Zejnulla VESELI
Shkup, 20 nëntor – Vlera e kursimeve apo depozitave të klientëve në 17 bankat komerciale në vend, përfundimisht me tremujorin e tretë të këtij viti, kap nivelin prej 3.6 miliardë euro, thuhet në raportin e fundit të Bankës Popullore të Maqedonisë, shkruan gazeta KOHA.
Nëse vlerën e përgjithshme të depozitave e pjesëtojmë për kokë banori, i bie që çdo banor i Maqedonisë të ketë kursime në banka në vlerë prej 1700 eurove. Për periudhën e njëjtë, gjegjësisht për 9 muajt e parë të këtij viti, të dhënat e BPM-së tregojnë se qytetarët e Maqedonisë u kanë borxh bankave 2 miliardë euro apo secili banorë të këtë borxh në banka 1000 euro. Gjykuar sipas këtyre të dhënave të BPM-së, për kursimet dhe borxhet që qytetarët u kanë bankave, shtrohet pyetja se të kujt janë kursimet pasi Maqedonia një kohë të gjatë është në krizë politike dhe ekonomike, aq më tepër kur vlerësohet se mbi gjysma e popullatës së Maqedonisë jetojnë nën pragun e varfërisë.
Edhe njohësit e çështjeve ekonomike, edhe profesorë universitarë thonë se është e pakuptueshme nga vjen kjo rritje e kursimeve në depozita në vend, sidomos kur të kihet parasysh numrin e madh të papunëve, shkallën e lartë të varfërisë në Maqedoni si dhe pagat e ulëta mujore që marrin numri më i madh i të punësuarve në Maqedoni.
ALIU: TRE KATEGORITË QË TREGOJNË TË VËRTETËN E KURSIMEVE
Profesori i ekonomisë në Universitetin Shtetëror të Tetovës, Hamit Aliu, thotë se duhet të shikohet se të kujt janë këto kursime në banka, sepse nëse u referohemi të dhënave statistikore që tregojnë se mbi gjysma e popullatës së Maqedonisë jetojnë nën pragun e varfërisë, se kemi numër të madh të papunëve apo rreth 70 për qind nga numri i përgjithshëm i të punësuarve marrin rroga më të ulëta se rroga mesatare, atëherë me të drejtë shtrohet pyetja se cilët qytetarë ua besojnë paratë e tyre bankave në Maqedoni? Për të ardhur deri te e vërteta se të kujt janë 3.6 miliardë euro kursime në banka, profesori Aliu thotë se duhet të analizojmë tre kategori njerëzish, të cilët kanë aftësi financiare për të ruajtur parat e tyre në banka.
“Në aspektin e mirëqenies ekonomike mund t’i ndajmë tre kategori njerëzish që mund të kursejnë. E para, njerëzit shumë të pasur që e përbëjnë 2 përqindëshin, ndërsa janë bartës të 70 përqindëshit të kursimeve në Maqedoni. Kategoria e dytë janë njerëz më pak të pasur apo marrin rrogë mujore më të larta se rrogë mesatare. Kategoria e tretë janë familjarë, të cilët marrin para nga jashtë që u dërgojnë të afërmit e tyre me punë në shtete të ndryshme të botës”, thotë për KOHA, Aliu. Mirëpo, një gjë është shumë e sigurt, shton profesori Aliu, njerëzit të cilët punojnë dhe pagën e kanë të vetmin burim financiar, assesi nuk mund të kenë kursime në banka, por vetëm mund të kenë borxh bankave.
“Pjesa dërmuese e popullatës nuk mund të kursejë, sepse ajo nuk mund të arrijë në fund të muajit të sigurojë gjërat elementare për jetesë, për shkak se pagat në Maqedoni janë të ulëta, gjegjësisht mesatarja është 350 euro, por ka paga edhe 150 euro. Dhe, me këtë nivel të çmimeve, është e pakuptueshme se prej nga vijnë këto kursime. Këto të dhëna për kursimet dhe borxhet e qytetarëve, edhe njëherë nxorën në pah se në Maqedoni – të pasurit bëhen më të pasur dhe të varfrit edhe më shumë varfërohen”, thotë profesori i ekonomisë, Hamit Aliu.
BEXHETI: KURSIMET NGA DËRGESAT E EMIGRANTËVE
Edhe akademiku Andylmenaf Bexheti thotë për KOHA se kursimet në banka në vlerë prej 3.6 miliardë euro janë depozita të qytetarëve, si dhe rreth 2.5 miliardë janë depozitat variabile të kompanive dhe kështu së bashku – përbëjnë potencialin kreditor të sistemit bankar në Republikën e Maqedonisë. “Normalisht që kursimet e theksuara nuk janë të të njëjtëve qytetarë, përderisa disa kanë kursime si ata që fitojnë më shumë se sa që realizojnë, shtuar kjo edhe nga pasuria e trashëguar, të tjerët kanë huamarrje. Kjo, zaten edhe është roli i bankave, të ndërmjetësojnë midis kategorive të ndryshme huadhënësve dhe huamarrësve. Është krejt normale që kursimet janë më të mëdha se huadhëniet. Bile, edhe indikatori bankar që mat këtë raport është “Loan to Deposit Ratio” (LTDR), zakonisht është nën 100 si indeks apo nën 1 si koeficient. Një pjesë e këtyre kursimeve mund të jetë arritur nga dërgesat e emigrantëve dhe pasuria e patundshme, por në asnjë mënyrë nga pagat që merr pjesa më e madhe e qytetarëve e Maqedonisë”, thotë akademiku Bexheti. (koha.mk)