Nga Daut DAUTI
Shumë ngjarje të ditëve të fundit janë vërtet sfiduese, sa në aspektin e ndërtimit të opinionit, edhe më tepër në vendimmarrje. Një nga to që na e rrotulloi mendjen është kjo “loja e spiunëve” që nisi në Londër dhe shumë shpejt arriti në Ballkan. Londra hodhi një dyshim, për ta të bazuar, në adresë të Rusisë, për një helmim të dy qytetarëve britanikë me origjinë ruse. Sepse i ngjan peri gëzofit me atë rastin e para disa vjetësh kur ishte helmuar një ish-spiun tjetër rus pikërisht në kryeqendrën britanike. Londra ndërmori hapat e vet, për të dëshmuar se nuk mund të tolerojë t’i punohet prapa shpine pikërisht në oborr të vet. Shembullin britanik e ndoqën edhe disa vende tjera, sa për t’u solidarizuar me aleatin e tyre, aq edhe për të treguar se edhe ato nuk mund të jenë poligon ku të huajt mund të bëjnë ç’të duan. Në këtë kontekst, shih rrushi-rrushin dhe, ja, edhe Shqipëria, Mali Zi e Maqedonia dëbuan diplomatë, për shkak të veprimeve të që cenojnë interesat e vendit. Të paktën, kështu e arsyetoi ministri i jashtëm i Maqedonisë. Shqipëria ka 3 milionë e gjysmë banorë, Maqedonia dy milionë, Mali i Zi tre herë më pak se Maqedonia Në Serbinë më të madhe se këto tri shtete, edhe pse me synime eurointegruese si Shqipëria e Kosova, sentimentet janë krejtësisht tjera, por dhe është diç më e madhe se tre fqinjët tjerë. Atje nuk ka dëbim, sepse ka biseda të drejtpërdrejta telefonike Beograd-Moskë. Kryeministri i Kosovës, Haradinaj, para tri netësh, i pyetur se a do të ketë “personan non-grata” edhe në Kosovë, u përgjigj pa shumë diplomaci por me shumë domethënie: “Në këtë moment nuk mund të them asgjë”.
Lojërat “planetare” për ndikim i luajnë superfuqitë, por, siç thotë populli, ata hanë kumbullat e tharta, neve na mpihen dhëmbët. Çdo shtet zë një pikë të vogël në hartën gjeostrategjike, tepër të luhatshme për erërat që fryjnë. Vendet e vogla do të donin me shumë qejf të ishin diku “në mes”, por fjalët e ish-ambasadorit shqiptar në Shkup, Arben Çejku se vendet e vogla nuk e kanë komoditetin e neutralitetit, janë shumë domethënëse. Duket se vendet ballkanike që u përfshinë në “lojën e spiunëve” e kanë lehtë që të marrin vendim, sepse mund të qëndrojë argumenti se ato kanë një përcaktim të vetin pro-perëndimor dhe se në një lloj “dueli titanësh”, e dinë në cilën anë janë.
Por, nëse analizohen disa përvoja të mëhershme, luhatja midis parimit dhe interesit(kombëtar) nuk është punë e lehtë. Bie fjala, dëbimi i gjashtë qytetarëve turkë me kërkesë të Turqisë nga Kosova, si “gylenistë”, është sprovë tepër e diskutueshme, sepse nëse “Kosova është me Amerikën, si aleat strategjik” për perspektivën e vet, ndërkohë që Amerika nuk e ka plotësuar kërkesën e Turqisë, atëherë Kosova ka ndërmarrë një hap që nuk mund të ketë jehonë pozitive pikërisht te aleati i vet më i madh. Simbolika e marrëdhënieve me Turqinë është shumë domethënëse. Kosova ka aleate Turqinë, e cila ka raporte momentale tejet të çuditshme me SHBA-në dhe marrëdhënie specifike me Rusinë, e cila në Ballkan ka aleat Serbinë, vendin më problematik për ardhmërinë e Kosovës. Pastaj, një kërkesë të këtillë të Turqisë me dyshime për “gylenizëm” pakkush e ka përmbushur, (Turqia i kërkoi Gruevskit t’i mbyllë shkollat private si të dyshuara për lidhje me Fetullah Gylenin, por ai e evitoi me elegancë). Përveç se autoritet kosovare lejojnë që në territorin e saj sovran të përkthehet një përplasje e brendshme politike e një shteti tjetër, ajo njëkohësisht vë në pikëpyetje edhe ekzistencën e institucionit arsimor që ka pasur licencë (e ku kanë mësuar edhe fëmijët e udhëheqësve më të lartë!), rrezikojnë ardhmërinë e gjeneratave që mësojnë në atë institucion ku kanë udhëhequr qytetarët e përmendur turk, duke shkaktuar kështu edhe problem të brendshëm praktik.
Kosova kështu u gjet në një situatë groteske si në atë barsoletën e famshme “a je për Titën, a për Stalinin”. (Kështu në një mbledhje të partisë e kishin pyetur njërin dhe kur ai kishte thënë “për Stalinin”, sepse gjer atëherë e kishte ditur më të madh se Tita, e han burgun, sepse Tita sapo i kishte prishur punët me Stalinin. Ky i gjorë kur del prej burgu, hynë në ëmbëltore dhe kërkon bakllava, dhe i pyetur “çfarë bakllave, greke apo turke?”, i kujtohet burgu dhe nga frika, heq dorë nga bakllavaja, duke thënë “ma jep një kler, kush han bakllava”!(sipas skeçit të humoristëve të K-15). Llogaria është e lartë, për autoritetin e vet si shtet, për fatin e njerëzve të cilët i lëshoi drejt në një gjykim të supozuar politik, dhe u gjet në sandviç midis dy aleatëve!
Politika është interes, ka thënë shumëkush dhe këtë e kishte përsëritur edhe prof.Denko Maleski, nëse nuk gaboj, në rastin kur administrata e kryetarit Xhorxh Bush, i kërkonte Maqedonisë, Shqipërisë dhe shumë vendeve tjera, që të vihen prapa SHBA-ve që Gjyqi ndërkombëtar për krime lufte të mos vlejë për qytetarët amerikanë, sepse ata do t’i gjykonin gjyqet amerikane! Sigurisht se na kujtohet që atë gjyq e kishte përkrahur administrata e pararendësit të tij, Bill Klintonit (mik i shqiptarëve), porse Bushi(poashtu mik) kishte qasje tjetërfare, e cila duhet thënë se kështu i dha goditje një sistemi vlerash universale, asaj të drejtësisë së barabartë për të gjithë. A duhet heshtur se ky ishte një gabim i madh, një precedencë që shkel në parime. A duhet heshtur dështimin më të madh të administratës po të Bushit me intervenimin në Irak me pretekst të posedimit të armëve kimike, të cilat nuk u gjetën kurrë, ndërkohë që Iraku, ndonëse i liruar nga një diktator, u bë shtet jofunksional ku sundon anarkia, me pasoja më të rënda se durimi i një diktatori! Ose, prapë në rastin e Turqisë, a mund që shqiptarët që jetojnë në shtetet e tyre, t’i përjetojnë dhe t’i reflektojnë përplasjet e brendshme të Turqisë në kurrizin e vet? Dhe në emocionet e tyre, sa të ndahen mes vete si “erdoganistë” e “gylenistë”, dhe të rrihen duke falur xhumanë nëpër xhamitë e Shkupit?!
Përpëlitja midis parimit dhe interesit, është një sfidë e rëndë dhe do shumë maturi si në vendimmarrjen e autoritete të shteteve, por dhe një sfidë profesionale e gazetarëve dhe intelektualëve, si kreator të mendimit publik dhe korrektor të politikave të establishmentit. Shpesh kur shkruajmë ndeshemi me dilemën “ta them ose mos ta them?”. Por nga ç’u tha më lartë, kur shkruan përballesh me një tjetër lloj dileme: a ta thuash të vërtetën nëse ajo bie ndesh me interesat madhore? Çështje hamletiane, apo jo? E kam të dashur mësuesin tim, por më e dashur më është e vërteta, ka pas thënë Aristoteli për mësuesin e tij, Platonin dhe nga ky këndvështrim, nuk duhet të ketë aspak dilemë. Por, konflikti midis njërës (të vërtetës) dhe tjetrës (e vërteta që cenon interesin madhor) s’është aspak lehtë për ta përballuar. Një nga mënyrat për ta tejkaluar këtë sfidë është që të ikësh nga tema dhe të shkruash për ekologji! Atje nuk ka konstelacione politike të ditës, nuk ka konflikt midis parimit dhe interesit madhor, te çështjet e mjedisit gjithçka është madhore, apo jo?!
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)