Të largohet anglishtja nga klasat e para!

Për të mirën e zhvillimit normal intelektual të fëmijëve, duhet t’i lehet primati gjuhës amtare. Pedagogët dhe mësuesit nuk duhet të brengosen aspak se nuk mësohet anglishtja, e cila, kuptohet, është më se e nevojshme për aftësimin e përgjithshëm, sepse ajo mësohet pa kurrfarë shtyse, pa kurrfarë “kurikulumi”, nëpërmjet internetit dhe rrjeteve sociale

 

Nga Daut DAUTI

  1. Shumë prindër janë gjetur në siklet me “pengesat në komunikim” me fëmijët e tyre. Paramendoni këtë dialog: “Babi, më blej në pazar “kaliflaur” dhe “zukini”! Dhe ai t’i jetë drejtuar gruas: “Më përkthe!”. “Lulelakër (karfiol) dhe kungulleshka”!, “përkthen” gruaja e udhëzuar në gjuhën e fëmijës që pretendon të bëhet vegetarian (e). Ose: “babi, jam në provim sot, mos më “xhinks”!“. Çka është kjo “xhinks”, pyet prindi. Bija ndalet e mendon si t’ia shpjegojë dhe ia shpjegon me shumë fjalë e me duar, pa e gjetur fjalën shqip: ”…domethënë, kur ti do të bësh diçka, i thua dikujt, aman, mos thuaj diçka se po ma prishë!”

Kjo i vjen mos me t’baksuzu?, ia kthen prindi, por vajza e tij thotë: “Po, po, ama ka një fjalë tjetër…shqip, si ishte ajo?

Advertisements

“Mos me t’marrë mësysh?”…

“E, e tamam…!”

Dialog i vështirë apo jo? E po i vështirë, kështu janë gjeneratat e reja, të cilat para se të mësojnë alfabetin shqip, mësojnë anglishten me smartfonët e tyre(pse jo “telefonat e mençur”?).

Ky dialog midis një prindi dhe një fëmije të tij, mund të jetë tipik për kohën. M’u kujtua kjo pasi para një jave prof. Edmond Tupja dha një propozim interesant për mësimin e gjuhëve. Në të vërtetë, me këtë temë ka lidhje edhe shkasi pse ai ishte i ftuar në TV Klan te Arian Çani, e ky ishte botimi i një libri me qëllim të shqipërimit të shumë termeve të internetit.

Se sa ka ndikim interneti në bastardhimin e gjuhës e çdo gjuhe, është e tepërt, kurse si një proces normal në kushte jo normale, qenka dhe zhdukja e disa gjuhëve për çdo vit! Libri qenka titulluar “Terminologji informatike: problematika dhe zgjidhje”, dhe është rezultat i punës disavjeçare të autorit Erion Çano, që jeton në Austri, dhe Edmond Tupes, ku të dytë janë përpjekur që 500 fjalëve dhe terminëve nga fusha e informatikës, t’u gjejnë fjalë adekuate shqipe. Librin duhet parë, por ajo që mund të thuhet është se këta dy autorë, ithtarë të pastërtisë së gjuhës, kanë bërë një punë të mirë, që duhet të përkrahet dhe të zbatohet në praktikë. Kroatët janë ithtarë të purizmit gjuhësor dhe shumë para nesh kanë gjetur shprehje për informatikë, por jo vetëm për këtë fushë, dhe ata nuk kanë “opozitë” por “oprba”, nuk kanë “hard disk” apo “maus”, por “tvrdi disk” ose “miš” etj. Edhe pse shumë fjalë të huaja në gjuhë të ndryshme, dhe këto internacionalizmat nga anglishtja, latinishtja, greqishtja, frëngjishtja…, janë vështirë për t’u zëvendësuar, prapë se prapë nuk duhet të mungojnë përpjekjet që aty ku ka fjalë tjetër shqipe, të insistohet në përdorimin e saj. Kur kemi fjalën “kuvend”, pse ta përdorim fjalën “parlament”, pse “event” ose “eveniment” kur e ke fjalën “ngjarje”, pse të “surprizohemi” kur bukur e shqip mund të “befasohemi”…Por, nuk është kjo çështja kryesore ku dua të dal, sepse kjo është pasojë e një situate që duhet të zgjidhet në nivel tjetër. Dhe vijmë te propozimi i Edmond Tupjes në atë emision i cili me të drejtë thotë se anglishtja nuk guxon të mësohet krahas shqipes nga klasa e parë, por tek pas moshës dhjetëvjeçare.

Pa mos e zgjatur, të dal te poenta e profesorit dhe autorit tepër specifik të letrave shqipe, Edmond Tupjes, i cili, duke u thirrur te një autor në zë të pedagogjisë, tha se kur truri ngarkohet me më shumë gjuhë njëkohësisht, krijohet konfuzion dhe kjo reflektohet në përvetësimin e tyre. Si pasojë e kësaj, gjuhët “luftojnë” me njëra tjetrën në tru, dhe pastaj shkakton ngecje. Dhe sugjerimi që gjuha anglishte të mësohet sa më vonë, është një çështje që duhet ta shikojnë të gjitha vendet. E para, sepse në zhvillimin intelektual të fëmijëve, duhet t’i lehet primati gjuhës amtare. Kurse e dyta, ministritë tona të arsimit, pedagogët dhe mësuesit nuk duhet të brengosen aspak se nuk mësohet anglishtja, e cila, kuptohet, është më se e nevojshme për aftësimin e përgjithshëm, sepse ajo mësohet pa kurrfarë shtyse, pa kurrfarë “kurikulumi”, nëpërmjet internetit dhe rrjeteve sociale. E treta, si një e mirë tjetër, është se nxënësit që sapo kanë nisur shkollën, do të shkarkonin çantën për një libër a dy dhe një a dy fletore më pak! Më pak do ta rrezikonin shtyllën kurrizore nga deformitetet e moshës!

Prandaj, i nderuar Jeton Shaqiri, ministër i arsimit, thërriti sa më parë ekspertët pedagogjikë, psikologë etj. dhe shqyrtoni sugjerimet që anglishten ta zhvendosni në klasat e larta të fillores. Kjo ngarkesë kaherë është vërejtur por ka mbisunduar qëndrimi se angishtja u ndihmon në jetë. Ndërkaq anglishten as që ka nevojë ta mësojnë, kur e mësojnë në mënyrë spontane, jo në orët e mërzitshme në shkollë, por në smartfonët dhe kompjuterët e shtëpisë pa kurrfarë mësuesi.

 

  1. Keqkuptime të vonuara shqiptare-shqiptare dhe maqedono-maqedonase për çështje terminologjike! Ministri i ekonomisë paska bërë “skandal” gjatë vizitës në Tiranë pasi një gazetareje shqiptare ia paska bërë me dije se nuk është “ministër maqedonas”, por se është shqiptar dhe ministër i Maqedonisë së Veriut! Ku është skandali siç e quajtën media maqedonase? Shpesh bëjmë “ish!” ku s’ka puna, që rezultoi me një “zgjim patriotik” të kryeopozitarit Mickovski, që i bëri thirrje kryeministrit Kovaçevski për një lloj “uniteti nacional” kundër BDI-së dhe Ali Ahmetit që s’po ia duakan të mirën vendit.

Nëse analizohet “skandali” i ministrit Bekteshi, ai në të vërtetë aspak s’e prek Maqedoninë, aspak s’është i drejtuar kundër maqedonasve as shtetit, por është një keqkuptim shqiptaro-shqiptar. Ai ka reaguar ndaj një gazetareje që si shqiptare duhej të dinte se një person që e ka emrin e bukur shqip Kreshnik, nuk mund të jetë “ministër maqedonas”. Tërheqja e vërejtjes nga ana e ministrit, për t’ia bërë me dije se me kombësi nuk është maqedonas, por ministër i Maqedonisë së Veriut, ka dashur t’ua bëjë me dije gjithë atyre që në Shqipëri aq lehtësisht përdorin termin “përgjithësues” të përkatësisë shtetërore me atributin “maqedonas” edhe duke e ditur nga përvoja tridhjetëvjeçare të komunikimit intraetnik shqiptar, se kjo te shqiptarët e Maqedonisë has në keqkuptim. Është, pra, një çështje brenda shqiptare dhe jo shqiptaro-maqedonase, që t’i jepet asi dimensioni siç u përpoqën ta bëjnë media e këtushme dhe lideri i VMRO-së, me nivel të lartë të patetikës deri në fatalizëm: “Nuk kemi çmim më të lartë se sa Maqedonia. Ne jemi përgjegjës për të ardhmen e këtij populli dhe të Maqedonisë. Të mos mendojë se subjekte të tjera politike të cilat mendojnë “se s’ka pa ta”. Nuk mundet! Nuk është ashtu! Që të ndalen turpet si ai që dje e bëri ministri i qytetarëve, e thërras në arsye, në shpirt patriotik, të ulemi në tryezë dhe t’i japim fund turpit që dikush tjetër e bën…Ne jemi ata që ia ruajmë shpinën dhe presim që ata të na e ruajnë neve shpinën e bashkë ta ruajmë shpinën e maqedonasve, qytetarëve dhe Maqedonisë”.

Obobo! Shyqir që një “incident” shqiptaro-shqiptar i dha shkas për t’i dhënë gjerë kosës patriotike liderit të VMRO-së. Zaten, për këtë është e njohur kjo parti. Saherë që është treguar ndryshe, ka qenë artificiale.

 

  1. Ra ky mort e u pamë…thotë ajo fjala popullore shqiptare. Kohë më parë shkrova për qëndrimin e heshtur të Kishës Ortodokse Maqedonase për të mos e dënuar agresionin rus në Ukrainë…Dikush tjetër kishte shkruar se ka një rrymë pro-ruse në Sinodin e kësaj kishe, mbase duke u nisur nga ideja e pansllavizmit ose panortodoksisë ku Rusia është qendra shpirtërore. Kështu me gjasë kishte kalkuluar KOM-Arkipeshkopia e Ohrit…Po interesi nacional dhe i besimtarëve të vet? E ja, s’kaloi as dhjetë ditë dhe për ata që rezonojnë me emocione e jo me arsye, e morën goditjen e fortë. Patrikana e Stambollit, ia pranoi Kishës Ortodokse Maqedonase të drejtën e mëvetësisë, ndërkaq Kisha Ortodokse Ruse mbeti në qëndrimin që t’ia njohë Kishës Ortodokse Serbe të drejtat kanonike në Maqedoni!

Kush merr vesh, merr vesh, kush jo… dhashtë Zoti një ditë ia hap sytë!

(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)