Dikush ma zuri për të madhe në kolumnën kushtuar Ali Ahmetit që kisha shkruar se BDI-ja ka fat, por kjo përçarje te Lëvizja Besa, si një shtambë e thyer që nuk ngjitet më, mund të jetë shkaku kryesor i agonisë së opozitës shqiptare. Nuk është, pra, lehtë të jesh sot në krye të ndonjërës nga Besat, ndoshta pak më mirë të jesh Afrim Gashi se Bilall Kasami
Nga Daut DAUTI
Po të kisha pasur ambicie politike, fati që do t’ia kisha dëshiruar vetes si lider i një partie, do të kishte qenë ai i Bilall Kasamit. Të vihesh në krye të një subjekti politik të ri me resurse të mjaftueshme për një fillim dhe të arrish të bëhesh partia e dytë parlamentare në bllokun shqiptar, është një sukses që as optimisti më i madh nuk do të kishte pritur. Madje sukses duke qenë si thonë “ushtrues detyre” kryetar. Nëse nuk gabojmë, kryetarllëku i tij ishte pikërisht i tillë, “kryetar gjer…”(gjer në kongres, gjer në kuvend zgjedhor…), edhe pse ai në momentin kur u vu në krye të Lëvizjes Besa e kuptoi më seriozisht punën se sa një ‘kryetar themelimi’ me karakter të përkohshëm dhe deklaroi publikisht se heq dorë nga profesorllëku.
Por, kjo është e kaluara e cila nuk kthehet. Si shumëçka tjetër nga ecejaket e Lëvizjes Besa, nuk është njësoj as si fillimi, e as si shkëlqimi i saj në zgjedhjet e para parlamentare ku mori pjesë, kur erdhi në gjysmën e deputetëve të BDI-së, ajo sot është një parti si një shtambë me vegë të thyer që nuk ngjitet më. Është moment formaliteti(procedurash gjyqësore) se kujt do t’i takojë Lëvizja Besa, me gjasë të mëdha përfundimisht të mbetet e liderit të ri, Afrim Gashi.
Dy personazhe të reja në politikën shqiptare në Maqedoni të lidhur për një subjekt të ri, janë paradoksi i ekzistencës, për të mos thënë mallkimi (të përdor shprehjen gjithnjë më trendi) i politikëbërjes. Të nisësh me ambicie për ta zbritur “sulltanin” nga froni, pothuajse me një “yrish” si “xhonturqit” e dikurshëm në fund të Perandorisë Osmane(krahasimi s’ka të bëjë me profilin politik të krijuar në opinion, po me ngjashmëri situate) dhe të ngecësh pa mision të kryer, është një frustrim i madh. Aq më tepër, kur ky dështim vjen edhe si rezultat i kalkulimeve dhe strategjive të gabuara të vetë udhëheqjes. Nuk e di saktë cili mund të ketë qenë kreatori kryesor, porse pas dy vjetësh, kohë e mjaftueshme për t’i analizuar gjërat, rezultati është dëshpërues. Të flasësh për një subjekt me ngritje të këtillë në zgjedhjet parlamentare të vitit 2016 sa të bëhet subjekt i dytë dhe për fitore “të plotë” iu deshën vetëm pak më shumë në formën e një bashkëpunimi opozitar shqiptar, dhe të vish në zgjedhjet lokale një vit më vonë dhe të dalësh i treti(sipas numrit të kryetarëve të komunave), doemos që fajin do ta kërkosh te strategjia.
Ka shumë arsye që suksesin e Lëvizjes Besa ta shikojmë si një variant të Lëvizjes Vetëvendosja të Albin Kurtit. Kjo analogji e ka përcjellë veprimin e saj madje jo vetëm nëpërmjet analogjisë, por dhe përafrimet midis subjekteve, qoftë edhe në linja personale, sadoqë identitetet politike në masë të madhe mund të mos jenë gjithaq të përputhshme, përveçse në qëllimin për t’i zbritur nga pushteti ata që duken të pazbritshëm si në Kosovë, si në Maqedoni. Lëvizja Besa shfrytëzoi gjithçka që mund të shfrytëzojë një subjekt i ri, madje dhe fatin që në këtë periudhë kur u shfaq në skenë, kishim një qeverisje të lëkundur nga aferat që nisën t’i dalin në shesh. Nga Besa doemos do të “cakëzohej” subjekti shqiptar(BDI-ja) si bashkëpjesëmarrës në atë qeverisje deri atëherë paprekshme. Në dallim nga VMRO-ja, e cila mbeti e izoluar pas agonisë që e përfshiu nga shpalimet e incizimeve të Zaevit, BDI-ja u ballafaqua me opozitë të re shqiptare, e cila sa harxhonte energji për ta zbritur BDI-në nga pushteti, edhe më shumë për ta penguar njëra tjetrën se kush do të dalë subjekt më i fortë. Akuzat në relacionin Lëvizja Besa – Lëvizja për Reforma e PDSH-së janë të njohura, me dallime të theksuara ideologjike ku theks të veçantë kishte çështja e orientimit politik (kush me orientim kombëtar e kush me atë fetar), ku akuzat e ndërsjella ishin rreth kombëtarisë dhe kriminalitetit. Kësisoj, për shkak të kryeneçësisë rreth çështjes kush kujt duhet t’i bashkëngjitet, kemi rezultatin që kemi, BDI-ja mbeti në pushtet, ato u ngushëlluan me faktorizimin që megjithatë e bënë veç e veç. Të mos harrojmë se goditjen më të fortë Lavizja Besa merrte pikërisht në identitetin e saj, me një emër që lidhej me traditën shqiptare(besa) dhe me bekgraudnin kadrovik e ideologjik fetar(si e para parti me këtë lloj kodifikimi pas demokristianëve shqiptarë të pa zë në Kosovë ose Shqipëri), që e fusnin në ujëra të mohimit nga oponentët. Me kod të fortë kombëtar dhe frymë të re ku etika dhe morali do të ishin pjesë e platformës së saj në një mjedis ku ndjenjat fetare janë po aq të forta sa ato kombëtare), i jepnin Besës shumë shanse në sytë e elektoratit me bindjen se ajo nuk mund të bëhet lehtë pre e djallëzive të pragmatizmit politik.
Kur jemi te Lëvizja Besa dhe liderët e saj gjatë këtij rrugëtimi, doemos duhet të analizohet çështja e (mos)përfshirjes në qeveri. Në dallim nga LR-PDSH-ja e Zijadin Selës e cila u përcaktua qartë për hyrje në qeveri, Lëvizja Besa zgjodhi modelin e përkrahjes së qeverisë në çështjet që paraqesin reforma dhe avancime të të drejtave të shqiptarëve, por pa u përfshirë në Qeveri ku marrin pjesë kuadro të BDI-së “së kriminalizuar”. Me thënë të drejtën, ky qëndrim, në këndvështrimin tim ka qenë një qasje tejet parimore, e cila ka dashur të japë një mesazh te zgjedhësit se kjo parti JO DOMOSDO dëshiron pushtetin, se është ndryshe nga të tjerat, se më shumë i shikon interesat e shoqërisë se ambiciet për të marrë pjesë në pushtet. Si rezultat i kësaj strategjie, Lëvizja Besa ka votuar pro projekteve reformuese të qeverisë së Zaevit, e cila duhet thënë se kishte nevojë për më shumë subjekte brenda saj duke mos pasur shumicë të qëndrueshme. Të qenit me qeverinë reformatore dhe të qenit kundër BDI-së, si duket, duhet të ketë qenë një shkas serioz për të rishqyrtuar pozicionet e veta më vonë, dhe sot e kemi Lëvizjen Besa të Afrim Gashit edhe zyrtarisht pjesë koalicioni. Pas dy vjetësh. Sigurisht se mospërfshirja në qeveri para një viti mund të ketë qenë fatale për kohezionin e partisë, edhe pse në fillim në dukje lente përshtypjen e një monolitizmi tejet të disiplinuar.
Nëse do t’më kishte pyetur për këshillë ndonjë nga udhëheqësit e Lëvizjes Besa, do t’u kisha thënë se TASH për ta është më keq që kanë hyrë në Qeveri. Po të më kishin pyetur në kohën kur krijohej qeveria e re, do ta kisha përkrahur qëndrimin që të mos hynin, sepse atëherë dukej sikur kështu Besës i siguronte një pozicion më të fortë për të ardhmen. Por, gjërat nuk shkojnë përherë ashtu siç mendojnë strategët partiakë, kështuqë edhe unë të isha në rrethana të ndryshme, mund të kisha ndryshuar mendjen. Sepse, te ne gjërat funksionojnë ndryshe. Partitë politike janë edhe grupe interesi dhe këtu shtrohet pyetja çfarë interesi mund të ketë një aktivist partiak që ka vrapuar për t’i sjellë vota partisë, e cila përkrah qeverinë dhe nuk është në qeveri, që do të thotë, përkrah programin e asaj qeverie, ndërkaq vetë nuk realizon interesat për anëtarësinë, që në Maqedoni nuk janë për t’u nënçmuar kur janë në pyetje funksionet publike dhe punësimet. Kjo i ka munguar Lëvizjes Besa duke qenë me qeverinë dhe duke qenë jashtë qeverisë. Tash pse nuk e shoh shumë të dobishme pjesëmarrjen e Besës në qeveri? Ngase ajo pjesëmarrje vazhdon të jetë disi hermafrodite, në qeveri bashkë me Zaevin, e kundër BDI-së. Kjo pastaj do t’i vë kuadrot e veta në pozitë të palakueshme, gjer në disfunksion, për shkak të rivalitetit ose dhe obstruksioneve që mund të vijnë nga eshalonët më të ulët të BDI-së.
Afrim Gashi, si lider i Besës në qeveri, duhet të rikuperojë atë që u lëshua si shans në kohën e Bilall Kasamit. Ndoshta jo me fajin e këtij të dytit, sa si rezultat i një mendimi dominues në udhëheqësinë e atëhershme se ashtu është më mirë. Por, më shumë se pozicionet brenda qeverisë, këta dytë kanë hallin më të madh, atë të ruajtjes së elektoratit. Ashtu siç shumëkush dëshironte ta shohë Lëvizjen Besa si një LVV në Maqedoni, ashtu dhe pothuajse njëkohësisht përjetoi fatin e saj të përçarjes së madhe. Ndarja “xhentëlmene” e deputetëve, 3 për njërin e dy për tjetrin nuk ka rëndësi të madhe, sepse ato janë numra të trashëguar nga një situatë e krijuar pas përçarjes, porse enigma më e madhe është se kjo ndarje a do të reflektohet me atë proporcion edhe në terren apo njëra pjesë e anëtarësisë dhe votuesve do t’i shkojnë tjetrës, apo edhe më keq, do të kthehen atje ku kanë qenë më parë ose do t’i bashkëngjiten Aleancës për Shqiptarët të Selës, e cila e ruajti kompaktësinë.
Dikush ma zuri për të madhe në kolumnën kushtuar Ali Ahmetit që kisha shkruar se BDI-ja ka fat, por kjo përçarje te Lëvizja Besa, si një shtambë e thyer që nuk ngjitet më, mund të jetë shkaku kryesor i agonisë së opozitës shqiptare. Nuk është, pra, lehtë të jesh sot në krye të ndonjërës nga Besat, ndoshta pak më mirë të jesh Afrim Gashi se Bilall Kasami.
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)
P: Të qenit me qeverinë reformatore dhe të qenit kundër BDI-së, si duket, duhet të ketë qenë një shkas serioz për të rishqyrtuar pozicionet e veta më vonë, dhe sot e kemi Lëvizjen Besa të Afrim Gashit edhe zyrtarisht pjesë koalicioni. Sigurisht se mospërfshirja në qeveri para një viti mund të ketë qenë fatale për kohezionin e partisë, edhe pse në fillim në dukej monolite dhe tejet e disiplinuar