Shkup, 17 shkurt – Pas deklaratës së Mirsad Jonuz, se Federata Futbollistike e Maqedonisë u ka premtuar KF Shkëndija se do të bëhet kampion, kurse Bregallnicës dhe Pobedës mbetjen në Ligën e parë dhe se e gjithë kjo do të sjell edhe më shumë kërdi dhe probleme, ka bërë që të reagojnë nga klubi kuqezi KF Shkëndija. Ata kërkojnë nga të gjitha palët që klubi i tyre të mos shfrytëzohet, ndërsa sukseset e tyre lidhen direkt me arritjet në terrenin e gjelbër.
“Emri i klubit tonë është lakuar në media të ndryshme, duke involvuar klubin apo lakuar emrin tonë për interesa si dhe agjenda personale. Andaj ne si klub detyrohemi të reagojmë publikisht duke kërkuar nga të gjitha palët që mos të shfrytëzohet emri i klubit tonë. Skuadra jonë tani më 3 vite e gjysmë është duke bërë investime të mëdha, me qellim të ngritjes së një klubi të organizuar të nivelit evropian. Klub që objektiva e titullit kampion më nuk është vetëm qëllim dhe ëndërr por edhe e realizueshme. Sukseset tona lidhen direkt me arritjet në terrenin e gjelbër dhe nuk do ti lejojmë askujt që sukseset e arritura me punë profesionale dhe të ndershme të na i tjetërsojnë dhe kontestojnë. Shkëndija ka investuar dhe vazhdon të investojë për ngritjen e nivelit të ekipit drejt profesionalizmit të mirëfilltë, ndërsa së fundmi kemi bërë tentime për tu përforcuar me qëllim që ambiciet t’i konvertojmë në realitet”, thonë nga klubi kuqezi.
Nga ky klub thonë se Shkëndija do të jetë kampion, ndërsa ajo do të arrihet jo sepse dikush do i falë atë, por sepse suksesin do ta meritojnë në fushë. “Shkëndija do të jetë kampione dhe kjo do të arrihet jo sepse dikush do të na falë atë, por sepse suksesin do ta meritojmë në teren. Skuadra jonë dëshiron të garojë në mënyrë korrekte me kushte të barabarta me rivalët tonë sportiv dhe nuk kemi nevojë për ndihmën e askujt për të realizuar objektivat tona. Secili ka të drejtë të ketë pretendimet e veta, mirëpo në asnjë mënyrë të kërkohet të përfitohet peshë dhe publicitet në llogari të KF Shkëndija. Ne si klub respektojmë gjitha institucionet dhe vendimet legjitime, ndërsa kërkojmë respekt të ndërsjellë edhe nga tjerët për ne”, thuhet në reagimin e KF Shkëndija.