Të kursesh në Shqipëri është luks!

Vetëm 1 në 4 shqiptarë ka arritur të kursejë diçka gjatë vitit të fundit. Në këtë përfundim arrin një studim i publikuar së fundmi  nga Banka Botërore. Studimi në fjalë është një grumbull i madh statistikash sa i përket gjinive dhe ka për synim të nxjerrë diferencat kryesore mes meshkujve dhe femra në 200 vende të ndryshme të botës, në indikatorë nga më të ndryshmit.

Në profilin dedikuar Shqipërisë vihen re një sërë të dhënash mjaft interesante. Një ndër to është padiskutim ajo që i referohet kursimit. E madje, edhe këtu meshkujt dhe femrat kanë diferencë. Femrat e kanë më të vështirë të kursejnë. Studimi është kryer në formën e një ankete dhe tregon se gjatë vitit të fundit vetëm 24% e grave apo vajzave, mbi 15 vjeç, ka arritur të kursejë para. Te meshkujt kjo normë ngjitet lehtë, paçka se mbetet sërish në nivele mjaft të ulëta, vetëm 28%. Kështu, sipas Bankës Botërore, situata është e qartë; mesatarisht, vetëm  1 në 4 shqiptarë e ka luksin të kursejë.

Në vendet e tjera  të botës kjo  normë është ndjeshëm më e lartë. Për shembull, në Kanada norma ngjitet në 80%, në Kroaci 44% për femrat dhe 50% për meshkujt, në Danimarkë rreth 80%, Francë 63%, Gjermani 74% për femrat dhe 78% për meshkujt, Kosovë 33% dhe 46%, e Etiopi në rreth 60%. Në rajon, vetëm Bosnje Hercegovina është më keq se Shqipëria, ndërkohë që të gjitha vendet e tjera kanë një normë mbi 30%.