Të martën takim Zaev-Micotakis në Nju-Jork

Athinë, 21 shtator – Në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të KB-së në Nju-Jork, të martën, më 24 shtator, është paraparë takim i Zoran Zaevit me Kirjakos Micotakisin, sipas burimeve greke. Ky do të jetë takim i parë i kryeministrave të të dyja vendeve, pasi pas zgjedhjeve në Greqi në fillim të korrikut të këtij viti, kishte ndryshim të pushtetit te fqinji jugor.

Kirjakos Micotakis nesër shkon në Nju-Jork, ku do të marrë pjesë në Asamblenë e 74-t të Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, ndërsa përveç se me kryeministrin Zaev, sipas informacioneve nga Athina, është paraparë që të realizojë takime bilaterale edhe me presidentin e SHBA-së, Donald Tramp dhe me kryeministrin turk Rexhep Taip Erdogan, si dhe me presidentët e Serbisë, Kosovës, Qipros, Gjeorgjisë dhe Kolumbisë dhe me kryeministrat e Shqipërisë, Australisë, Indisë dhe Armenisë, por edhe me sekretarin e përgjithshëm të KB-së.

Të premten më 27 shtator kryeministri grek do të ketë fjalim në Asamblenë e Përgjithshme të KB-së. Në delegacionin grek të cilin e kryeson kryeministri i vendit, janë edhe ministri i Punëve të Jashtme Nikos Dendias, zëvendësministri dhe zëdhënës qeveritar Stelios Pecas, zëvendësi i MPJ-së përgjegjës për Diplomaci Ekonomike, Kostas Farnkojanis dhe zëvendësi i MPJ-së për Diasporën, Andonis Diamataris. (koha.mk)