Në të ardhmen do të duhej të merremi më shumë me këtë fenomen. Me fenomenin e frikës (më tepër abstrakte) që njerëzit e kanë instaluar në kokat e tyre. Apo, ka pasoja të heshtura, nëse shprehim një mendim publik, për të cilat duhet folur hapur. Edhe për këtë, pra, duhet folur. Kush janë ata që hakmerren tinëz ndaj kritikuesve publikë dhe a ndodhë që të shantazhohen (kushtëzohen) njerëzit duke e blerë njëfarë “pakti të mossulmit” përmes anëtarësimit në ndonjë bord apo komision shtetëror
Nga Emin AZEMI
Ka plotë veta që më shkruajnë në Inbox për shkrimet që bëj në gazetë. Shumica prej tyre duan, në mënyrën e tyre, të solidarizohen me atë që shkruaj. Disa madje më japin edhe sugjerime shtesë se si ta mpreh edhe më tepër tehun e kritikës. Ndonjë tjetër më tregon se çfarë njohurish posedon nga fusha e tij. Nuk mungojnë edhe prej atyre që më bëjnë vërejtje se pse nuk kam qenë edhe më i ashpër në qëndrime.
Të gjithë këta që më shkruajnë në Inbox, i konsideroj qëllimmirë në përpjekjet e tyre për të thënë të vërtetën. Mirëpo e vërteta duhet thënë publikisht. Pse ka nevojë dhe deri kur ka nevojë që ne të fshihemi, të paktën që të shprehim një solidarizim të hapur me ndonjë qëndrim të guximshëm intelektual të kujtdo. Nga kush frikësohemi?
Dikur njerëzit frikësoheshin më pak. Ose, bënin përpjekje që frikën ta lënë si opsion të fundit në shprehjen e çfarëdo lloj pakënaqësie. Shumë prej atyre që nuk deshën të bashkëjetojnë me frikën, u futën nëpër burgje, u diferencuan, ikën në mërgim.
Po sot? Çka është gjithë ky ngurrim? Prej kujt frikësohen njerëzit? Cila parti politike mund të ndëshkojë ndonjërin që shpreh një mendim të lirë?
Pse nuk flasim hapur, nëse ka apo s’ka sot censurë të mendimit publik? Nëse ka, ta themi se kush po na censuron. Nëse s’ka, atëherë pse heshtin ata që duhet të flasin.
Ne edhe në të ardhmen do të shkruajmë me njëri tjetrin letra interne, por qëllimi nuk është që mendimin intelektual (nëse ka të tillë) ta reduktojmë në suaza të ngushta. Prandaj, jo rastësisht nuk është thënë se një dije nuk është tamam dije, nëse ajo nuk transmetohet.
Çka po transmetojmë ne sot? Si po i edukojmë gjeneratat e reja?! A po iu themi edhe atyre që të heshtin?! A po i trajnojmë edhe ata të jenë poltronë të autoriteteve politike?! A po përgatisim kuadro që në vend të diplomës universitare, të shfaqin poltrinizmin e tyre për të qenë më të pranueshëm nga aparatçikët partiakë?!
Krtika publike është më e shëndetshme, se çfarëdo lloj poltronizmi. Kritika publike, kur është e bazuar në analiza e argumente, mund të jetë terapia më efikase për një shoqëri, se sa çfarëdo lloj tifozllëku politik. Sartri në Francë, Habermasi në Gjermani, Eco në Itali, Saramago në Portugali, Borhesi në Argjentinë, jo gjithmonë u pajtuan me politikat e qeverive të tyre, por askush më shumë se ata nuk treguan përkushtim atdhedashurie ndaj vendit të tyre.
Pse ne ankohemi në partitë politike se ato gjoja po na e cungojnë mendimin e lirë, kur, për hir të vërtetës, ne jemi bërë autoncensorët më të mëdhenj! Ne drejtojmë media, ne menaxhojmë universitete, ne veprojmë nëpër institucione dhe nuk ka ndodhur që dikujt t’i ketë pëshpëritur në vesh ndonjë ndalesë publike dikush nga partitë politike.
Të paktë janë ata që intimisht nuk pajtohen me atë që shkruan në gazetë. Por, sikur për të njëjtën temë të organizohej një debat publik, të njejtiti nuk kanë guximin të debatojnë hapur. Ata i marrin ftesat për debat, por as nuk kanë guximin të përgjigjen se vijnë apo nuk vijnë në debat.
Pse?!
Si është e mundur?!
Në të ardhmen do të duhej të merremi më shumë me këtë fenomen. Me fenomenin e frikës (më tepër abstrakte) që njerëzit e kanë instaluar në kokat e tyre. Apo, ka pasoja të heshtura, nëse shprehim një mendim publik, për të cilat duhet folur hapur. Edhe për këtë, pra, duhet folur. Kush janë ata që hakmerren tinëz ndaj kritikuesve publikë dhe a ndodhë që të shantazhohen (kushtëzohen) njerëzit duke e blerë njëfarë “pakti të mossulmit” përmes anëtarësimit në ndonjë bord apo komision shtetëror. Kush mund ta dijë…Gjithçka mund të ndodhë… (koha.mk)