Shkup, 27 janar – Dialogu dypalësh për siguri dhe shëndet gjatë punës mes sindikatave dhe punëtorëve në Maqedoni nuk është mjaft i zhvilluar dhe nevojitet intensifikim, sepse një numër i madh i çështjeve lidhur me sigurinë dhe mbrojtjen e vendit të punës zgjidhen në nivelin e kompanive. Kryetari i Shoqatës për mbrojtje në punë, Milan Petkovski, konsideron se më me rëndësi është të ndërtohet kulturë për veprim preventiv, gjegjësisht të kuptohet se punëtori i frytshëm është përfitim për çdo kompani. “Problemet që shkaktohen me lëndimin e njerëzve në vendin e punës nuk do t’i zgjedhim në qoftë se ne nuk fillojmë nga vetja dhe nuk e ndërrojmë kulturën e veprimit preventiv. Kur bëhet fjalë për punëdhënësit, ata duhet të kuptojnë se vendet e sigurta për punë janë në favor të tyre, sepse kur një punëtor do të lëndohet, është në dëm të tyre. Punëtori i mbrojtur dhe i shëndoshë ka përvojë dhe prirje dhe relativisht për një kohë të shkurtër të bëjë produkt më të mirë, ndërsa kur do të sjellim një punëtor të ri, i cili duhet të zëvendësojë atë i cili është lënduar, i duhet më shumë kohë të kyçet në procesin e punës”, thekson Petkovski.
Sipas kryetarit të Organizatës së punëdhënësve të Maqedonisë, Angel Dimitrov, me rëndësi është të rritet roli i personave përgjegjës për sigurinë dhe shëndetin në punë brenda kompanive, sepse ata janë drejtpërdrejtë të njoftuar për të gjitha rreziqet gjatë shfaqjes së aksidenteve në vendin e punës. “Nuk besoj se kompanitë në Maqedoni nuk i kanë plotësuar detyrimet ligjore në lidhje me Ligjin për sigurinë dhe shëndetin në punë sa i përket përgatitjeve për vlerësimin e rrezikut, ekzaminimet ligjore të punëtorëve, trajnimet për shëndet dhe siguri gjatë punës, por për fat të keq realizimi i ligjit kërkon zbatimin e tij në nivel të punës, në sallat e fabrikës, në ndërtimtari dhe në fushat ku kemi numër të madh të aksidenteve. Më rëndësi është të shohim si të rrisim rolin dhe rëndësinë e ekspertëve në kompanitë dhe përfaqësimit të punëtorëve, sepse ato për çdo ditë janë në kontakt me të gjitha rreziqet nga shfaqja e aksidenteve”, thekson Dimitrov. Ai konsideron se nëse kjo nuk realizohet, atëherë Ligji për siguri dhe shëndet gjatë punës nuk mund t’i jep rezultatet e pritura. Edhe për kryetarin e Federatës së Sindikatave të Maqedonisë, Zhivko Mitrevski, me rëndësi është veprimi i përbashkët i partnerëve shoqëror për të mundësuar vende pune të sigurta për punëtorët dhe të ulet numri i aksidenteve në vendin e punës.
“Asgjë nuk mund të realizohet dhe të plotësohet nëse të gjithë bashkë nuk përqendrohen në zbatimin e ligjit. Vetëm përmes bashkëpunimit të të gjithë partnerëve shoqëror mund të krijojmë atmosferë që të nxitet siguria dhe shëndeti gjatë punës”, thekson Mitrevski. Ligji për siguri dhe shëndet gjatë punës është sjellë në vitin 2007, ndërsa me ndryshimet e tij është përforcuar roli i kryetarit të sindikatës, i cili së paku dy herë në vit duhet të bëjë kontrolle në vendin e punës dhe të jetë i informuar për të gjitha llojet e lëndimeve në vendin e punës.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.