Largohemi nga ky çift tetovar duke i lënë të jetojnë në kushte mizore. Të dy i tradhtojnë lotët kur kërkojnë ndihmë, sepse siç thonë ata, edhe gjërat elementare u mungojnë, nuk kanë se çka të hanë. Të gjithë të interesuarit për ndihmë mund të lajmërohen në numrin e telefonit 075 479 000
Urim HASIPI
Tetovë, 20 qershor – Sami dhe Magbule Ramadani. Ai 76 vjeçar, kurse ajo 52 vjeçare. Që të dy jetojnë në një dhomë me qira në një lagje të Tetovës. Ai vuan nga bronkiti dhe nuk mund të ecë. Ka humbur në peshë dhe mezi mbijeton. Në dhomën ku jetojnë këta dy tetovarë, mund të shohësh dhjetëra paketime të barnave të ndryshme, shkruan gazeta KOHA. Krahas barnave, pensionin e shfrytëzojnë edhe për të paguar qiranë. Në gjendje të rëndë, pa përkujdesje, thonë se mezi mbijetojnë. Kanë nevojë për ndihmë të çfarëdollojshme. Me vite të tëra, ish-postieri Sami Ramadani ka mbetur në shtrat dhe nuk mund të lëvizë. “Që shtatë vite jetojmë në këtë dhomë. Asgjë nuk kemi vendosur apo blerë, gjithçka është prej pronarit të shtëpisë. Jam me bronkit, kam patur mbi 70 kilogramë, sot nuk kam as 50 kilogramë prej sëmundjes. Ç’të blej përpara me pensionin, gjithçka është shtrenjtuar. Një herë në ditë konsumojmë ushqim edhe atë çka ka mbetur. Paguajmë qiranë mbi 5000 denarë, barnat janë plot dhe nuk mbetet asgjë për ushqim”, thotë Samiu, duke sqaruar se nuk lëviz nga shtrati një kohë të gjatë.
Ai rikujton ditët kur ishte postier në Tetovë dhe sqaron se ishte mësuar tërë kohës të jetë në lëvizje, kurse sot nuk mund të lëviz. “Unë tërë jetën kam qenë në lëvizje, kam ecur shumë gjatë tërë ditës. Prej kur jam sëmurë, nuk dal jashtë prej kësaj dhome. Edhe kur dal deri në banjë, me dërgon bashkëshortja për krahu dhe mbahem me shkop. Vetë nuk mund të shkoj, nuk më mbajnë këmbët. Kam harruar se si është të dilet jashtë në qytet, aty ku kam kaluar jetën time. Sot nuk më mbajnë këmbët për asgjë”, shprehet ai.
Krahas mungesës së gjërave elementare, ata kanë nevojë për një dhomë normale të tyren që të mos paguajnë qiranë. Edhe bashkëshortja e tij, Magbulja, ka kryer disa operacione. Ajo kërkon ndihmë nga të gjithë ata që kanë mundësi tu ndihmojnë. “Nuk mundemi të mbijetojmë me një pension dhe me një ndihmë që marr, sepse nuk dëgjoj me veshin e majtë. Por e tërë kjo nuk na mjafton as për dy javë vetëm për ushqim. Kemi qira të lartë, kërkojmë një dhomë ku do të jetojmë normalisht. Nuk kemi se kush të përkujdeset për ne. Kemi mbetur të dy. Burri është në gjendje të rëndë, i sëmurë, unë kërkoj lëmoshë në rrugë. Kush ka mundësi kërkojmë që ta ndihmojë me gjithçka mundet”, thotë Magbulja.
Largohemi nga ky çift tetovar duke i lënë të jetojnë në kushte mizore. Të dy i tradhtojnë lotët kur kërkojnë ndihmë sepse sipas tyre edhe gjëja elementare u mungon, nuk kanë se çka të vendosin në tryezë për ushqim. “Frigoriferi është pa asnjë ushqim. Nuk na ka ndihmuar askush me asgjë. Të dy të sëmurë, prandaj edhe kërkojmë që të gjithë ata që kanë mundësi, të na ndihmojnë qoftë me ushqime, qoftë me diçka tjetër që të kemi edhe me çka të ushqehemi”, thotë për KOHA, Magbule Ramadani.
Të dy jetojnë në dhomën ku aty ushqehen dhe e shfrytëzojnë për fjetje, pa ndonjë rregullim normal të saj. Ata kalojnë jetën në një shtëpi me tri kate, dhe jetojnë në katin më të lartë, që edhe më shumë e vështirëson jetën e Sami Ramadanit që të del poshtë, prandaj tërë ditën qëndron në dhomë i mbyllur duke pritur se dikush do t`i ndihmojë për të përballuar. Të gjithë të interesuarit për ndihmë mund të lajmërohen në numrin e telefonit 075 479 000. (koha.mk)