Të jetosh në xhunglën e përgjimeve!

Është sfidë, por edhe frikë e madhe të jetosh në një xhungël të tillë ku secili mund të përgjojë dhe çdo njeri nga ne mund të jemi viktimë e këtyre pisllëqeve që i bëjnë “minjtë” e fëlliqur të gjirizeve politiko-policor

Nga Emin AZEMI

Shpejtësia e ngjarjeve që po zhvillohen te ne, imponon një qasje më serioze të klasës politike, sidomos të atyre që kanë përgjegjësi më të mëdha në drejtimin e vendit.
Ata që erdhën në pushtet përmes përgjimeve, tash u bënë vet viktimë e kësaj metode. Pushteti aktual është zënë i papërgatitur, ndërkohë që segmente të caktuara të drejtësisë janë në alarm.
Afera më e re “Haraçi” ka nxjerr në pah shumë deformime të etikës dhe praktikës gjyqësore te ne. Rezervat dhe kritikat e theksuara të opinionit publik ndaj këtij sistemi, po dalin jo vetëm të bazuara, por edhe një rrugëtregues se nga duhet të ecë arsyeja për të shpëtuar atë çka mund të shpëtohet.

Por, kjo është njëra anë problemit. Ajo çka është më shqetësuese është fakti se prapa gjithë këtyre deformimeve – qëndron politika. Prandaj nuk mjafton të thuash se sistemi gjyqësor te nuk është i pavarur. Madje është pak të thuhet – i kapur.

Nëse i hedhim një sy kronikave gjyqësore, do të vërejmë se ky sistem në raste të caktuara u tregua tepër “efikas”. Sidomos kur ishin në pyetje shqiptarët. Madje, ky “efikasitet” u bë shembullor edhe duke dhënë vendime gjyqësore mbi raste komplet të inskenuara.
Mirëpo dardha e ka bishtin prapa, thotë populli. Askush nuk e ka marrë me mend se do të vijë një ditë që po ky sistem drejtësie të komprometohet kaq shumë. Faktet e reja që po dalin nga video-xhirimet e publikuara në median italiane, tregojnë për kalbëzimin e një sistemi, i cili në fund do t’ia bënte varrin vetvetes.
Ata që ndanin (pa)drejtësi skandaloze për shqiptarët, tash do të ballafaqohen me turpin, por edhe me burgun. Sepse, ata thasë me para nuk kanë fluturuar në ajër.

Afera “Haraçi” e ka rrjedhën e vet, i ka protagonistët e vet dhe e ka epilogun e vet. Kjo aferë nuk mund të trajtohet e copëzuar, sepse faktet që po dalin për çdo ditë po dëshmojnë për përmasat shqetësuese të përfshirjes së më shumë protagonistëve në këtë aferë. Ka zëra që thonë se gazetari italian që po i publikon këto video-xhirime po sponsorohet nga VMRO-DPMNE, si hakmarrje ndaj Zaevit për bombat që ai kishte publikuar kundër Gruevskit.

(Pa)vërtetësia e këtij spekulimi mund të ketë zero relevancë, por ajo që mbetet e pandryshuar është bindja se një shtet që është kaq i ekspozuar ndaj përgjimeve dhe një shtet që nuk ka vendosur mekanizma të fortë se kush dhe kur mund të përgjohet, ai shtet e ka vështirë të ndërtojë institucione të fuqishme që do të përballonte stuhitë e natyrave të ndryshme.

Është sfidë, por edhe frikë e madhe të jetosh në një xhungël të tillë ku secili mund të përgjojë dhe çdo njeri nga ne mund të jemi viktimë këtyre pisllëqeve që i bëjnë “minjtë” e fëlliqur të gjirizeve politiko-policor. (koha.mk)