Delvina KËRLUKU
Jashar Sejdiu ka lindur në fshatin Bozovcë, në vitin 1955. Shkollën fillore e kreu në fshatin e lindjes, pastaj e ndërpreu shkollim për dy vite. Si u hap shkollë në fshatin Veshallë e rinis shkollimin. Por dy vitet e fundit të tetëvjeçares vazhdon në qytet, në Tetovë, ku edhe kreu gjimnazi. Shkollën e lartë për financa e kreu në Pejë, dy vite student i rregullt, por gjendja ekonomike e dobët e detyron të ndjek studimet me korrespodencë. Pas përfundimit të shkollimit mbetet pa punë, ku edhe sot diploma i rri në shtëpi. Detyrohet të nxjerr bukën e gojës, me dhuntinë që ia ka dhënë Zoti, këngën, ku mëson t’i bie vetë çiftelisë. Bashkë me vëllain – Idajetin krijojnë grupin “Vëllezërit Jashar dhe Idajet Sejdiu”. Vitet e 70’ta, ku edhe u hapën dyert ishte transmetimi i këngëve në Radio Shkupin. Jashari do ta ndërpres këngën, për gati një dekadë. Ai punësohet në Afganistan dhe në Irak. Më vonë kthehet në vendlindje dhe bashkë me dy vëllezërit do të punojnë në kultivimin e këngës së vjetër shqipe, të trevave tona. Me zërin dhe këngën e tyre arrijnë të fitojnë çmime në festivalin “Oda Dibrane”, dhe në Gjirokastër, “Çmimin e karrierës”. Aktivitetet e tyre do të transmetohen në radio si brenda vendit dhe jashtë, në Vjenë, vendet Skandinave, etj. Jashari me vëllezërit kanë hapur një televizion, ku edhe kanë programin e tyre, për promovimin e vlerave të folklorit shqip. Jashar Sejdiu është i martuar, ka dy fëmijë dhe një nip, i cili ia ka trashëguar këngën.
KOHA: Muzika popullore shqiptare përbën një ndër pasuritë më të çmuara të vendit. Si lindi dashuria ndaj kësaj muzike?
SEJDIU: Jam rritur në një familje ku është kënduar kënga e mirëfilltë, e anës së malësisë, nga fshati Bozovcë, nga ku edhe vi unë. Një fshat i largët apo i fundit në Malësinë e Sharrit. Fshat ku formohet trekëndëshi Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni. Por, në familjen tonë gjithnjë është kënduar, nga hallat, tezet, kurse unë si i vogël i kam dëgjuar. Mirëpo, diç më tepër, në moshën shtatë vjeçare më ka tërhequr gjyshi që edhe këndonte. Kishte një zë aq të bukur sa që të gjithëve na linte në baltë. Ai ishte i shoqëruar me disa shokë nga katundi, ku edhe ishte në krye, ndërsa të tjerët e përcillnin, e mbanin iso-në. Por, e veçanta është se në anën tonë ka një lloj këndimi i ashtuquajtur “palë- palë”. Ky lloj këndimi është kënduar edhe te femrat, por me raste edhe tek meshkujt. Femrat e kanë kënduar nëpër dasma, kur e marrin nusen edhe atë pa “defa”. Ky lloj këndimi, është pa def. Dhe aty, deri diku dominonte zëri iso, por një meso-zë, ndërmjet zërit të parë dhe iso-s, dhe është një lloj këndimi shumë i bukur. Unë kam disa inserte të vjetra që kanë kënduar gratë, mirëpo nuk janë edhe aq të pastra, por e njëjta do të shfrytëzohet për hulumtimet shkencore, që dikush ta sheh e të vërtetojë këtë që e them unë. Ky këndim bëhet në një dhomë, ku një dyshe ndahet në një anë të murit, tjetra në anën tjetër, në skaj të tretë dhe të katërt, që gjithsej janë 8-të persona. Dhe secili grup këndon nga një varg, pastaj të gjithë njëzëri. Këtu krijohet një zë shumë i fortë, por edhe kur lëshohet zëri iso dhe zëri që është udhëheqësi i grupit, me të vërtet krijohet një melodi jashtëzakonisht e bukur dhe njeriu në atë moment mendon se fluturon nga ajo mrekulli e zërave. Këtë kur e kam dëgjuar si fëmijë, më dukej diçka e hatashme dhe ai imazh u ngulit në mendjen time. Dhe u bë ëndrra ime, ku edhe erdhi dita. Por kjo ditë erdh, pasi gjyshi ka patur një dyqan në Edrene të Turqisë, ku atje ai këndonte, madje këngë turke. Bile, emri im më është vënë nga gjyshi. Emri Jashari është emër i një këngëtari në Turqi, ku këngët e tij, siç thashë – gjyshi im i këndonte shumë. Mirëpo, më rekomandonte t’i dëgjoj, por jo t’i këndoj. Dhe ishte gjyshi që më la amanet të vazhdoj rrugën e të kënduarit dhe më detyroi të këndoj në gjuhën amë, gjuhën shqipe.
KOHA: Z. Jashar, ju keni filluar të këndoni pa përcjellje instrumentale në mungesë të instrumenteve folklorike, por i ndjekur nga dy shokë të tjerë që e mbanin zërin iso. Si e përshkruani këtë moment, ku edhe ju hapi rrugë në botën e muzikës?
SEJDIU: Kur dëgjoja gjyshin, lëshoja zë edhe unë. Kur fillova të këndoj isha i vetëm, por më vonë kontaktova dy shokë që përpiqeshin të mbanin zërin e dytë dhe më jepnin kurajo dhe zbukuronin këngën. Në Shqipëri i thonë ta zbukurojnë me “lule”, ndërsa ne i themi “ta hjekim këngën”. Ashtu fillova bashkë me to të këndojmë, por nuk e gjeja veten mirë dhe fillova vetë të këndoj. Isha dymbëdhjetë vjeçar, ndërsa im vëlla ishte 6-vjeç dhe e nxita të këndojë, megjithëse nuk ishte i gatshëm atëherë. Kështu, u detyrova të marr një çifteli, por në fshat nuk kishte. Rastësisht shoku im, Lazim Destani, i cili ishte katërmbëdhjetë vjeçar, si artdashës, por edhe duke më parë në manifestime, veçmas fetare, se këndoj edhe librin e shenjtë Kuranin, pasi e di të gjithin përmendësh si hafiz, shprehu dëshirë të më blejë një çifteli. Ai e kishte gjendjen ekonomike më mirë se unë. Por, më detyroi të mësoj një këngë, ku ndenja pa bukë e pa gjumë atë natë. Të nesërmen në mëngjes jo vetëm këngën që më propozoi, por mund të përcjellja një reportuar të gjerë. Ajo çifteli më plotësoi zërin e dytë që unë nuk e kisha. Megjithëse atë bukuri të zërit s’e jep, por kisha një melodi që më përcillte. Dalëngadalë, duke u rrit më lindi ideja të bëjmë një “sharki”. Por meqë babain e kam patur bari, ai ka takuar në bjeshkë një brigader, ku si me lojë i ka thënë: “Tashmë ke dy djem dhe do të përfitosh tre rroga”, këtë gjë na e kumtoi babai në shtëpi, por përgjigja ndaj tij ishte se shumë shpejt do t’ua dëgjosh zërin djemve të mi. Bëmat e jetës na sollën në Reçicë të Madhe, ku edhe kishte kushte pak më të mira, jo për jetesë, por për këngën. Atëherë bashkë me vëllain nisëm t’ia themi këngës së Shqipërisë. Por, një gazetar – Enver Murati, në një mbrëmje na tha nëse dëshirojmë të dëgjohet zëri anekënd, kjo mundet përmes radios. Ishte dëshira më e madhe që të depërtojmë në Radio Shkupin.
KOHA: Ju u shoqëruat më vonë në këngë nga vëllai, ku edhe u emëruat në botën e artit si “Vëllezërit Jashar dhe Idajet Sejdiu”. Si lindi ky gërshetim vëllazëror?
SEJDIU: Gjatë këndimit, im vëlla më shoqëronte me një zë të lehtë, ku zërat përputheshin njëri me tjetrin. Por, unë e stimuloja duke i thënë se këndon aq bukur dhe kështu vendosëm që të jemi bashkë, ai dëshironte ta mbajë çiftelinë e mua më mbet sharkia. Në kohën kur ne filluam të njihemi në tregun e muzikës – kishte shumë pak këngëtarë. Ne ishin të parët që e kënduam këngën me plot përgjegjësi, këngën burimore. E them të parët sepse kemi futur zërin e dytë. Në Gostivar kishte shumë këngëtarë që këndonin këngët e asaj zone, por nuk ishte i përfshirë zëri i dytë si në këngët “Moj Mirushe”…, por ajo zonë ishte mjaftë e pasur me këngë. Si fillim kemi patur emrin “Jashar dhe Idajet Bozovca”, por kur u zhvendosëm në vend tjetër, e ndryshuam që të mos dukemi lokalist. Ne kishim nisur tashmë me kultivimin e këngës me aktivitete në rrethin tonë. Por, këngën e parë e kemi incizuar në Radio Shkupin, kënga “Çika e Malësisë”, kënga e dytë ka qenë “E morra kuferin, nisa nga Tetova”, kënga e tretë “Moj e mëjrë e holl e gjatë”, këngë të popullit, si dhe shumë këngë të tjera. Atë ditë kur i incizuam këngët, i bleva babait një “tranzitor”, që të dëgjojë këngët në radio në bjeshkë. Gjatë transmetimit të këngëve, babain e ka shoqëruar ai maqedonasi (që fola më lartë) dhe duke dëgjuar radion, komentatori i atëhershëm i radios kishte thënë: “Tani do të dëgjojmë këngë folklorike nga Vëllezërit Jashar dhe Idajet Sejdiu”. Në moment, maqedonasi i shprehet babait: “Janë djemtë e tu, a e di ç‘do të thotë të transmetohen këngët nga Radio Shkupi, aty është shumë vështirë të depërtosh”. Babai vërtet ishte ndjerë krenar me ne!
KOHA: Pra, audio-regjistrimet e para i keni realizuar në stacionin radio-televiziv Radio Shkupi, fund vitet e 70’ta. Si u realizua ky mision dhe si u mirëprit nga audienca, si u hapën rrugët e mëtejshme?
SEJDIU: Ishte Enver Murati që na dëgjoi dhe ka shkuar në Radio Shkupi e i thotë kompozitorit tashmë të ndjerë, Ismail Hoxha, që ka gjetur dy këngëtarë, të cilët këndojnë këngë nga Kosova dhe të Shqipërisë së Veriut. Por, ai ia pret shkurt duke i thënë që ne të shkojmë menjëherë në radio. Ku edhe na hapi derën, na dëgjoi dhe siç e shprehu ai, ishte habitur. Dha na këshilloi të këndojmë këngë të rrethit tonë. Pastaj u hapën dyert edhe në radio të tjera si në Tetovë, ku na xhiroi një maqedonas, që me gjasë ishte shqiptar sipas asaj që na përshkruante kur dëgjonte këngët tona. Ai na thoshte: “bie shi (studio pikonte), por unë do t’ua mbaj çadrën, ju vetëm këndoni!”. Në Radio Gostivar, na ka xhiruar Gjejaz Fejzullahu. Kështu që ne incizuam një numër të madh të këngëve, ku edhe për një kohë të shkurtër ato këngë u shpërndan në Kosovë e gjetiu.
KOHA: A ka qenë pjesë e juaja varfëria gjatë fëmijërisë? Na përshkruani disa momente nga shkolla e mesme, pastaj për shkollën e lartë, në Pejë?
SEJDIU: Ne kemi qenë të varfër, thuajse nëna na ka shkolluar, duke mbledhur kaça, boronicë, rrënjë lulesh e duke i shitur, vetëm e vetëm që të na blejë libra. Sa herë që kujtoj fëmijërinë, lotët s’mund ti ndalë, sepse nëna kur mblidhte kaça, duart çaheshin dhe e mbulonte dorën gjaku. Por, kur e shoh suksesin tonë, them që atë mund që e ka dhënë nëna, e cila ka “luftuar”, për mirëqenien tonë. Ajo ka qenë grua dhe njëkohësisht burrë, sepse babai gjithmonë në bjeshkë ka ndenjur. Kjo ishte periudhë kur jetonin në fshatin, në malësi. Pastaj erdha në Tetovë të shkollohem, prej klasës së shtatë, ku e kreva edhe gjimnazin në shkollën “Kiril Pejçinoviq”. Më shkonte për shtati lënda e matematikës, ku më pas ndoqa mësimet në shkollën e lartë të financave, në Pejë të Kosovës. Dy vite isha i rregullt, më pas për shkak të gjendjes së dobët ekonomike, vazhdova me korrespodencë, ku edhe e mbarova. Edhe pse e kreva komercialen, atë ditë edhe sot diploma më rri në xhep, pa u punësuar në vendin tim, në Maqedoni. Por, këtë profesion e kam ushtruar në biznesin e shokut tim Lazim Destani, ku kam qenë dhjetë vite në Afganistan edhe një vit në Irak. Por, qëllimi që ika andej ishte që të mos rri të këndoj nëpër dasma. Mirëpo, duke e pa se gjendja ekonomike e komercializon në njëfarë mënyre këngën. Por, thash se ne kemi nis një mision që na e ka lënë gjyshi dhe nuk desha ta shkel atë amanet. Prandaj, i thash Idajetit, që do të largohem. Ajo kohë një dekadëshe mbeti pa aktivitet, ku vëllai nuk dilte vetë të këndojë. Por, kjo periudhë solli shumë këngëtarë në tregun e muzikës. Më pastaj u ktheva në Tetovë dhe pashë që kishte vërshuar “tallavaja”, dhe i them vëllait që duhet ta “luftojmë” këtë lloj muzike dhe rifilluam të bëjmë incizime, tashmë në televizione. Por, na ndihmoi vëllai tjetër, Arifibishi, që tashmë ka produksionin e tij “Jehona”. Aty edhe i lindi ideja që të hap një televizion, që e quajtëm “Top Estrada”, me muzikë 24 orë. Kështu që, tani kemi hapësirë më të madhe për t’i shprehur vlerat tona. Mirëpo, ka qenë dhe është shumë vështirë dhe na është dashur të gjurmojmë thellë këngët e vjetra.
KOHA: Kthehemi në vitin 1995… si pjesëmarrës në festivalin “Oda Dibrane”, arritët të merrni titullin “Rapsod më të mirë të festivalit”. Një vit më vonë, po në këtë festival fituat çmim “Kënga më e mirë”. Pastaj vazhduat të merrni mirënjohje e çmime në Preshevë e gjetiu, duke vazhduar aktivitetet edhe në vendet skandinave…. Si përshkruhet ky rrugëtim nga suksesi në sukses?
SEJDIU: Është një periudhë shumë interesante. Kemi qenë dhe jemi anëtarë të Shoqërisë Kulturore Artistike “Xheladin Zeqiri”, ku nëpërmjet kësaj shoqata – ne kemi arrit të zhvillohemi dhe të fitojmë mirënjohje dhe çmime. Vitet e 90’ta shkuam në Peshkopi dhe u prezantuam me këngët tona dhe këtu u vlerësuam. Por të arrijmë çmimin e parë, ishte e habitshme, se përpara nesh kishim këngëtarë, të cilët ishin idolët e mi si Aziz Ndreu, Qerim Sula, Sali Mani, etj, të cilët ishin të pranishëm. Atë ditë dimri, ku edhe u ndanë çmimi i tretë, pastaj çmimi i dytë, që u fitua nga dy rapsodë, i them vëllait të ikim, sepse nuk kishim shpresa më, meqë u ndanë dy vendet e para dhe në ndërkohë u larguam nga salla dhe ikëm në një kafiteri ku kishte stufë dhe që u ngrohëm, por erdhi njëri e na tha ecni shpejt. Kujtuam se na thërret të këndojmë ndonjë këngë për përshëndetje. Më pastaj kuptuam se kishim fituar çmimin e parë, ku na e ndau zotëri Paskal Milo, ndërsa në krye të jurisë ka qenë Agron Gjakolli. Një vit më vonë fituam po në të njëjtin festival çmimin për këngën më të mirë, e cila titullohej “Kur kam qenë më i ri”. Pastaj në Preshevë fituam çmimin për duetin më të mirë në këngën “Ah, more ti djal i mejdanit malloja biliken shullanit”, malloja do të thotë kur i shpërndan dhentë nëpër bjeshkë. Pastaj filluam të bëjmë xhirime, videokaseta. Atë kohë u takuam me një etno-muzikolog, prof.dr. Ardian Ahmetdaja, që punon në një institucion të Vjenës dhe ai para shtatë viteve na ftoi atje, ku edhe u prezantuam me këngën “Vjeshtë moj virane” dhe “Sulçebegun”, kemi shëtitur edhe në vendet e Skandinavisë, në Berat kemi marrë “Çmimin e karrierës”, i cili ka qenë shumë i rëndësishëm, sepse të ta jep çmimin e karrierës Shqipëria, do të thotë shumë. Përderisa në Shqipëri të jepet një çmim, do të thotë se të kanë dëgjuar emrin apo zërin.
KOHA: Përveç që shquhen si këngëtar autokton, keni edhe potenciale të tjera në përdorimin e instrumenteve folklorike si sharki, fyell, def, çifteli… Si arritët t’i përvetësoni këto instrumente?
SEJDIU: Është e pabesueshme, por vetë e kam mësuar. Ia kam thënë këngës dhe e kam shkel notën, në qoftë se ajo notë përputhej me zërin tim, atëherë bindesha. E mbaj mend, një nga këngët e para ka qenë “Ani moj ti çikë përpara shtëpisë”, pastaj mësova “Moj shamia e kuqe, moj shamia e verdhë”, etj. Ndërsa vëllait ia mësova unë. Por, duhet theksuar se kemi gjithë familjen që kanë vesh muzike. Çdo mbrëmje në shtëpinë tonë këndohej, fërshëllenim, me fyell, çifteli, sharki, def, bëhej si koncert. Dhe kështu u njohëm edhe nga fqinjët e më gjerë, të cilët shprehnin edhe ata dëshirë të na tregonin se dinin këngë të vjetra. Ato këngë u futën në raportuarin tonë.
KOHA: Krijimtaria e juaj muzikore është mjaft e begatshme dhe e pasur, ku numri përfshirës i këngëve është rreth 400 këngë, 12 albume të realizuara me këngët më të bukura dhe mbresëlënëse popullore. Ç‘do të thotë kjo krijimtari dhe ky bagazh?
SEJDIU: Kjo krijimtari do të thotë vepër e vlefshme dhe mbresëlënëse. Ne i kemi kënduar dhe vazhdojmë të këndojmë këngë patriotike, këngë për kurbetin dhe këngë për dashurinë. Këto këngë u kënduan edhe nga të tjerët. Diku janë pesëqind këngë, ku përveç që kemi mbledh këngët, kemi shkruar edhe tekste, ku më vonë janë bërë këngët tona. Tashmë kemi dymbëdhjetë albume, ku në të gjitha ato albume janë këngë autoktone të trevave tona.
KOHA: Folklori paraqet tërësinë e zakoneve, e riteve të një populli që përcillen brez pas brezi. Si e përshkruani trashëgiminë e folklorit shqiptar? Dhe cilat këngë i veçoni nga raportuari juaj?
SEJDIU: Ne i trashëguam nga gjyshi, ku edhe sot i këndojmë ato këngë. Por, na brengos fakti që pak, të mos them aspak, nuk kultivohet ky zhanër i këngës shqipe. E kemi ndërmarrë të bëjmë një libër, duke i bashkangjitur këngët, por edhe notat muzikore. Besojmë se ai libër do t’u mundësojë brezave të rinj të orientohen më lehtë mbi këngën e vjetër shqipe. Për ne është e rëndësishme që të mbledhim sa më shumë këngë të vjetra ose autoktone. Përmes emisioneve televizive kemi grumbulluar një mori këngësh, brenda një viti, të trevave të ndryshme. I vazhdojmë lidhjet me Institutin e Vjenës, ku edhe arkivohen këto këngë. Kjo lloj kënge që ne këndojmë – nuk është e lehtë të thuhet. Gjithsesi, këngët tona, kanë tekst, muzikë, art, kanë porosinë brenda. Madje, nëpër dasma shtrohet një sofër dhe sipas traditës – këndohen këngët e lashta, që do të thotë nuk humbet kjo traditë dhe më bën shumë krenar.
KOHA: Si ju mirëpret familja juaj pas çdo suksesi dhe si e shprehin gëzimin?
SEJDIU: Kam një djalë dhe një vajzë, të shkolluar. Ndërsa bashkëshortja ime është e mbuluar, ashtu siç e do feja dhe zakoni. Por, ajo nuk e ka kuptuar kurrë botën time të artit, por besoj që për secilin që kur të vdesim – do t’ia dimë vlerën për punë që ka bërë. Nga fëmijët, djali merret me teknikën që i nevojitet artit të muzikës, ndërsa vajza këndon aq bukur, por e ëma nuk e ka lejuar të merret me muzikë, mbase është rrethi i tillë që e ngushton. Djalin e kam të martuar me një nuse që i është përkushtuar shkollës. Në jetën e tyre ka ardhur tashmë trashëgimtari. Nipi e ndjej se do ta trashëgojë muzikën që më flenë mua në shpirt, por më thotë një gjë: “Unë nuk do të këndoj si ty gjysh, por më mirë se ti. Kur ti gjysh i bie çiftelisë qëndron me një vend, ndërsa unë do ta pushtoj skenën edhe duke kërcyer”. Ai ka dëshirë muzikën, me këngë rritet. Ne, pra, jemi një familje e lumtur, siç thashë – çdo mbrëmje buçet kënga shqipe në vatrën tonë, bashkë me familjet e vëllezërve të mi.