Omer XHAFERI
Shkup, 26 shkurt – Ministria e Drejtësisë dhe Qeveria duhet t’i përmbushin premtimet e tyre sa i përket transparencës së Këshillit Gjyqësor, respektivisht dispozitat ligjore që e mundësojnë rritjen e transparencës së këtij organi të mos shfuqizohen ashtu siç është paralajmëruar, shkruan gazeta KOHA. Ky apel së fundmi është përfshirë në Raportin e Propozim-Ligjit për Këshillin Gjyqësor dhe atë për Akademinë e gjykatësve dhe prokurorëve, të cilin e ka përgatitur Instituti për të drejtat e njeriut dhe Instituti për politikë evropiane.
Në elaborimin e zhvillimeve të dy mujave të kaluar, kur flasim për aktivitetet, Këshillit Gjyqësor në këtë Raport theksohet se ndryshimet e fundit të Ligjit për Këshillin Gjyqësor, që Parlamenti i miratoi në dhjetor të vitit të kaluar, parapanë publikimin e proceverbaleve të seancave publike në faqen e internetit të Këshillit, si dhe procesverbalet e votimeve dhe zgjedhjeve.
“Në këtë mënyrë u krijua një bazë më e fortë ligjore sa i përketë rritjes së transparencës së Këshillit Gjyqësor. Paralelisht mediave, edhe qytetarëve ju mundësua që të njihen nga afër me detajet e çdo seancë të mbajtur. Mirëpo, për dallim të miratimit të këtyre ndryshimeve, me propozimin e fundi të muajit janar, parashihet shfuqizimi i dispozitave të cilat u votuan një muaj më parë. Vlerësojmë se ky propozim është plotësisht i panevojshëm dhe kontradiktor me vlerësimin e dhënë për gjendjen e transparencës në Këshillin Gjyqësor. Kjo, posaçërisht mund të pasqyrohet me angazhimin dhe përpjekjet e Qeverisë për rritjen aktive të transparencës të institucioneve dhe hapjen e plotë të tyre ndaj qytetarëve”, thuhet në Raportin e fundit të sektorit civil. Krahas vërejtjeve dhe kundërshtimeve për shfuqizimin e dispozitave për transparencën e Këshillit Gjyqësor, pjesë e Raportit të sektorit civil janë edhe disa pika tjetër të propozim-ligjit për këtë Këshill. Qoftë në dispozitat aktuale, por edhe në ato që pritet të miratohen në të ardhmen, sipas Institutit për të drejtat e njeriut dhe Institutit për politikë evropiane, nuk është e precizuar mjaftueshëm procedura për vërtetimin e përgjegjësisë eventuale të anëtarëve të Këshillit. “E nevojshme është që të parashihet mundësia për thirrjet e anëtarëve të Këshilit në një lloj përgjegjësie nga ana e organeve që i kanë zgjedhur (në këtë rast Parlamentit të Maqedonisë), e cila dallon nga përgjegjësia penale eventuale e anëtarëve të Këshilit Gjyqësor”, potencohet në Raport. Pjesë e këtij Raporti janë gjithashtu edhe dispozitat e propozim-ligjit për Akademinë e gjykatësve dhe prokurorëve.
Me qëllim menjanimin e situatave të palakmueshme, të cilat dyshohet se kanë ndodhur viteve të kaluara, me dorëzimin e diplomave false për njohjen e gjuhëve të huaja nga kandidatë, Institutet e apostrofuara propozojnë harmoznimin e Ligjit për Gjykata me Ligjin për Akademinë e gjykatësve dhe prokurorëve, të cilët janë në procedurë parlamentare. Konstatimi i cili përmendet në Raport ka të bëjë me kufizimin e prejardhjes së diplomave (certifikatave) për njohjen e një gjuhe të huaj të Bashkimit Evropian. Përveç këtij kushti, organizatat civile propozojnë që të bëhet kufizimi i testuesve zyrtar për gjuhët e huaja në vendin tonë, ose provimi për njohjen e gjuhëve të bëhet në suaza të provimit pranues për në Akademi. (koha.mk)