Një vit pas është vështirë tu thuash njerëzve duroni edhe pak, respektoni masat, mirëpo armiku i padukshëm po na alarmon edhe në Maqedoninë e Veriut se unë jam këtu, dhe po shkaktoj dëm. Po na mban leksione e mësime se sa është e vlefshme jeta, se sa duhet të çmojmë vetveten, njerëzit përreth nesh, por edhe mjekët dhe personelin mjekësor
Nga Fisnik PASHOLLI
Një vit pas përhapjes së madhe të pandemisë së koronavirusit në tërë botën, por edhe në vendin tonë, nga njëra anë kemi mosbesimin e njerëzve ndaj sëmundjes dhe bindjen se ajo nuk mund të na bën asgjë, se nuk ekziston, dyshues ndaj vaksinave dhe nga ana tjetër kemi edhe respektimin më të madh të masave për parandalimin e saj dhe pritjen që vaksinimi të kthejë ngadalë normalitetin e viteve të mëparshme. Kemi edhe lodhjen dhe nervozizmin në rritje për respektimin e masave parandaluese si mbajtja e maskës, apo grumbullimit më të madh të njerëzve, baraspeshës dhe dilemave të vështira midis masave që kufizojnë lëvizjen dhe mbajtjes gjallë së ekonomisë, të ngadalësimit të kontakteve sociale të popullatës, shëtitjeve pa kokëçarje të njerëzve, apo thjesht lëvizjes pa kufizime që në fakt është edhe thelbi dhe bazamenti i një qarkullimi në ekonomi, i shitblerjeve nga gjërat më të vogla deri ato më të mëdha. Vazhdojnë edhe mëdyshjet për mbajtjen nën kontroll nga njëra anë të pandemisë dhe funksionimit edhe pse me vështirësi të sistemit shëndetësor dhe frymëmarrjes me vështirësi të ekonomisë dhe biznesit.
Të rritjes së kërkesave për ndihmë të popullatës dhe biznesit, rritjes së borxhit të shtetit dhe vështirësive që të plotësohen kërkesat dhe nevojat e tilla.
Një vit pas, është vështirë akoma të praktikojmë disiplinën e jetesës konform këshillave të mjekëve për parandalimin e saj, për shkak se më nuk bëhet fjalë për një dy apo tre muaj, por po bëhet fjalë për më shumë se një vit të jetesës me një regjim të bezdisshëm që ka mërzitur popullatën, por që po shpëton jetë. Kemi edhe revoltë, inate, mëri dhe padurim ndaj kësaj gjendje, dhe sjellje të papërgjegjshme që po zgjeron aktualisht, dhe jo ngadalëson rritjen e pandemisë.
Bile edhe në shtetin fqinj të Serbisë që është i pari në rajon për vaksinim dhe ndër të parët në botë, kemi rritje të madhe të sëmurëve, mbi ngarkim të sistemit shëndetësor dhe mbyllje dhe për kufizime të pjesshme të ekonomisë dhe lëvizjes së njerëzve, si rrjedhojë e rritjes së serishme të numrit e të infektuarve.
Një vit pas , është vështirë tu thuash njerëzve duroni edhe pak, respektoni masat, mirëpo armiku i padukshëm po na alarmon edhe në Maqedoninë e Veriut se unë jam këtu, dhe po shkaktoj dëm. Po na mban leksione e mësime se sa është e vlefshme jeta, se sa duhet të çmojmë vetveten, njerëzit përreth nesh, por edhe mjekët dhe personelin mjekësor, arsimin dhe mësuesit e arsimtarët…
Të gjithë jemi të vetëdijshëm se asgjë më nuk do të jetë si më parë, si dikur ku pa brenga dhe frikë shoqëroheshim në kafene apo çajtore, në ahengje familjare , shëtisnim dhe udhëtonim të lirë në vend dhe jashtë, shkonim për mysafirë në perëndim… Deri në një normalitet të ri, që patjetër se do të vijë , më herët apo më vonë , deri në fund të këtij viti, apo në vitin 2022.
Një vit pas, pamë se masat e miratuara kanë shpëtuar jeta e një numri të madh të njerëzve, dhe është ruajtur shëndeti i popullatës me aq sa ka mundësi një sistem shëndetësor si ky i joni, ku me dekada nuk është mbajtur kujdes i mjaftueshëm për nevojat e popullatës për profile të mjekëve si pediatër, gjinekolog, anesteziolog, oftalmolog, ku nuk është investuar mjaftueshëm dhe jo vetëm… Ku pak i kushtojmë kujdes parandalimit të sëmundjeve, por edhe ku për dallim për shembull prej në Sllovenie ku edhe për një vizitë të fëmijës tek pediatri duhet të presësh shumë më shumë se tek ne, apo tek ne ka mundësi shumë më shpejtë të vish deri tek shërbimet e një mjeku specialist se në Slloveni, apo prej një Serbie ku akoma mungon sistemi termini im, dhe shumë më lehtë tek ne ke qasje ndaj shërbimet e ndryshme mjekësore…
Një vit pas , u përkujtuam se në Ballkanin perëndimor, akoma një pjesë e caktuar e popullatës, është mosbesuese dhe dyshuese ndaj shtetit, dhe angazhimeve të tij. Ndoshta si një trashëgimi e një pushtimi 500 vjeçar otoman, një sistemi mbi 50 vjet as mish as peshk komunist, që ishte pjesërisht i lirë, dhe kishe pasaportë për të udhëtuar jashtë, por kishe edhe një ngurtësi, ngulfatje…
Në 30 vitet e kaluara , akoma kujtojmë brishtësitë e demokracive në Ballkan, nevojën për një konsolidim të mëtejshëm të shteteve në aspektin demokratik, dhe fuqizimin dhe stabilizimin e mëtejshëm të institucioneve që do të veprojnë të pavarura deri në fund përkundër partive politike. Çelësi i një ekonomie me prosperitet dhe të zhvilluar, bizneseve që lulëzojnë, është tek stabiliteti më i madh i institucioneve. Në kohë pandemie dhe pas saj, këto tema vetëm se do të fitojnë në intensitet për debat, dhe do të spikasin në opinionet e shteteve në zhvillim, por edhe atyre që po ecin rrugës drejt integrimeve të plota euroatlantike. (koha.mk)