Shkup, 23 janar – Nga mediat kam kuptuar se Ramush Haradinaj, një luftëtar shqiptar i lirisë nga Kosova, është arrestuar tash shpejt në një prej aeroporteve franceze, sipas një flet-arresti të vjetër të shtetit të Serbisë që është lëshuar pas bombardimit të Jugosllavisë nga NATO dhe çlirimit të Kosovës prej shtypjes jugosllave. Franca ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm në shpëtimin e kosovarëve shqiptarë nga gjenocidi serb dhe ka kontribuar në administrimin e pastajshëm, që ka çuar në pavarësinë eventuale të shtetit të posalindor të pavarur të Kosovës… Kështu nis letra drejtuar Ambasadës së Francës në Uashington e dr.Agim Lekës, atdhetarit dhe doktorit shumë të mirënjohur dhe të vlerësuar në komunitetin shqiptaro-amerikan për kontributin në fushën e mjekësisë dhe çështjes kombëtare në SHBA, por edhe më gjerë. Në moshë 93-vjeçare, dr.Leka në këtë letër drejtuar edhe gazetës KOHA, ka shprehur mirënjohjen ndaj Francës për gjithë kontributin e francezëve në çështjen shqiptare, ndërsa ka kërkuar që në emër të idealit “Liberte, Egalite, Fraternite”, Haradinaj të lirohet plotësisht nga akuzat serbe dhe autoritetet e Francës ta lënë të lirë. “Autori i kësaj letre është një student i mëhershëm i Liceut francez të Korçës në Shqipëri, ku ka qenë i regjistruar prej vitit 1936-1939. Pushtimit i Shqipërisë nga fashistët italian më 7 prill të vitit 1939 rezultoi me mbylljen e shkollës sonë. Profesorët tanë francez u detyruan të kthehen në Francë, kurse profesorët shqiptarë, të cilët kishin diplomuar në Universitetin e Sorbonës në Paris, u arrestuan dhe u internuan në një ishull në Itali të quajtur Ventotene. Tash në moshën 93-vjeçare, kisha dashur ta shpreh mirënjohjen time ndaj Francës që më ka pasuruar dhe inspiruar gjatë atyre 4 vjetëve në Liceun francez, sikurse i ka inspiruar edhe hartuesit e Kushtetutës së Amerikës, me idealet ‘Liberté, Egalité, Fraternité’ (Liri, Barazi, Vëllazëri). Derisa kam privilegjin të shoh Statunë e Lirisë gati çdo ditë, pasi që jetoj afër Lumit Hadson, shpesh mendoj për thellësinë e kuptimit të kësaj dhurate franceze për shtetin tim të ri, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i cili më ofroi dinjitet dhe një jetë të re pasi komunistët morën pushtetin në dorë në Shqipëri”, shkruan dr.Leka drejtuar ambasadës francezë në Uashington. Haradinaj, shkruan më tej dr.Leka, ka një histori të gjatë të persekutimit nga qeveria serbe, dhe është shpallur i pafajshëm dy herë nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë.
“Këtu po bashkëngjis një përmbledhje të një studimi që e kam publikuar në gazeta të ndryshme Shqiptaro-Amerikane në vitin 2013 në lidhje me sagën e z. Haradinaj. Besoj që ky artikull do t’u ndihmojë autoriteteve franceze. E kuptoj që z. Haradinaj tani veç është liruar nga paraburgimi, por i duhet të qëndrojë në Francë derisa të shqyrtohet kërkesa për ekstradim e bërë nga Qeveria serbe. Po ashtu, e di edhe që z. Haradinaj ka marrë vizë për të vizituar Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ndoshta, kur kjo sagë më në fund të përfundojë, drejtësia do të fitojë, dhe një luftëtar i lirisë më në fund do të gëzojë lirinë për të cilën ka luftuar me shumë trimëri. Ende vazhdoj të kem besim në drejtësinë dhe idealet franceze, vlerat dhe integritetin e qeverisë franceze”, shkruan dr.Leka, i cili menjëherë – edhe pse nuk është e zakonshme nga ambasadat e huaja, të marrë përgjigjen e shpejtë të letrës.
“Ju falënderojmë për letrën Tuaj. Ambasada e Francës merr parasysh shqetësimet tuaja dhe do të komunikojë me autoritetet përkatëse franceze në Ambasadë, si dhe në Francë”, shkruan në përgjigjen e ambasadorit francez në Uashington, Gerard Araud.
Kush është 93-vjeçari dr.Agim Leka
Dr. Agim Leka është njëri nga atdhetarët e mirënjohur dhe shumë të vlerësuar në komunitetin shqiptaro-amerikan për kontributin në fushën e mjekësisë dhe çështjes kombëtare. Tek doktori janë mishëruar humanizmi dhe atdhetarizmi si një e pandarë që janë pasqyruar në veprimtarinë bashkëkohore të tij edhe në publicistikë. Dr.Leka ka shkruar dhe studiuar si askush më parë për shumë figura kombëtare shqiptarë. Vend të posaçëm në shkrimet e tij gjithandej nëpër gazeta dhe revista ndërkombëtare zë vepra e heroit Skënderbeut, ndërsa Enciklopedia Britanike e vitit 1961 parti pranuar vërejtjet e dr.Lekës lidhur me vërtetësinë historike të origjinës dhe veprës të Skënderbeut. I edukuar në një familje intelektuale me tradita patriotike dhe arsimdashëse dhe i investuar nga babai, Rakip Leka, (student i Zosimeas dhe i Jurisprudencës në Universitetin e Stambollit), Agim Leka ishte nxënës në Liceun e Korçës, në Liceun shtetëror të Tiranës, në Prato të Firencës, në Salcburg të Austrisë deri në Universitetin e Romës, ku u diplomua në fushën e mjekësisë. Në moshë të re, dr.Agim Leka i bashkohet pikëpamjeve me ideologun e lëvizjes nacionaliste, Mit-hat Frashëri dhe mori pjesë aktive në demonstratat e para kundër pushtuesit italian. Është përkthyes i shumë librave të kohës nga italishtja në shqip dhe anasjelltas. Në SHBA, që në vitin 1960, dr.Leka është ndër të parët që në Nju Jork Times ngriti zërin për gjenocidin serb nda shqiptarëve të Kosovës.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.