Ish-udhëheqësit e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) kanë marrë frenat e Partisë Socialdemokrate (PSD), e cila ishte themeluar më 10 shkurt të vitit 1990, shkruan sot Koha Ditore. Në Kuvendin zgjedhor të kësaj partie, që është mbajtur të mërkurën, Shpend Ahmeti, ish-nënkryetari i parë i LVV-së është zgjedhur kryetar, ndërsa ish-kryetari i LVV-së Visar Ymeri, zëvendës i tij.
Sekretare e përgjithshme e PSD-së është zgjedhur ish-nënkryetarja e LVV-së, Aida Dërguti. Në këtë Kuvend PSD-ja ka zgjedhur edhe Këshillin Drejtues të partisë, si dhe ka marrë vendim që të tërhiqet nga koalicioni i lidhur me PDK-në AAK-në dhe Nismën për Kosovën, para zgjedhjeve të fundit parlamentare. Kuvendi zgjedhor është mbajtur pa praninë e medieve.