Lëvizja për të Drejtat e Njeriut dhe Drejtësi (iHAK) ka bërë “thirrje urgjente” për lirimin e 16 vjeçarit palestinez Fevzi al-Xhunejdi, i cili u fotografua duke u arrestuar në mënyrë brutale dhe me sy të lidhur nga ana e ushtarëve izraelitë gjatë protestave të fundit kundër vendimit të qeverisë amerikane për njohjen e Kudsit si kryeqytet të Izraelit. Në një deklaratë me shkrim nga iHAK, shoqatë turke, rikujtohet dhuna e fundit izraelite ndaj palestinezëve dhe arrestimi i të riut al Xhunejdi, fotografitë e të cilit bënë xhiron e botës dhe i cili u shndërrua në simbol të Kudsit. “Më 7 dhjetor 2017, një grup njësitesh ushtarake izraelite plotësisht të armatosura në qytetin Al-Halil sulmuan Fevzi al Xhunejdin, një 16-vjeçar i cili po kalonte nëpër rrugë, dhe filluan ta rrihnin”, thuhet në deklaratë. Siç theksohet nga shoqata, Fevzi al-Xhunejdi është një fëmijë i cili u rrah mizorisht nga një numër i madh ushtarësh izraelitë në mënyrë të përsëritur në tokë dhe u shkel, ndërsa më pas iu lidhën sytë dhe u çua fillimisht në një postbllok ushtarak dhe më pas në burgun e Oferit në Izrael. Ngjarja u fotografua nga agjencitë e lajmeve, të cilat i ndanë fotografitë me bashkësinë ndërkombëtare. Deklarata po ashtu bën të ditur se nëna Fevziut vuan nga kanceri pa shpresë të trajtimit dhe babai i tij është i shtrirë në shtrat nga sëmundja.