Kundër idesë së reformave të paralajmëruare nga Ministria e Arsimit dhe Qeveria ka dalë edhe stafi akademik i Fakultetit Pedagogjik, ndërkohë që në numrin më të madh të pikave nuk është pajtuar as Akademia e Shkencës dhe Arteve të Maqedonisë dhe përfaqësuesit e mësueseve. “Është e pamundur që tani – në këtë situatë që po gjendet vendi ynë me situatën e virusit korona dhe problemet tjera, të kryhen reformat me shpejtësi kaq të madhe, ashtu siç po tenton Qeveria së bashku me MASH-in”, thotë Avzi Mustafa
Zenel MIFTARI
Shkup, 27 janar – Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) së bashku me Qeverinë dhe kryeministrin Zaev, po këmbëngulin që sa më shpejt t’i kryejnë reformat në arsimin fillor, konkretisht ta miratojnë Konceptin e ri për arsim fillor. Por në realizimin e këtyre reformave, duket se MASH-i ka mbetur e vetme dhe pa përkrahje nga ekspertët e arsimit dhe eksponentët tjerë të përfshirë në procesin mësimor. Së fundmi, kryeministri Zaev deklaroi se në programin e ri të arsimit fillor, do të përfshihen madje edhe disa lëndë të tjera mësimore. “Në konceptin e ri për arsim fillor do të kemi lëndë të re me përmbajtje thelbësore për arsimimin e fëmijëve, si edukimi mediatik, ekologjik dhe higjienë, për të cilët e pamë gjatë pandemisë me virusin korona se sa janë të nevojshme”, u shpreh Zaevi. Sipas tij, këto nuk do të zëvendësohen me lëndët e deritanishme mësimore, pra nxënësit do të kenë paralelisht edhe gjeografi, histori, kimi dhe fizikë. Zaevi deklaroi se gërshetimi i lëndëve do të thotë efikasitet dhe reduktim i përmbajtjeve mësimore të cilat aspak nuk u nevojiten nxënëseve.
Megjithatë, kundër idesë së Konceptit të paralajmëruare nga Ministria e Arsimit dhe Qeverisë së RMV-së, ka dalë edhe stafi akademik i Fakultetit Pedagogjik, ndërsa në numrin më të madh të pikave nuk është pajtuar as Akademia e Shkencës dhe Arteve të Maqedonisë dhe përfaqësuesit e mësueseve. Profesori universitar, Avzi Mustafa për gazetën KOHA, ka deklaruar se i ashtuquajturi Koncept që po promovon Qeveria dhe Ministria e Arsimit, nuk është koncept i ri në arsim, sepse është përdorur edhe më parë nga disa vende të ndryshme të botës.
“Megjithatë, kjo formë e të mësuarit deri më tani nuk ka gjetur zbatim dhe pothuajse ka dështuar. Ndërkohë autoritetet arsimore në vendin tonë janë duke marrë shembull reformat në Finlandë”, deklaroi ai. Sipas tij, është e pamundur që tani – në këtë situatë që po gjendet vendi ynë me situatën e virusit korona dhe problemet tjera, të kryhen reformat me shpejtësi kaq të madhe, ashtu siç po tenton Qeveria së bashku me MASH-in. “Para se të kryhen këta reforma duhet të përgatitet stafi akademik dhe kuadrat shkollor. Nuk mendoj se përmes seminareve që planifikon Ministria e Arsimit, të arrihet të përgatitet stafi akademik për t’i zbatuar këto reforma në praktikë. Nëse autoritetet arsimore dëshirojnë të bëjnë reforma në arsimin fillor, ata një herë duhet ta reformojnë arsimin universitar, veçanërisht të kryejnë reforma në Fakultetin Pedagogjik”, nënvizoi Mustafa. Ai shtoi se me bashkimin e disa lëndëve, nxënësit do të kenë vetëm njohuri të përgjithshme mbi ato shkenca dhe nuk do të marrin njohuri të mjaftueshme për ta studiuar njërën nga ata shkenca.
Nga ana tjetër, VMRO-DPMNE nuk e mohon faktin që reformat në arsim janë të domosdoshme, megjithatë ata kërkojnë mbajtjen e debateve me ekspertë, të cilët do të ofrojnë ide për t’u përpiluar Strategjia Nacionale afatgjate përmes konsensusit. “Është koha që Milla Carovska, të tregojë virtyt dhe të mos ikë nga transparenca dhe nga profesionistët të cilët kanë se çfarë të tregojnë dhe sqarojnë lidhur me konceptin e ri për reformat ne arsimin fillor. Shtytja e imponuar e një koncepti të këtillë, më së shumti do ti dëmtojë fëmijët tanë dhe kuadrin arsimor. Andaj kërkojmë debat publik urgjent për reformat në arsim në kuadër të komisionit amë parlamentar”, thonë nga VMRO. Ndryshe, Ministria e Arsimit dhe Shkencës, ka parashikuar që plani për Konceptin e ri të arsimit fillore të zbatohet gradualisht në periudhë prej gjashtë viteve. Nga viti ardhshëm pritet të fillojnë klasat e para dhe të katërta me konceptin e ri mësimor për të vazhduar viteve të ardhshme me klasat tjera deri në zbatimin e tërësishëm të reformave. Koncepti i ri për arsimin fillor është pjesë e Strategjisë së MASH-it për periudhën 2018-2025. (koha.mk)