Trotuaret dhe gjelbërimi përskaj rrugëve kryesore në Çair, vite me radhë qëndrojnë të uzurpuara. Si rezultat i këtij kaosi shumë qytetarë nuk mund të qarkullojnë lirshëm. Përmes reagimeve të ndryshme, kryesisht nëpërmjet rrjeteve sociale, ata i bëjnë thirrje Komunës së Çairit, që aksionet për lirimin e hapësirë publike t’i konkretizoj me rrënimin e objekteve të ndërtimit të fortë
Omer XHAFERI
Shkup, 29 korrik – Inspektorati i Komunës së Çairit, kohëve të fundit ka realizuar disa aksione për lirimin e hapësirave publike. Përderisa një pjesë e qytetarëve i kanë mirëpritur këto aktivitete të Komunës së Çairit, një pjesë tjetër kanë shprehur revoltën e tyre, me pretekst se komuna nuk po ndërmerr masa të gjithanshme për largimin e uzurpimeve kryesore. Largimi i rrethojave të drurit dhe atyre të metalit, përfshi edhe rrënimin e një kulmi banesor, janë vetëm një pjesë e aktiviteteve që shërbimet përkatëse të Komunës së Çairit i kanë realizuar javëve të fundit.
MUNGESA E KONTROLLIT INSTITUCIONALE
Edhe pse me territori e vogël, hapësira publike e Çairit si komunë, vite me radhë është keqpërdorur, dëmtuar e uzurpuar në mënyra të ndryshme. Mungesa e kontrollit institucionale dhe tolerimi i organeve komunale në ndërtimin vend e pa vene, paraqet njërën prej shkaqeve kryesore në pjesën e vjetër të Shkupit të mbizotërojë një kaos i vërtet. Nga lagja e Sahat Kullës e deri në Seravë, ose nga Gazi Baba e deri në lagjen e Dyqanxhikut, duke mos i përjashtuar rrugët kryesore dhe bulevardet, mund të vërehen me qindra hapësira dhe parqe të uzurpuara. Gjendja aktuale me kaosin urban në Çair, sipas shumë qytetarëve të vjetër nuk ka ekzistuar çdoherë. Nëse deri në vitin 2005, qytetari shqiptar i Shkupi ka hasur në vështirësi të mëdha për marrjen e lejes për ndërtim apo zgjerim të objekteve përkatëse, kryesisht shtëpive të banimit, ai përgjatë 15 viteve të kaluara, duke u mbështetur në “vullnetin e mirë” të organeve komunale nuk ka përfillur asnjë leje apo urdhër të autoriteteve lokale.
Përveç në brendësi të lagjeve të theksuara, kaosi dhe uzurpimet e hapësirës publike në Çair kanë ndodhur edhe përgjatë bulevardeve (nëse mund të cilësohen si të tilla). Rrugët si ajo e “Cvetan Dimovit” apo “Pllastikave”, përfshi edhe atë të “Xhon Kenedit”, gjegjësisht “Bit Pazarit”, janë pasqyra më reale se në çfarë gjendje jetojnë banorët e kësaj ane të kryeqendrës. Trotuaret e zaptuara dhe dëmtimi i drunjtëve dhe asaj pjesë të vogël të gjelbëruara përgjatë këtyre rrugëve ndër viteve nuk është parandaluar.
AKSIONE KUNDËR UZURPIMEVE
Autoritet e Komunës së Çairit, në një prononcim zyrtar për gazetën KOHA, njoftojnë se aksionet për lirimin e hapësirave publike të uzurpuara do të vazhdojnë tutje , duke theksuar se veprimet e ardhshme do të ndërmerren në bashkëpunim me Qytetin e Shkupit.
“Lidhur me lirimin e hapësirave publike përgjatë bulevardeve të cilat në bazë të ligjit janë kompetencë e Qytetit të Shkupit, ju njoftojmë se jemi në koordinim e sipër me institucionin e lartë përmendura për veprimet e mëtutjeshme. Me iniciativë të Qytetit të Shkupit janë duke u përgatitur ndryshime në Rregullore me çka edhe do të fillohet me lirimin e hapësirave publike nëpër bulevardet e apostrofuara. Pas konsolidimit të Rregullores dhe miratimin e konkluzioneve do të ndërmerren masa të mirë koordinuara edhe për çështjen e lirimit të bulevardeve”, thonë nga Komuna e Çairit.
Kontribut të hatashëm në përkeqësimin e jetesës së banorëve të Çairit, pa dyshim ka dhënë edhe Ligji për legalizimin e objekteve të ndërtuara pa leje. Mosrespektimi i mirëfilltë i dispozitave që burojnë nga ky ligj, qoftë nga organet shtetërore apo vetë qytetarët, ka ndikuar që përveç Çairit, kaosi urban të shtrihet edhe në pjesën qendror të Shkupit. (koha.mk)