Gjatë këtij viti janë regjistruar 662 denoncime, prej të cilave 353 kanë të bëjnë me gjuhën e urrejtjes në bazë të përkatësisë etnike, që njëkohësisht paraqet rritje për rreth 280% në krahasim me vitin e kaluar. Gjithashtu, thuhet në reagimin e Komitetit të Helsinkit, gjatë periudhës së kaluar në platformën “Krime nga urrejtja 2” janë regjistruar 4 incidente që kanë ndodhur para dhe gjatë ndeshjeve sportive që përfshijnë elemente të veprave nga urrejtja me ngjyrime etnike
Shkup, 21 shtator – Të marrë fund dhuna e shkaktuar nga grupet e tifozëve është porosia e Komitetit të Helsinkit sa i përket incidenteve të shkaktuara si pasojë e gjuhës së urrejtës nga ana grupeve të tifozëve. “Të dyja incidentet për një javë, të shkaktuara nga grupi i tifozëve në Shkup, janë më të freskëtat në mesin e dëshmive të shumta se më nuk guxon të injorohet nevoja për përballje të vërtetë, e jo vetëm me deklarata me këtë fenomen destruktiv”, thuhet në kumtesën e tyre. Komiteti i Helsinkit që prej para disa viteve reagoi për incidentet e shkaktuara nga grupet e tifozëve, e ndjek gjuhën e urrejtjes që del nga radhët e tyre dhe i numëron viktimat nga dhuna, që është pasojë e pashmangshme e sasisë së madhe të urrejtjes së mbjellë në stadiume, rrugë, shesh, media, etj.
“Për ngjarjet e fundit reaguam duke ngritur padi në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Sektorin për Krim Kompjuterik dhe Forenzikë Digjitale. Komiteti i Helsinkit në vazhdimësi kërkon reagim adekuat nga ana e institucioneve kompetente, veçanërisht nga Prokuroria Themelore Publike. Gjithashtu, në reagimet e tij Komiteti i inkurajon viktimat që t’i denoncojnë incidentet e tilla nga urrejtja”, theksojnë nga atje. Sipas tyre, që nga shpallja e pandemisë globale shëndetësore të Kovid-19 dhe shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme në shtet, numri i denoncimeve të gjuhës së urrejtjes u rrit në mënyrë drastike, veçanërisht gjuha e urrejtjes në bazë të përkatësisë etnike.
Në vitin 2019, në periudhën prej 16 marsit deri më 20 shtator, Komiteti i Helsinkit ka regjistruar gjithsej 379 denoncime në lidhje me gjuhën e urrejtjes, prej të cilave 130 denoncime për gjuhë të urrejtjes në bazë të përkatësisë etnike. Për krahasim, gjatë këtij viti brenda periudhës së njëjtë kohore, janë regjistruar 662 denoncime, prej të cilave 353 kanë të bëjnë me gjuhën e urrejtjes në bazë të përkatësisë etnike, që njëkohësisht paraqet rritje për rreth 280% në krahasim me vitin e kaluar. Gjithashtu, gjatë periudhës së kaluar në platformën “Krime nga urrejtja 2” janë regjistruar 4 incidente që kanë ndodhur para dhe gjatë ndeshjeve sportive që përfshijnë elemente të veprave nga urrejtja me ngjyrime etnike. Të gjitha incidentet janë regjistruar si shkelje në pajtim me Ligjin për parandalim të dhunës dhe sjelljes së pahijshme në garat sportive, edhe pse kanë elemente të veprave nga urrejtja që janë shkaktuar nga paragjykime në bazë të përkatësisë etnike. Komiteti i Helsinkit fton Ministrinë e punëve të brendshme dhe Prokurorinë publike themelore të kenë parasysh motivin e këtyre incidenteve dhe në mënyrë përkatëse të veprojnë në pajtim me Kodin penal.
“Sidoqoftë, thirrjet, paralajmërimet dhe dënimet rezultuan të pamjaftueshme. Veprimet e këtyre grupeve ndonjëherë shkaktojnë dëm të pariparueshëm për njerëz të veçantë, por funksioni i tyre destabilizues për komunitetin e gjerë duhet të bëhet subjekt i veprimit real dhe të plotë. Ai veprim duhet të drejtohet nga institucionet dhe të mbështetet nga të gjitha faktorët e tjerë në vend – partitë politike, shoqëria civile, atletët, federatat e sporteve, sponsorët, etj. Dihet që përhapja e urrejtjes dhe dhunës në dekadat e kaluara është bërë një shenjë tradicionale, në mos e vetmja e grupeve të tifozëve në vend. Por traditat që mbushin rubrikat e kronikës së zezë duhet të ndalen. Një shoqëri e lirë dhe multietnike duhet të luftojë me dhunën e organizuar dhe instrumentalizimin e saj për qëllime politike. Tifozët duhet të ndalojnë njëherë e përgjithmonë të jenë aktorë në spektakle të dizajnuara për të polarizuar shoqërinë”.
Kjo, thuhet më tej në komunikatë, është arsyeja pse ne besojmë se është koha për tu ballafaquar thelbësisht me këtë problem, dhe, përveç sanksionimit të ashpër të gjuhës dhe akteve të urrejtjes, masa të tjera do të zbatohen nga vendet që kanë zgjidhje pozitive në këtë fushë. “Shumë grupe tifozësh huligan në të gjithë Evropën sot janë një pjesë konstruktive e komunitetit dhe kanë zëvendësuar dhunën dhe inatin me aktivitete humanitare dhe mbështetje për kauza pozitive. Për të qenë në gjendje të lëvizim si në këto shembuj, është thelbësore që institucionet të zbatojnë ligjin pa dallim, në mënyrë rigoroze dhe të qëndrueshme. E një rëndësie të njëjtë është edhe puna e drejtpërdrejtë me anëtarët e grupeve të tifozëve, zgjidhja e konflikteve në një mënyrë jo të dhunshme dhe paqësore dhe dhënia e një nxitje për të rimenduar ekzistencën e tyre në një drejtim konstruktiv. Dhe më e rëndësishmja, vullneti politik është i nevojshëm për të kryer një proces të tillë, i cili do të nënkuptojë mbylljen e një gjeneratori të madh të urrejtjes në shoqëri, i cili do të ketë efekte pozitive afatgjata për të gjithë qytetarët në vend dhe stabilitetin e tij”.