Laura PPARANIKU
Shkup, 12 tetor – Reformat në sistemin arsimor nuk mund të pretendohen pa bërë fillimisht shkarkimin e procesit mësimor prej ngarkesave të shumta si në plan programet mësimore, numrin e nxënësve nëpër paralele, ashtu edhe në fondin e orëve që duhet të realizojë një mësimdhënës, shkruan gazeta KOHA. Por, paralelisht kësaj, janë edhe shumë çështje të tjera me shumë rëndësi për frymën dhe filozofin që duhet të ketë arsim në të ardhmen dhe për të cilat Naser Miftari, profesor në Gjimnazin “Zef Lush Marku” në Shkup, konsideron se duhet të trajtohen me mjaft seriozitet në këtë kohë kur Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) ka ndërmarrë nismën për reforma të përgjithshme arsimore në Maqedoni.
Mifatri, i cili është pjesë e grupeve punuese për reforma në arsimin e mesëm, thotë gjithashtu se është koha kur prezenca e nxënësve në shkollë dhe roli i mësimdhënësve të merr një domethënie të re, pra kur nxënësit duhet të jenë pjesë e vendimmarrjes në shkollë dhe kur të qartësohet, siç duhet edhe statusi i profesorëve në raport me gjithçka lidhet me angazhimin e tij. “Nxënësit duhet të jenë më tepër prezent në të gjitha hallkat e procesit mësimor, duke nis nga organizimi i tyre nëpër bashkësi brenda klasave, shkollës e kështu me radhë. Për këtë mund të merret shembull funksionimi i organizatave të nxënësve në vendet fqinje. Shohim, për shembull, se si Kosova ka avancuar tepër në këtë drejtim”, shprehet ai, duke shtuar se zëri i nxënësve duhet të dëgjohet shumë më tepër. Sistemi, sipas profesor Miftari, duhet t’ju jep mundësi të gjithë mësimdhënësve për të qene më të çiltër ndaj shprehjes së përgjegjësive që ato ndjejnë ndaj nxënësit. Por, çështje që për të mbetet me prioritet të lartë është ajo e këshillimeve pedagogjike. Në takimin e parë të grupeve punuese që u organizua jo shuam kohë më parë, në kuadër të nevojave për reforma në arsimin e mesëm, ai ka kërkuar që këshilltarët pedagogjik t’u kthehen shkollave si në të kaluarën.
“Byroja për Zhvillimin e Arsimit në të kaluarën ka qenë shumë aktive jo vetëm me hartimin e plan-programe (të cilat gjithashtu duhet të shkarkohen), por edhe në procesuimin e mënyrave të realizmit të atyre programeve, pra të monitorimit të procesit të mësimdhënies përmes vizitave nëpër shkolla”. Me kthimin e vizitave të këshilltarëve pedagogjik, plotëson më tej ai, do të lehtësohet edhe puna e inspektorëve, të cilëve momentalisht u janë deleguar edhe çështje që nuk përkojnë me kompetencat e tyre profesionale, sikurse janë problemet pedagogjike dhe didaktike të mësimdhënies. Madje, inspektorët e arsimit çdo herë në suaza të punëve që u ishin ngarkuar, sipas Miftarit, kanë qenë vënë para presionit që të gjejnë me patjetër gabime diku, te profesorët, shkolla, nxënësit apo prindërit. Shkolla duhet të frymojë lirshëm, të gjithë palët duhet të kenë lirinë e shprehjes së mendimit dhe dhënien e propozimeve se si të përmirësohet klima pozitive në shkollë dhe cilësia e arsimit.
“Viteve të fundit u ndërprenë vizitat e këshilltarëve, u ngatërruan kompetencat në shkollë dhe gjithë kjo bëri të bie cilësia në arsim”, sqaron më tej ai. Reforma, natyrisht duhet të ketë jo vetëm shtrirjen horizontale, por të prek anën vertikale të sistemit.
“Ishte vlerësimi i shumicës së anëtarëve të grupit punues se paralelet nuk duhet të jenë me më shumë se 24 nxënës në klasë. Vetëm në rastet e profileve të veçanta, një paralele mund të ketë deri 28 nxënës në klasë. Mirëpo, shkruan KOHA, për drejtimet gjimnaz dhe pjesën dërmuese të drejtimeve të shkollave të mesme, paralelet duhet të kenë nga 15 deri 24 nxënës në klasë”, tregon profesori i Gjimnazit “Zef Lush Marku”, në Shkup. Gjatë takimit të parë, që u mbajt në Strugë, ai thotë se është diskutuar edhe çështja e transportit falas të nxënëse. Vlerëson se duhet të largohet kufizimi i distancës 2.5 kilometra, pasi ka nxënës që jo vetëm jetojnë në distanca më të largëta se kaq me shkollën ku ata mësojnë, por kanë nevojë të lëvizin përtej asaj largësie (2.5 kilometra), për të realizuar punë që lidhen me projektet arsimore ku ata janë të inkuadruar. Krahas arsimit formal, shkollat, sikurse dihet, janë të inkuadruar edhe nëpër projekte të ndryshme arsimore. Në të gjitha këto projekte janë të angazhuar gjithashtu edhe profesorët, mirëpo kjo pjesë e punës nuk u llogaritet në asgjë, as në fondin e orëve të punës dhe as në pagë shtesë. Kjo çështje nuk guxon të anashkalohet. MASH duhet të gjejë mënyrën që ta zgjidhën edhe këtë problem brenda sistemit, ashtu sikurse duhet të jenë vetë mësimdhënësit, në radhë të parë, ata që do të propozojnë format më të pranueshme nga të gjithë.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.