMRO-ja arriti të imponoj politika diskriminuese ndaj shqiptarëve, politika këta që ndezën alarmin e komunitetit ndërkombëtar ku në një presion të jashtëzakonshëm pas dështimit për ta anëtarësuar Maqedoninë e Veriut në NATO, qeveria e RMV-së, e asaj kohe, VMRO dhe PDSH detyrohet të shpallë zgjedhje të parakohshme. Zgjedhjet e vitit 2008 të paralajmëruara si kasaphane nga lidershipi i PDSH-së (dhe kjo kasaphane e paralajmëruar që u realizua pastaj në ditën e zgjedhjeve) shtangu të gjithë liderët evropian, sa që asaj kohe ambasadori i Bashkimit Evropian deklaroi se po të kishte mundësi, Bashkimi Evropian do të tërhiqte edhe kandidaturën për anëtarësim të fituar në vitin 2005, me insistim të Bashkësisë Ndërkombëtare u anuluan gati shumica e zgjedhjeve në Maqedoninë Perëndimore dhe pati rizgjedhje ku u verifikua edhe praktikisht se ishte shkelur vullneti i shqiptarëve nëpërmjet kasaphanës nga lidershipi i asaj kohe i PDSH-së.
Të nderuar miq, sot, kjo parti quhet Aleanca për Shqiptarët, aleancë kjo e cila për gati tre vite nga ribrendimi i saj, nuk ka arritur të ofrojë një program të qartë dhe të ndryshëm për shqiptarët në RMV. Përkundrazi, ka amplifikuar metodologjitë e veprimit të partisë mëmë duke futur në veprim tërë arsenalin e saj për të denigruar figurat kundërshtare të partive tjera politike. Nëse dikush mendon që Aleanca për Shqiptarët është ndryshe apo është produkt tjetër nga ai i PDSH-së, nuk ka nevojë për shumë hamendje, shihni kush është lideri i saj dhe kush janë protagonistët e kësaj partie. Në kuadër të politikë-bërjes së saj, Aleanca po tenton që fituesin real të opozitës në vitin 2016 që ishte partija më e votuar në kampin opozitarë, partia BESA, ta fut nën kthetrat e saj vetëm e vetëm që pas zgjedhjeve parlamentare të muajit prill të arrijë të fitoj statutin e partisë më të madhe opozitare, ndryshe thënë Aleanca për Shqiptarët tenton të paraqitet si partia e dytë në kampin e shqiptarëve, pozicion ky që i mundëson Aleancës të ketë rolin e kryenegociatorit me partitë tjera opozitare, që për mendimin tim partija Besa dhe Alternativa me këtë veprim po i kryejnë një shërbim Aleancës në dëm të tyre.
Të nderuar numrat janë të qartë, në çdo anketë BDI me Aleancën është në raport 2 me 1, për të evituar një humbje katastrofale të Aleancës, lidershipi i kësaj partie po bën çmos për të joshur dy partitë tjera në një koalicion të vetëm parazgjedhor për të tentuar sfidimin ndaj BDI-së.
Duke mësuar nga historia, se PDSH dhe tash Aleanca, asnjëherë nuk kanë marrë mandat nga populli për ti përfaqësuar, po tenton edhe një herë që nëpërmjet makinacioneve të ndryshme politike të arrijë të etablohet në skenën politike shqiptare. Besa dhe Alternativa është më mirë të bashkohen dhe të hynë në zgjedhje të vetme se sa të përçara ti afrohen Aleancës. Një afrim i dy të parave me Aleancën, në periudhën parazgjedhore do të nënkuptonte shkrirje graduale të këtyre partive dhe kalim masiv të anëtarësisë së tyre në Aleancën për Shqiptarët. Ky është qëllimi primar i Aleancës, që nëpërmjet këtij koalicioni në pikë të parë të siguroj veten si parti e parë opozitare që në perspektivë të tentoj të sfidoj BDI- në e vetme në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
Aleanca për Shqiptarët cak të këtyre zgjedhjeve nuk e ka qëllimin që të synoj pushtetin, por etablimin e saj si parti e dytë në taborin e shqiptarëve. Andaj, lufta e Aleancës është që ta zbusë sa më shumë humbjen në zgjedhjet e muajit prill.
(Autori është Sekretar shtetëror në Ministrinë e Kulturës)