Bujar KURTAJ
Shkup, 28 mars – Pas fitores kundër Lihtenshtajnit, përfaqësuesja e Maqedonisë sot (e martë) me fillim në ora 18.00, në stadiumin “Telekom Arena” do të përballet me përfaqësuesen e Bjellorusisë. Për këtë ndeshje seleksionuesi Igor Angellovski në dispozicion do të ketë edhe futbollistin shqiptar Ezgjan Alioski, i cili kundër Lihtenshtajnit nuk luajti për shkak të kartonëve të verdhë dhe 16-të vjetarin Darko Çurlinov, derisa nuk do të mund të llogarisë në shërbimet e gjashtë futbollistëve të cilët nga përfaqësuesja A janë dërguar të luajnë për shpresat e U21.
Ndryshe, golashënuesi i dyfishtë në përballjen në Vaduz, Ilija Nestorovski, paralajmëron lojë të mirë edhe kundër bjellorusëve. “Dëshirojmë të konfirmojmë fitoren kundër Lihtenshtajnit dhe përfundimisht të lidhim dy fitore të njëpasnjëshme. Gëzohem për golat, por më e rëndësishmja është që të fitojmë”, tha në konferencën për shtyp sulmuesi i Palermos. Ndërkaq, kjo ndeshje për verdhekuqtë është shumë e rëndësishme për rritjen e vetëbesimit në skuadër, përforcimin e dëshirës që më në fund të fillohet të arrihen fitore dhe motiv shtesë për vazhdimin e këtij cikli kualifikues.
“Na pret një ndeshje miqësore me Bjellorusinë, por për ne sipas prioritetit është si ndeshje kualifikuese. Do tu japim rast tani edhe disa futbollistëve tjerë, të cilët nuk kanë pasur rast të luajnë më shumë minuta. Është ftuar edhe i riu Dragan Çurlinov pasi që është talent i madh dhe mendoj se edhe në të ardhmen do tu jap rast edhe futbollistëve tjerë të talentuar”, theksoi seleksionuesi Angellovski.
Dëshira për të ardhur deri te fitorja kundër Bjellorusisë është e madhe, përkundër faktit se ata janë shumë mirë renditen në listën e FIFA-s. “Bjellorusia pothuajse është 100 pozita para nesh në listën e FIFAs-s, por sigurisht se mundemi tu kundërvihemi dhe të arrijmë rezultat pozitiv. Dëshira jonë edhe fitore para publikut vendas”, deklaroi Angellovski.
Ndeshja Maqedoni – Bjellorusi do të fillojë në ora 18:00, ndërsa deri më tani këto dy përfaqësuese janë takuar dy herë, ku në njërën ka pësuar disfatë me 1:2, ndërsa në ndeshjen tjetër kanë luajtur baras pa gola.