Klishea është kjo: Albini nuk e tradhton kauzën kombëtare dhe nuk i cenon interesat e Kosovës me mospërfshirjen në Ballkanin e Hapur… Po atëherë a janë tradhtarë Rama, Ahmeti e Abazoviqi që mendojnë se në bashkëpunimin rajonal në fushën e ekonomisë kanë dobi të gjithë? Aq më tepër nëse edhe qëndrimi i BE-së dhe SHBA-ve është në këtë linjë?
Nga Daut DAUTI
- Samiti i Ballkanit të hapur në Ohër, edhe një here ktheu debatin rreth karakterit të tij. A është në interes të Serbisë, a në interes të të gjithëve? A ka të drejtë Albin Kurti që nuk e fut Kosovën në të, apo është një frikë iracionale, si edhe në shumë raste të tjera prej tij?
Populli shpesh thotë, gjithë bota në njërën anë, ti në tjetrën! Çështje “sasiore”, apo cilësore? Matematika prodhon relacione kuantitative, vërtet, por ajo nuk e jep përgjigjen për cilësinë, edhe pse dialektika marksiste dikur na mësonte se “kuantiteti shndërrohet në kualitet”. Ec e merre vesh tash në kontekst të Ballkanit të hapur çka është e drejtë e çka e gabuar. Momentalisht, tri vende brenda, dhe tri jashtë, rezultati del baras. Kush ka të drejtë, shtytësit e ekzaltuar Rama e Vuçiq me Kovaçevskin dhe Zaevin dikur si treshe, apo skeptikët në anën tjetër. Kandari ka nisë të rëndojë nga tre të parët pas Samitit të Ohrit javën e kaluar, sepse Abazoviqi nuk është kundër, ndërkaq edhe kryeministri boshnjak u shpreh se herën tjetër BeH ndoshta do të marrë pjesë si anëtare! Pra, do prishet ai barazim 3 pro e 3 kundër. Edhe BE-ja edhe Eskobari i Amerikës, pro. Gjithë këta në një anë, dhe Albini kundër. Të gjithë janë gabim, ai ka të drejtë? Në jetë është vërtetuar se jo përherë shumica ka të drejtë. Zëri i arsyes nuk është përherë te shumësia e grigjës, por te urtësia e çobanit…
Edhe në planin shqiptar, kemi një relacion të ngjashëm. Tre me një: Rama e Ali Ahmeti bashkë me Abazoviqin (Mali i Zi ende i papërcaktuar zyrtarisht si shtet, por ai vetë jo kundër), e Albini prapë i vetmuar. Ndasia në këtë pikë nuk është vetëm midis liderëve, por dhe midis analistëve, intelektualëve, qytetarëve, e të mos flasim për anëtarësitë respektive që qëndrojnë prapa këtyre, si në Shqipëri, si në Kosovë, e diç më pak ka debat në Maqedoni. Dhe për të qenë më e koklavitur, çdo palë ka nga ndonjë argument të fortë që i jep të drejtë, ndonëse shpesh duket se është fjala për një diskurs patriotik ku ndahen “tradhtarët” dhe “atdhetarët”. Dhe këtu pastaj sikur pushon pesha e argumentit.
Klishea është kjo: Albini nuk e tradhton kauzën kombëtare dhe nuk i cenon interesat e Kosovës me mospërfshirjen në Ballkanin e Hapur? Po atëherë a janë tradhtarë Rama, Ahmeti e Abazoviqi që mendojnë se në bashkëpunimin rajonal në fushën e ekonomisë kanë dobi të gjithë? Aq më tepër nëse edhe qëndrimi i BE-së dhe SHBA-ve është në këtë linjë, por me përfshirje të të gjithëve?
Për vete kam qenë dhe kam mbetur diku “në mes”, pikërisht duke pasur parasysh se ka argumente që janë pro, por dhe që janë kundër. Vendosja e hegjemonisë së mallrave serbe në Ballkan, është një mundësi reale në kohën kur dihen kapacitet prodhuese të këtij shteti kundrejt të tjerëve. Por, kjo hegjemoni edhe tash vlen, sepse në Kosovë, edhe në kohën e qeverisjes së Kurtit, hyjnë mallra serbe në vlerë mbi 300 milionë eurosh. Ata që i mbrojnë përfitimet e Ballkanit të Hapur, thonë se në këtë pikë gjithë do të përfitonin. Një argument se mallrat serbe do të jenë më konkurruese sepse Serbia i subvencionon ato, nuk është argument i qëndrueshëm, sepse të njëjtën gjë mund ta bëjnë edhe të tjerët (psh. Shqipëria mund t’i subvencionojë fermerët për prodhimet e qumështit që çmimi të jenë njësoj si qumështi i lirë i Serbisë dhe ky qumësht, pastaj, për shkaqe patriotike, mund të blihet më tepër edhe në Kosovë e Maqedoni nga konsumatorët shqiptarë). Disa mbrojtës të Ballkanit të Hapur, do të thonë se kjo çështja e prodhimit është njësoj edhe në tregun unik evropian, sepse edhe atje ka vende me potencial më të madh prodhues, kundrejt disa të tjerave, por dhe çdo vend ka ndonjë përparësi me prodhimet e veta ndaj vendeve tjera, por ai treg funksionon dhe rregullat e tregut vlejnë për të gjithë. Tregu dhe konkurrenca e lirë, pikërisht e kanë për qëllim që prodhuesit të aftësohen të ofrojnë çmime konkurruese në garë të lirë. Nëse prodhon Serbia, pse të mos prodhojnë edhe Maqedonia, Kosova, Shqipëria? Nëse qarkullimi i mallrave lehtësohet me rregullat e Ballkanit të hapur, ato lehtësira do t’i shfrytëzojnë të gjitha vendet.
Një deklaratë nga Albin Kurti, një argument jo ekonomik, por politik, ishte se Ballkani i Hapur nuk e çon rajonin nga BE-ja, por nga Lindja, gjegjësisht nga Rusia dhe Kina. Cili politikan normal shqiptar i Ballkanit do të punonte me vetëdije për këtë shkarje gjeostrategjike?! Vallë, Rama, Ahmeti dhe Abazoviqi angazhohen për rrugëtim drejt Lindjes dhe Rusisë? Abazoviqi që korrigjoi gabimin e tij me rrëzimin e qeverisë proserbe dhe e ktheu Malin e Zi në kursin euro-atlantik, zor se mund ta fusësh te agjenda lindore! Për Ali Ahmetin edhe më pak… Ndoshta mund të ketë ndonjë hamendje për Ramën, hë, me gjithë miqësinë me Vuçiqin dhe me refuzimin e dënimit të gjenocidit serb në Srebrenicë…, por kjo hamendje mund të shkojë gjer në Beograd, por askush nuk e beson se mund të shkojë gjer në Moskë…Edhe sikur Rama të ishte në këtë agjendë, ka “korrektues” më të mëdhenj, më të interesuar se nga do të venë këto vende dhe këtu logjika bie ndesh me logjikën e qeverisë kosovare: Nëse Ballkanin e Hapur e përkrah edhe Amerika, atëherë i bie që Amerika punuaka për ta çuar Ballkanin në përqafim të Rusisë?! Diçka nuk shkon me logjikën, apo jo?!
Kosova ka marrë qëndrim të fortë, edhe pse Vuçiqi i bën ftesë “Prishtinës” për t’u kyçur. Logjika thotë se në kuadër të Ballkanit të Hapur, vendet kanë status të barabartë, dhe atje marrin pjesë si shtete! Shtet Serbia, shtet Kosova. E dyta, një pjesëmarrje në Samit në cilësinë e vëzhguesit, do ta kishte vënë në sprovë edhe qëndrimin e Vuçiqin kundrejt Kosovës. Kjo do të ishte ana pragmatike. Ana tjetër që nuk funksionon sa duhet, janë argumentet se Serbia ende nuk e ka njohur Kosovën si shtet. Normalisht që ende s’e ka pranuar Kosovën, sepse po të kishte ndodhur kjo, s’do të bëhej dialogu për normalizimtë marrëdhënieve, që do të çonte drejt njohjes nga Serbia(jo të Serbisë nga Kosova, siç thuhet shpesh, sepse Serbia nuk ka nevojë të njihet, ajo është pjesë e OKB-së). Dhe të kërkosh nga Serbia të të pranojë që ti të hysh në Ballkanin e Hapur, është një përrallë e bukur, por si e tillë, edhe larg realitetit.
Dhe kur të analizosh matematikisht, a ka të drejtë shumica apo pakica, ose më saktë, i vetmi-i vetmuari, i cili sikur ruhet prej gjithçkaje madje edhe hija e veti duket si ndonjë avet, atëherë dihet se kush duhet të rirreshtohet dhe si. Vetëm koha mund të ishte ai faktor që një ditë, kushedi kur, t’i japë të drejtë.
- Një hije dyshimi Ballkanit të Hapur i mbetet për shkak të miqësisë ose afërsisë Rama-Vuçiq. Shumëkush mendon se presidenti serb, përmes Ramës realizon agjendën serbe, edhe pse relacionet e këtyre dyve kishin nisur pikërisht me dushin e ftohtë të Ramës para disa vitesh, kur në midis Beogradit ia tha atë që s’donte ta dëgjonte Vuçiqi, se Kosova është shtet i pavarur. Me atë “incident”, Vuçiqi ishte përgjigjur me një “bisedë” patetike lidhur me mikëpritjen dhe bukëshkalësinë nga ana e mysafirit, diçka tejet e pështirë!
Viteve në vijim dhe Ballkani i Hapur si projekt që mori vulën e këtyre ditëve, sikur ka fshirë çdo pengesë (Kosova…) midis tyre, ose ne nuk shikojmë mirë. Kupa u derdh me refuzimin e deputetëve të Partisë Socialiste që të mos votojnë një rezolutë me të cilin dënohet gjenocidi serb në Srebrenicë. Se a pati manipulim ose jo nga opozita që propozoi, kjo dhe nuk është aq me rëndësi. Pozicionimi kundër, me pretekst se po përgatit shumica një të tillë “më të mirë” ka bindur pak kënd, sepse mendohet se me këtë nuk deshën që Rama t’i prishë relacionet me Vuçiqin dhe se preteksti ishte sa për t’i hedhur pluhur syve të publikut.
Vërtet është një pozicion i pakuptimtë. Gjenocidin në Srebrenicë e kanë dënuar në të katër anët e botës dhe si të tillë e konsideron edhe një pjesë e publikut serb. Shqipëria nuk duhet të ketë kurrfarë obligimi moral ndaj Vuçiqit, nëse ai dëshiron të relativizojë masakrën atje. Një mik që mbron krimet, s’ka ç’të duhet! Ai vetëm dëshmon se s’ka lëvizur nga mendësia nacional-shoviniste e pararendësve të tij që ishin shkaktarë të këtyre masakrave në Bosnje e Kosovë… Nëse Rama ka ndonjë “agjendë të fshehtë” me Vuçiqin për të mirën e Kosovës dhe për këtë i shkon për qejfi, atëherë le ta ulë Albinin dhe t’i tregojë në katër sy, po ta informojë edhe opozitën shqiptare, që t’mos e pengojë në realizimin e këtij qëllimi… Apo kjo, ta quash “përulësi” ka një tjetër dimension, ndoshta në kontekst të krizës së Ukrainës që i ngjan episodeve të kaluara të relacioneve të Shqipërisë në ish-bllokun socialist?! A nënkuptonte këtë Vuçiqi kur ua kishte tërhequr vërejtjen vendeve që do të sillnin rezoluta kundër gjenocidit?
Kush e ka lexuar “Dimrin e madh” të Kadaresë, që për motiv ka atë episode të famshme “të përplasjes në bllokun socialist”, do të kujtojë se në të vërtetë, romani fillon me pëshpërimat rreth grurit… Domethënë, flitej se sovjetikët kanë paralajmëruar se mund ta ndalin grurin për Shqipërinë, diç që ishte në kundërshtim me miqësinë dhe solidaritetin midis vendeve mike… Dihet pastaj se çka ndodhi… Sikur ka një shpresë te Rama se në këtë krizë të paralajmëruar të ushqimit, Serbia do të jetë ajo shpëtimtare për ta furnizuar Shqipërinë, prandaj dhe i rri “lepe” siç thonë në disa vise shqiptare… Rama ka rrezik që për shkak të këtij konteksti, të kthejë shqiptarët te ato skicat e Migjenit, kur për një kokërr misër malësori shkel dinjitetin e tij dhe pret në radhë si lypës për ndonjë kokërr misër për të ushqyer fëmijët e uritur?!
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)