Fatos RUSHITI
Shkup, 4 shtator – BDI e Ali Ahmetit, BESA e Bilall Kasamit, ASH e Zijadin Selës, PDSH e Menduh Thaçit, koalicioni RDK-UNITETI, si dhe LSDM e Zoran Zaevit, janë gjashtë subjekte politike që do të jenë në garë për të marrë votën shqiptare në zgjedhjet lokale të radhës që do të mbahen më 15 tetor të këtij viti, shkruan gazeta KOHA. Përveç tjerash, vota dhe bashkëpunimet eventuale në këto zgjedhje, sidomos në rrethin e dytë zgjedhor, do të jetë përcaktuese edhe për pozicione të ardhshme politike. Sa i përket koalicioneve parazgjedhore, siç pritej shumë në opinion, një bashkimi i forcave mes BESËS dhe ASH-së me gjasë nuk do të ndodhë as në këto zgjedhje, ndonëse të dyja partitë kanë zhvilluar bisedimeve intensive këto ditë. Për gazetën KOHA të dyja palët e konfirmuar jozyrtarisht se në zgjedhje do të shkojnë ndaras, por qëndrimin përfundimtar do ta thonë të martën, ku edhe do t’i sqarojnë arsyet e dështimit të lidhjes së koalicionit. Komuna e Bogovinës, dhe pozicioni i kryetarëve të këshillave komunal që ti takojnë Lëvizjes BESA, siç merret vesh, kanë qenë arsyet pse ASH nuk ka pranuar definitivisht koalicionin. “Ne kemi kërkuar që përveç Strugës, Gostivarit, Dibrës dhe Vrapçishtit të kemi kandidat për kryetar edhe në Bogovinë, Haraçinë dhe Tetovë, si dhe lista të përbashkëta për këshilltarë komunal, ndërsa BESA ka kërkuar koalicion vetëm për kryetarët e jo edhe për këshilltarë komunal si dhe pozicionin e kryetarit të këshillit komunal në çdo komunë ku të dyja palët do të kishin shumicën. Kjo ka qenë e papranueshme për ASH. Ndërkaq arsyeja pse BESA nuk ka lëshuar pe ka qenë fakti se ajo ka marrë për bazë fuqinë politike në Parlament në raport 5 me 2, meqë Vesel Memedi i RDK-së nuk është më në koalicion partiak me ASH”, thonë burime nga ASH.
LSDM PËRPARËSI EDHE LISTAVE ME SHQIPTARË
Ndërkaq, në BDI vetëm se janë finalizuar punët rreth përzgjedhjes së kandidaturave, ndërsa tani po punohet në përpilimin e listave për këshilltarë komunal. Definitivisht partia më e madhe në pushtet BDI do të garojë e vetme në zgjedhje dhe ashtu siç flitej, nuk do të ketë koalicion parazgjedhor me RDK-në dhe UNITETI-in. Burime nga kjo parti thonë se të premten pritet të ketë mbledhje të kryesisë qendrore nga ku do të dihen edhe emrat për kryetarë komunash. BDI hyn me pretendime të ruaj Tetovën, Gostivarin dhe të kthej Strugën, ndërsa në Kërçovë e ka mbështetjen e subjekteve tjera shqiptare. Në BDI shprehen se janë të vetëdijshëm se në Çair, Likovë dhe Saraj i pret një garë e nxehtë me BESËN, por që në rreth të dytë nga kjo parti thonë se përballë BESËS do të fitojnë në të tre komunat. Jo pa pretendime BDI hyn edhe në garë për komunat tjera rurale, bazuar kështu edhe në bazën e fortë që e ka kjo parti, si në Tearcë, Bogovnë, Vrapçisht e Zhelinë, por edhe në Bërvenicë dhe Dollnen. Nga ana tjetër, LSDM vetëm se ka filluar me përzgjedhjen e kandidaturave shqiptare, duke filluar me Haraçinën ku kandidon zonjën Milikije Halimi, ndërsa është afër të përzgjedhë kandidatura edhe në Çair e Saraj, ndërsa në Strugë ka mundësi të përkrah Sefer Canoskin, djalin e biznesmenit Fiat Canoski. Në Kërçovë nëse nuk kandidon shqiptar aty pritet të ketë për kandidat ndonjë figurë që do të thithë sigurt elektorat tek shqiptarët, kjo përderisa nuk ka ndonjë marrëveshje në minuta të fundit me BDI-në që të përkrahet kandidati i kësaj partie Fatmir Dehari. Sa i përket listave për këshilltarë, nga LSDM kanë paralajmëruar se në komunat e përziera prezenca në lista e shqiptarëve do të jetë shumë më e theksuar. Por, në opinion rrjedha votës shqiptare drejt LSDM-së po llogaritet si dobësi e partive shqiptare që sabotojnë njëra-tjetrën dhe kauzat themelore të qytetarëve shqiptar. Në këto zgjedhje do të kemi një koalicion të partive të vogla, atë të RDK-së së Vesel Memedit dhe UNITETI të Gëzim Ostrenit, por që të dyja të dobësuara shkaku i ndarjes së strukturave partiake. E para mbeti pa grupin e njerëzve të lidhur me Fadil Zendelin që tashmë gravitojnë në Lëvizjen BESA, kurse e dyta mbeti pa grupin e ish nënkryetarit Zulfi Adlit që tashmi i është bashkëngjitur Aleancë për shqiptarët. Të dyja partitë pretendojnë emrin Aleanca për shqiptarët dhe vazhdojnë koalicionin që patën edhe në zgjedhje parlamentare. Se RDK dhe UNITETI do të kenë kandidat të përbashkët për kryetar dhe listë të përbashkët për këshilltarë komunal, për këtë ka folur së fundmi edhe kryetari i UNITEIT Gëzim Ostreni. “Gjatë punës në kuadër të koalicionit është konstatuar se partia e tretë LR-PDSH na ka përjashtuar, me çka ka marrë pozicionet pas zgjedhjeve, ndërsa kishte mundësi të jemi në koalicion edhe me PPD-në, (nuk dua të flas me emra). Me RDK-në jemi marrë vesh dhe shkojmë bashkë në zgjedhje. Ne kemi qëndrim parimor- pjesëmarrje në koalicion që nënkupton cilido funksionar që do të zgjidhet me votat e koalicionit, ai do të jetë funksionar i përbashkët”, ka thënë Gëzim Ostreni.
Në këto zgjedhje pritet të jetë me interes shfaqja dhe rezultati përfundimtar i Partisë Demokratike Shqiptare, e cila në të kaluarën shkonte deri në 90 mijë vota, duke e sfiduar seriozisht BDI-në për shumë vite në pushtet, por që në zgjedhjet e fundit pati një rënie të theksuar dhe nxori vetëm dy deputetë. Zyrtarë të lartë nga kjo parti thonë se PDSH do të ketë kandidat për kryetar komunash dhe këshilltarë komunal në të gjitha komunat shqiptare, me synime të fitojë Tetovën dhe disa komuna tjera shqiptare. “Kandidat për kryetar do të kemi në të gjitha komunat shqiptare, poashtu edhe lista për këshilltarë komunal. PDSH do të kthejë sigurt Tetovën, për të cilën punoi shumë sa kishte në udhëheqje këtë komunë. PDSH do të fitojë në shumicën komunave tjera meqë u pa se partitë tjera nuk kanë kapacitet t’i rezistojnë BDI-së, bile disa edhe i shërbyen asaj në momente të caktuara dhe kjo do të kuptohet edhe më shumë në zgjedhjet lokale”, thonë për gazetën KOHA zyrtarë të lartë të PDSH-së. Sa i përket kandidaturave, nga PDSH thonë se janë në fazën e nominimit të emrave nga degat e partisë. “Përveç Likovës të dielën do të dihet kandidati në Studeniçan dhe më pas në Saraj, do të vazhdohet në Tetovë, Gostivar dhe në komunat tjera”, thonë nga PDSH.
EMRAT JANË PËRZGJEDHUR, PRITET ZYRTARIZMI
Sa i përket kandidaturave, BDI përveç Tetovës ku së fundmi ka zhvillime të reja, në shumicën prej komunave dihen kandidatët. Lufta për të marrë nominimin për Tetovë do të jetë e hapur të paktën deri të premten, ngaqë Teuta Arifi që ka përkrahjen e pjesës më të madhe të kryesisë së partisë ka hasur në rezistencë të degës dhe disa prej nëndegëve të forta të BDI-së në Komunën e Tetovës, e që janë të afërta me zëvendëskryeministrin Hazbi Lika, i cili në moment të fundit mund të kthehet në garë sërish për Tetovën, të cilin e udhëhoqi për katër vite 2005-2009. Nga kandidaturat tjera, BDI në Gostivar konkurron më Nevzat Bejtën, në Dibër me Ruzhdi Latën, në Strugë me Ramiz Merkon, në Kërçovë me Fatmir Deharin, në Çair me Visar Ganiun, në Studeniçan me Fehmi Jonuzin, në Saraj me Blerim Bexhetin, në Tearcë me Agim Xhelilin, në Vrapçisht me Gajur Rushitin, në Likovë me Erkan Arifin, në Zhelinë me Fatmir Izairin, në Bogovinë me Berzat Bejtullahun, ndërsa në Haraçinë Bërvenicë dhe Dollnen ende janë të hapura kandidaturat.
BESA dhe ASH vetëm pas të martës do të dalin më konkretisht me kandidaturat d.m.th pasi të dihet fati i koalicionit mes tyre. Në Strugë, ASH do të garojë me kryetarin partisë Zijadin Sela, në Gostivar me Arben Taravarin, në Vrapçisht – Hisen Shabani, Zhelinë – Reshat Aliu, Çair – Faruk Abdiu, Studeniçan – Mexhid Memeti, Likovë mes Bekim Afuzit dhe Blerim Musliut, ndërsa në Tetovë ka gjasa të dalin më figurë jopartiake. Te partia e Thaçit veçmë kanë vendosur për Bardhyl Mamutin kandidat për kryetar të Tetovës, në Likovë – Bardhyl Destani, në Studeniçan për Azem Sadikun, në Saraj – Sefedin Aliu, ndërsa për kandidaturat tjerë do të vendoset ditëve në vijim. Tek BESA ende mbetet e hapur kandidaturat e kryetarit Bilall Kasami për kryetar të Tetovës, por nëse nuk do të kandidojë ai, Adnan Azizi do t’i prijë garës për kryetar. Në Likovë BESA ka kandiduar Shaban Zendelin, në Haraçinë Ali Ismailin, në Gostivar ka gjasa garës t’i prijë Fadil Zendeli, ndërsa në Strugë – Arben Llabunishti, kurse në Zhelinë – Blerim Sejdiu.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.