Të ndryshohet sistemi për mbrojtje sociale

Zejnulla VESELI

Shkup, 15 dhjetor – Sistemi i deritanishëm për transfertat sociale, nuk ka funksionuar si duhet, sepse deri më tani ky sistem ka arritur që për vetëm 3 për qind ta zvogëlojë varfërinë në Maqedoni, shkruan gazeta KOHA. Qeveria aktuale do duhet që gjithsesi ta ndryshojë sistemin dhe të zbatojë një sistem të ri, kurse bartësve të ndihmave sociale t’ju garantojë rrogë minimale dhe me këtë të gjithë qytetarët e Maqedonisë do të kishin mjete të mjaftueshme financiare për një jetë më të mirë. Kështu u shprehën ekspertët ekonomik në tryezën e rrumbullakët me temë “Inovacionet gjithëpërfshirëse për mbrojtje sociale: ndihmave sociale dhe rrogës minimale, organizuar nga instituti për hulumtime politike dhe ekonomike “Finance Think” nga Shkupi. Ekspertët ekonomik të pranishëm në tryezën e rrumbullakët, u shprehen se që të kemi efekte më të mira sa i përket transfertave sociale, Qeveria duhet të ndryshojë sistemin e deritanishëm për mbrojtje sociale dhe për këtë ata ofrojnë tre modele për vendosjen e masës rrogë e garantuar minimale për çdo person që është bartës i ndihmave sociale. “Sistemi aktual për mbrojtje sociale parasheh shumë lloje të ndihmave sociale dhe nuk është universal. Për këtë nuk mund të vlerësohen efektet. Njëherit ky sistem nuk po e arrin qëllimin kyç për zvogëlimin e varfërisë, sepse personat të cilët janë bartës të ndihmave sociale shumë pak i japin efektit të zvogëlimit të varfërisë, ndërsa në anën tjetër, pensionet më shumë kanë ndikim në uljen e varfërisë“, deklaroi Nikica Mojsoska – Blazheska, profesoreshë universitare në Kolegjin Amerikan në Shkup. Sipas Mojsoska Blazheska, masë më e mirë e Qeverisë aktuale, do të ishte kompensimi universal në para dhe t’i integron në tregun e punës të gjithë ata që për momentin janë bartës të ndonjë ndihme sociale. Se sistemi i deritanishëm për mbrojtje sociale nuk ka dhënë aspak efekte pozitive në uljen e varfërisë, e thotë edhe eksperti ekonomik, Marjan Petreski, i cili propozon modele për rrogën e garantuar për të gjithë personat që janë bartës të ndonjë ndihme sociale minimale.

“Me modelet e reja që propozohen nga ekspertët, varfëria do të zvogëlohej për një të tretën si dhe do të eliminohej ndarja jo e barabartë e transfertave sociale. Me zbatimin e njërës prek këtyre tre modeleve do të mundëson që një numër i madh i kategorive të njerëzve të varur nga ndihmat sociale të dalin nga varfëria, pa pasur ndonjë ndikim negativ në tregun e punës”, tha Petreski. Sipas Petreski, modeli i parë do të ishte që bartësve të ndihmave sociale, t’ju garantohen rrogë prej 10.800 denarë, modeli dytë do të ishte rrogë e garantuar prej 9.660 dhe modeli i tretë të kenë rrogë të garantuar sa rroga minimale dhe kjo ka të bëjë për ata persona që punojnë dhe marrin rroga më pak se 9000 denarë. “Për realizimin e kësaj reforme, në nivel vjetor shteti do të duhet të sigurojë 2.5 për qind nga Bruto Prodhimi Vendor, gjegjësisht rreth 250 milionë euro. Për momentin shteti për transferta për mbrojtje sociale në buxhet, parasheh 100 milionë euro dhe pjesa më madhe e këtyre parave shkon për fëmijën e tretë”, tha Petreski. (koha.mk)