Natyra jonë njerëzore nuk është e përgatitur plotësisht të përballet me izolimin dhe pezullimin e marrëdhënieve sociale, pasi jemi mësuar që çdo vështirësi, apo patologji ta kalojmë falë socializimit. Ekspertët bëjnë thirrje që të mbështesim një tjetrin në këto ditë të vështira
Zenel MIFTARI
Shkup, 21 mars – Izolimi në shtëpi, mbyllja e shkollave, distancimi social, ndalimi i punës së kafeterive e çajtoreve, mbyllja e kufijve tokësor dhe aeroporteve, janë vetëm disa prej masave që ka marr vendi ynë për ta parandaluar përhapjen e virusit Covid-19. Numri i të infektuarve ka arritur afër 40, kurse deri më tani në vendin tonë është shëruar vetëm një dhe ende nuk është regjistruar asnjë vdekje. Ndërkohë disa shtete tani më kanë marrë masa që t’i ndihmojnë financiarisht të prekurit me virusin korona dhe të përballen më lehtë me pasojat që mund t’i shkaktoj ky virus.
Prej ditës që kemi hyrë në krizë shëndetësore, institucionet shtetërore po ndërmarrin masa të ndryshme parandaluese deri te shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme dhe të gjitha këto ndikojnë në jetën përditshme të njerëzve, të cilët nuk janë mësuar me këtë regjim më të reduktuar të jetesës. Kjo ka ndikuar që në shtresat e ndryshme të qytetarëve të përhapet njëfarë pasigurie dhe paniku. Për pasojë nuk po mungojnë kolonat e gjata nëpër shitore, teksa po i zbrazin raftet me artikuj ushqimorë. Kalimi nga një jetë dinamike me lëvizje e jetë të shkujdesur sociale, në një izolim të përnjëhershëm, do të ndikojë në shëndetin e tyre fizik dhe mendor. Psikoterapeutia Dora Popova Uzinopvski, për gazetën KOHA, është shprehur se gjendja e jashtëzakonshme dhe izolomi ndikon te secili ndryshe.
“Te ndonjëri do të ndikoj pozitivisht sepse do t’i përmirësojnë lidhjet e tyre me më të dashurit që i kanë për rreth. Ndërkaq për një pjesë tjetër të cilët kanë tendencë të jenë në depresion kjo gjendje do ta rëndojë edhe më shumë situatën e tyre. Izolimi ndonjëherë është pozitiv, për arsyeje që njerëzit mund të kalojnë më shumë kohë me vetën e tyre, ta njohin vetën dhe ta njohë më shumë interesin e tij personal. Gjithashtu është rast i mirë për ta zhvilluar ndonjë aftësi të re, siç është kuzhina psh. si dhe të ketë më shumë harmoni në familje, të luhen loja të ndryshme që shtojnë dashurinë në familje. Është e rëndësishme gjithashtu edhe dëgjimi i muzikës së mirë dhe vallëzimi i cili shton hormonin e lumturisë”, ka thënë ajo. Gjithashtu ajo ka folur edhe për blerjen me masë të madhe të mjeteve ushqimore nga qytetarët.
Sipas saj ky është sinjal se te shumica mbizotëron një pasion i madh ekzistencial, që është i paarsyeshëm. Ajo u rekomandon qytetarëve të pyesin vetën e tyre më thellë se nga buron kjo frikë. Nëse dikush e ka shumë të vështirë të përballet me këtë situatë, ajo preferon që të kërkohet ndihmë te cilido psikolog apo psikoterapeute Natyra jonë njerëzore nuk është e përgatitur plotësisht të përballet me izolimin dhe pezullimin e marrëdhënieve sociale, pasi jemi mësuar që çdo vështirësi, apo patologji ta kalojmë falë socializimit. Ekspertët bëjnë thirrje që të mbështesim një tjetrin në këto ditë të vështira. (koha.mk)