Çështje më vete mbetet produktiviteti i ulët në total i ekonomisë së vendit si rrjedhojë e pamundësisë për të investuar më shumë si në kapacitetet prodhuese, teknologji të re apo edhe në mënyra të re të udhëheqjes, ku jo vetëm që mungojnë menaxherë të mirë dhe të aftë organizativ dhe financiar, por ato vështirë edhe mund të paguhen, edhe nëse i gjeni
Nga Fisnik PASHOLLI
Pagat mesatare në Maqedoninë e Veriut po rriten ngadalë. Këtë e tregojnë edhe vlera e 1000 denarëve sot dhe para disa viteve dhe kundërvlera e tyre në periudhën e kaluar. Me fjalë të tjera, çdo kush e ndjen në xhepin e tij se çka mund të blej sot për 1000 denarë, dhe çka ka mund të blejë me 1000 denarë para disa viteve. Se pagat rriten tepër ngadalë flet edhe një statistikë e thjeshtë se edhe me rritjen eventuale të pagës minimale nga 12.500 denarë në 15.500 denarë megjithatë edhe dy paga minimale do të mundësojnë vetëm blerjen e shportës minimale sindikale prej afër 31 mijë denarë.
Vlerësohet se jo vetëm tek ne por edhe në gjitha shtetet e rajonit ekonomitë nacionale mund të ecin para dhe të rrisin më shumë pagat në sektorin publik dhe privat, vetëm me uljen në minimum të tensioneve politike dhe krizave permanente që pengojnë rritjen e konkurrencës së një ekonomie. Ngërçi politik dhe situata e paqartë politike në të kaluarën bën që bizneset në Ballkanin perëndimor shumë pak të orientohen në rritje të punës, investime të reja , apo orientimin në eksport dhe më shumë të orientohen në mbijetesë. Vështirë se mund të ketë edhe më shumë investime në klimën e vonesave në pagesa në sektorin privat, apo vështirësive që për çdo vit theksohen në raportohet e ndryshme që nga Komisioni Evropian e tutje për sigurinë juridike dhe sundimin e së drejtës.
Problem tjetër paraqesin edhe prioritetet reformuese që kërkon BE në administratë e që kanë të bëjnë me transparencën dhe depolitizimin e institucioneve, profesionalizimin e strukturave udhëheqëse, efikasitetin… Nga ana tjetër këshilltari gjerman i qeverisë, Valter Defa, thotë se shteti ka perspektivë të qartë lidhur me integrimet evropiane, por megjithatë pengesa më e madhe për zhvillimin e shtetit janë mos respektimi i ligjeve, mos pagesa e tatimeve si dhe korrupsioni së bashku me ekonominë gri. Ekzistojnë tre sfida kryesore të reformave ekonomike, që janë implementimi, implementimi dhe implementimi. Pa to nuk do të ketë rezultate dhe çdo gjë do të mbetet vetëm në letër, vlerëson ai.
Çështje më vete mbetet produktiviteti i ulët në total i ekonomisë së vendit si rrjedhojë e pamundësisë për të investuar më shumë si në kapacitetet prodhuese, teknologji të re apo edhe në mënyra të re të udhëheqjes, ku jo vetëm që mungojnë menaxherë të mirë dhe të aftë organizativ dhe financiar, por ato vështirë edhe mund të paguhen, edhe nëse i gjeni. Problem më veti është edhe numri prej së paku 150 mijë të punësuar në administratë në kushte kur vështirë se ekonomia vendore ka mundësi të mbajë më shumë se 80-90 mijë të punësuar në administratë.
Njëherësh, kur nuk ka rritje të produktivitetit, apo tepricë të fitimit, atëherë vështirë se edhe pagat mund të rriten, thjesht për të dhënë nga njëra anë, nga ana tjetër duhet të marrim prej diku tjetër. Me fjalë të tjera, kur dihet se shteti në parim edhe financohet nga rritja e ekonomisë , shtrohet çështja kur nuk kemi rritje më të madhe ekonomike, se prej nga do të rriten pagat në sektorin publik. Nëse i kthehemi nivelit të pagave tek ne dhe produktivitetit të një berberi në Maqedoninë e Veriut dhe një berberi në Gjermani, me siguri se kolegu gjerman i berberit tonë nuk punon më shumë se berberi i mëhallës sonë. Dallim ka se një shërbim i heqjes së flokëve tek ne kushton 2.5 euro, ndërsa në Gjermani ky shërbim kushton 10 euro. Mirëpo myshteriu gjerman pranon pagë më të lartë se myshteriu në Maqedoninë e Veriut, andaj edhe berberi atje ka mundësi të fitojë më shumë se tek ne. (koha.mk)