Omer XHAFERI
Shkup, 27 gusht – Vitet e fundit janë shtuar veprat penale që kanë të bëjnë e krimin kompjuterik. Sipas të dhënave zyrtare, para pesë viteve janë regjistruar gjithsej 31 vepra penale të kësaj natyre, ndërkohë që në vitin e kaluar numri i tyre është shtuar deri në 74 vepra penale, shkruan gazeta KOHA. Përveç në Maqedoni, vjedhjet on-line, respektivisht zbrazja e llogarive bankare të qytetarëve dhe kompanive është shtuar edhe në nivel botëror. Autoritet policore në raportet ditore përgjatë këtij viti kanë njoftuar se janë regjistruar dhe përndjekur penalisht disa shtetas të Maqedonisë për keqpërdorim të kartelave kreditore. Në këtë drejtim, rasti i fundit të cilin e ka publikuar Ministria e Punëve të Brendshme ka të bëjë me keqpërdorim e kartelës kreditore familjare, gjegjësisht një banor 29 vjeçar i Kumanovës, nga kartelat pagesore e kushëririt të tij tre herë radhazi ka nxjerrë rreth 15 mijë denar. Rasti i ngjashëm kohë më parë është regjistruar edhe nga Policia e Manastirit, sipas të cilëve një çift bashkëshortor pasi kanë siguruar një kartelë debitore, ata përmes një adrese elektronike kanë blerë gardërobë dhe veshje të ndryshme, duke e shfrytëzuar në këtë mënyrë pagesën online. Në pjesën e rekomandimeve se si duhet qytetarët të mbrohen nga keqpërdorimi i kartelave bankare, organizata e sigurisë EUROPOL, apelon që shfrytëzuesit e këtyre kartelave të mbajnë llogari për mos publikimin e të dhënave private gjatë pagesave të ndryshme. “Gjatë pagesës duhet të jeni vigjilent se si zhvillohet shfrytëzimi i saj, në këtë rast duhet të keni raport korrekt me shitësin dhe nga i njëjti duhet të kërkoni që t’ua vërtetojë shumën e paguar. Pastaj duhet të kontrolloni gjendjen momentale të transaksionit, pas kryerjes së pagesës dhe gjendjen e llogarisë momentale. Ndërsa, gjatë pagesës on-line, vlerësojmë se duhet të kontrollohet se vallë transaksionit mos është infektuar me ndonjë virus, gjegjësisht të bëhet riinstalimi i anti virusave”, thuhet në rekomandimet e EUROPOLIT, përcjell KOHA. Avancimi i teknologjisë dhe qasjes më të madhe të rinisë dhe të miturve në këtë drejtim ka ndikuar që krimi kompjuterik t’i përfshijë edhe personat nën moshën 18 vjeçare. Njohësit e sferë së informatikës kur flasin për këtë fenomen, theksojnë se interneti dhe teknologjia e fundit është mjaftë tërheqëse për rininë, me çka sipas tyre jo rrallë herë këta të fundit vendosin që njohuritë e tyre t’i shfrytëzojnë për veprimtari të jashtëligjshme. Në mesin e shumë rasteve të cilët janë regjistruar në vend, mirëpo të cilët kanë lidhshmëri edhe me Perëndimin, është arrestimi i një hakeri nga Shkupi vitin e kaluar në Lubjanë, i cili sipas autoriteteve të SHBA-ve, është përgjegjës për transaksione të shumta jashtëligjore. Në njoftimin zyrtar të lëshuar nga MPB-ja e Sllovenisë, u tha se shtetasi i Maqedonisë, është ekstraduar për në SHBA. Ndryshe, përfaqësuesit e bankave në vendin tonë ju sugjerojnë qytetarëve të kenë kujdes të madh gjatë dhënies së të dhënave personave dhe blerjet on-line, pasi siç thonë ata, qytetarët blerjet duhet t’i bëjnë vetëm nëpër ato adresa ku vlerësojnë se janë të sigurta, gjegjësisht ku nuk mund të keqpërdoren. (koha.mk)