Zejnulla VESELI
Shkup, 14 janar – Në vitin 2010, nën pragun e varfërisë kanë jetuar 557.900 qytetarë të Maqedonisë, ndërsa përfundimisht me vitin 2015 – në pragun e varfërisë kanë jetuar 445.200 qytetarë, shkruan gazeta KOHA. Kështu tregojnë të dhënat zyrtare të Entit Shtetëror të Statistikës së Maqedonisë (ESHS) ku thuhet se në vitin 2010, 27.3 për qind nga numri i përgjithshëm i banorëve të Maqedonisë kanë jetuar nën pragun e varfërisë, ndërsa pesë vite me vonë – gjegjësisht deri në fund të vitit 2015, numri i të varfërve është zvogëluar për 112.780 qytetarë apo 5.8 për qind. Për herë të parë, ESHS ka analizuar varfërinë sipas amvisërive, moshës dhe të ardhurave mujore që merr një familje katëranëtarëshe. Sipas statusit të aktiviteteve ekonomike – shkallë më të lartë të varfërisë ka tek të punësuarit dhe 8.9 për qind e tyre jetojnë nën pragun e varfërisë, ndërkaq 7.3 për qind e pensionistëve në Maqedoni jetojnë nën pragun e varfërisë. Të dhënat e analizuara për shkallën e varfërisë në Maqedoni, në vitin 2015, ESHS ka konstatuar se familje skajshmërish të varfra llogariten ato familje me dy persona të rritur dhe dy fëmijë të moshës nën 14 vjet që kanë të ardhura vjetore 164.560 denarë apo mbi 2500 euro, gjegjësisht të ardhurat mujore që nuk e kalojnë shumën mbi 13.173 denarë apo 210 euro. Kjo përllogaritje e ESHS-së tregon se në familje katëranëtarëshe brenda ditës nuk ka në disponim të harxhojë 450 denarë apo 112 denarë për një anëtar, atëherë kjo familje jeton në varfëri të skajshme. Në anën tjetër, një familje një anëtëarëshe llogaritet të jetë e varfër nëse brenda një viti ka të ardhura 78.363 denarë apo rreth 1200 euro në vit, gjegjësisht nëse brenda një muaji nuk ka në disponim të harxhojë 6.530 denarë ose 100 euro. Ndërkohë, analiza e vitit 2015 e ESHS-së njehërësh rezulton se familje më të rrezikuara nga varfëria janë familjet që kanë pesë apo mbi pesë anëtarë, ku shkalla e varfërisë arrin në nivelin prej 52.2 për qind dhe se një anëtar i kësaj familje ditën e jeton me 40 denarë. Këto të dhëna janë tepër shqetësuese, sepse sipas analizave të fundit të ESHS-së, kjo përqindje rritet pothuajse për çdo vit. Sociologu Ali Pajaziti thotë për gazetën KOHA se edhe përkundër faktit se për herë të parë statistika e Maqedonisë del me të dhënat për varfërinë, këto shifra nuk e reflektojnë realitetin social në Maqedoni.
“Pra nuk janë shifra që tregojnë gjendjen faktike kur e kemi parasysh të vërtetën, sepse sipas Bankës Botërore, në këtë vend 180.000 qytetarë jetojnë me nga 40 denarë në ditë”, thotë Pajaziti. Sipas Pajazitit, bëhet fjalë për avancim relativ të kalimit nga kategoria “nën pragun e varfërisë” në atë “mbi pragun e varfërisë”, gjegjësisht 78.000 denarë për familje njëanëtarëshe brenda një viti. “Është një mirazh statistikor, lëvizje minimale që s’është kuptimplotë. Më shumë se një e katërta e popullatës, 21.5 për qind në vitin e përmendur, pra 2015, ka jetuar në varfëri, sipas po të njëjtit Ent”, thotë Pajaziti. Mirëpo në anën tjetër, sociologu Pajaziti thotë se të dhënat për shpërnguljen nga vendi tregojnë se një e katërta e popullsisë viteve të fundit kanë braktisur Maqedoninë që gjithashtu janë indikator se në këtë vend nuk ka cilësi reale të jetesës. “Këta 113 mijë qytetarë kanë përjetuar një tranzicion nga një kategori statistikore në tjetrën, por realisht thuajse asgjë nuk ka ndryshuar në jetën e tyre. Veç kësaj, te këto numra ka edhe populizëm politik që është shumë e çuditshme, sepse 6 për qind janë përmirësuar kushtet brenda pesë viteve, ndërsa në anën tjetër – një e katërta e popullatës ka ikur jashtë, në veçanti popullata rinore me shkathtësi dhe cilësi intelektuale dhe punë profesionale”, thotë Pajaziti.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.