Pavarsisht që caktimi i orareve është një nga skemat më të sukseshme në organizimin e pacientëve, unë jam përpjekur t’i pranoj të gjithë ata që vijnë, me orar e pa orar, sepse kush vjen në spital vjen për hall
Nga Arben TARAVARI
Tash më disa vite jam rreshtuar në vijën e parë të shërbimit publik, duke shërbyer pak kohë si ministër i Shëndetësisë e disa vite si kryetar i Komunës së Gostivarit. Profesioni im, ai për të cilin jam diplomuar, të cilin e kam pasion dhe e dua shumë është ai i neurologut. Mirëpo si tregova në kryerreshta, angazhimet si ministër e kryetar komune, më kanë detyruar të mos jem aktiv gjithë kohës si mjek. Rreziku mu duk aq i madh, sa shumë shpejt, vendosa që ta organizoj punën në mënyrë të tillë, që një ditë në javë të shkoja në klinikë dhe të kujdesesha për pacientët me të cilët lidhemi si të ishim familje. Vet natyra e punës bën që të përjetohen emocione të forta. Ata kur vijnë, kanë shqetësime e zakonisht diagnoza jo të lehta, mirëpo sa më e fortë sfida aq më e madhe fitorja e padyshim edhe lidhja që krijohet. Kështu pasi që pacientët kanë një vend të jashtëzakonshëm në jetën time, u bë kohë që e mërkura është dita e vullnetarizmit tim në klinikë. Prej disa shkrimesh kam vendosur të ndaj me ju histori nga njerëzit e zakonshëm por që të gjithë bashkë, janë pushteti më i madh i një vendi.
Nê këtë kuadër, do të flas për një nga të mërkurat e fundit që isha në spital.
Sapo hyja në klinikë dhe pashë një radhë të gjatë njerëzish. Nga ata që prisnin shumë pak ishin me takim të vendosur, pjesa më e madhe si zakonisht kishin ardhur se hallin e kishin urgjent. Pavarsisht që caktimi i orareve është një nga skemat më të sukseshme në organizimin e pacientëve, unë jam përpjekur t’i pranoj të gjithë ata që vijnë, me orar e pa orar, sepse kush vjen në spital vjen për hall.
Kështu duke u përgatitur për një ditë të gjatë, nisa pranimin e pacientëve. Pas një të moshuari maqedonas që kemi kohë që po fitojmë mbi sëmundjen, duhej të hynte pacienti i radhës, mirëpo papritur në sytë e mi u shfaq një djalë jo më shumë se 10 vjeç që mbante në dorë një nga ato kutitë mbushur me facoleta e gjithfarë imtësirash që mbajnë fatkeqsisht disa të mitur. Motra medicinale u fut e shqetësuar dhe bêri ta nxirrte pêrjashta duke kërkuar falje, mirëpo djali i vogël tha- nuk du të shes gjë! Du t’flas me doktorin! Ishte i djersitur dhe merrte frymë me vështirësi jo vetëm nga vrapi që kishte bërë por nga ankthi që i lexohej në çdo lëvizje.
-ke të fala dhe nga një shoku yt, Xhevati, ia ke shëruar kokën që i dhimbte dy herë në muaj!
Me të dhênat e djalit kuptova që duhej të ishte ndonjë migrenë por nuk më kujtohej asnjë Xhevat në mënyrë të veçantë.
– Pse ka ardhur vetëm?- thashë- çfarë miku e kam këtë Xhevatin kur të paska lënë të vish vetëm?!
– Xhevati e di se kam ardhur me gjyshin- ma ktheu djali dhe një dridhje e lehtë iu shfaq në mjekër…po unë erdha vet, se ashtu është puna!
E ndjeva se një fëmij, i ngarkuar emocionalisht, në spital të Shkupit vetëm, nuk ishte një rast për tu nënvlerësuar.
– Me çfarë mund të ndihmoj-pyeta me butësi sepse e kuptova që djali kishte tremë.
– Ma shëro gjyshin-tha- dhe duroi sa duroi por s’mundi, dhe një pikë e madhe loti ra nga syri e tij, duke i pikuar drejt e tek kutia me facoleta, por ai nuk përdori asnjë prej tyre, i fshiu lotët me brryla duke mbajtur me zor dënesën.
– Aaaa nuk bën kshu-i thashë duke i ofruar pak ujë. Ti dukesh edhe djalë i mënçur. A e di se për çdo lot që nxjerrim e shtojmë mërzitjen dhe s’kemi fuqi të kujdesemi as për gjyshin?!
Kur dëgjoi këto fjalë fshiu lotët sikur të ishte zgjuar nga gjumi dhe u çua në këmbë si ndonjë ushtar nën komandë.
-ku i ke prindërit, pse nuk e kanë sjellë ata gjyshin-pyeta duke e normalizuar bisedën.
– nëna është në punë, tani është sezon dhe pastron shumë dhoma kurse baba është…zëri i tij u shua dhe fytyra megjithëse e pjekur nga dielli, iu mbulua me një ngjyrë të kuqe.
– Ku është baba? – pyeta me një zë të qetë e miqësor.
– Në burg doktor-ma ktheu-e kanë fut se vidhte rrymën disa muaj. Baba nuk ka faj. Ai nuk kishte punë, nuk pagonte, na i hoqên rrymën. Dhe baba i zgjati dy tela tek shtylla e lokalit ngjitur. Ata e kuptuan dhe është brenda. Gjyshi vetëm shante kur e burgosën babën, ama tash vetëm qan! Nëna i tha dje motrës së vet në telefon se gjyshi nuk e ka të gjatë, do të vdes!
(Autori është kolumnist i rregullt në Gazetën KOHA)
Të lutem doktor, ti je i famshëm se të kam parë nga televizori, m’jep një hape që e shêron gjyshin nga e qara! Dhe a mund ti blesh ti hapet, ma shkruj borxhin sa e kam, t’i jap në fund të verës. Shes palloma dhe shkrepsa doktor, bëj pare…dhe kështu ky vogëlush që nuk e dinte se ma kishte ndarë zemrên n’dysh, vazhdoi të fliste me rrëmbim dhe me frikën se mos e refuzoja, kurse unë mallkoja me fis e farë këtë fat të tmerrshëm që na kanë rënë mbi supe. Kujtova pushtetarët që flasin për barishte e gjethe, kur një fëmij as 10 vjeç mbante mbi shpatulla një dramë aq të madhe sa kishte gjasa ta shkatërronte.
Kështu atë të mërkurë u bëra dëshmitar i një historie ku një djalë i mitur që në vend që të shijonte verën e nxehtë në ndonjë bazen si moshatarët e tij, punonte! Atë ditë ishte tek unë sepse donte t’ia shëroja gjyshin nga e qara dhe kërkonte para borxh për të blerë ilaçet…kishte ardhur vetëm se baba ishte futur në burg se kishte vjellë rrymën, jo sepse ishte hajdut, por sepse thjesht nuk kishte para ta paguante…
Natyrisht që e ndihmova djalin, por sa ka si ai e më keq madje?!
Shumë…ka shumë…ka aq shumë sa ky vend është kthyer në një vend të trishtë ku fëmijët nuk rriten nga përrallat e gjyshërve por nga lotët e tyre!