Kumanovë, 5 nëntor – Kryetari i Kumanovës, Maksim Dimitrievski, dhe partnerët e tij nga BDI, si dhe gjithë këshilltarëve shqiptarë të cilët këtë mandat janë të pazëshëm, të bëjnë paku një hap të vogël dhe të investojnë për sportin edhe në lagjet shqiptare të qytetit të Kumanovës. Kjo është kërkesa e Lëvizjes BESA – Dega e Kumanovës, sipas të cilës, mungon vullneti politik nga binomi LSDM-BDI lidhur me investimet edhe në pjesët shqiptarë.
“Në Maqedoni kah fundi i vitit 2017 u zhvilluan debate profesionale për gjendjen, sfidat dhe perspektivën e sportit në Maqedoni. Në këto debate mes të tjerash u konstatua se duhet të përmirësohet infrastruktura sportive që të mundësohet sa më shumë pjesëmarrja e të rinjve në sporte të ndryshme dhe pastaj kjo do të sjellë edhe deri te kualiteti në lloje të ndryshme të garave sportive qofshin ato lokale, rajonale apo ndërkombëtare. Në shtator të vitit 2016-të në Kumanovë u lëshuan në përdorim 4 fusha tenisi të cilat bashkë me investimet e tjera në salla sportive arrijnë shumën prej 52 milionë denarë. Ne na gëzojnë investimet në sport, por njëkohësisht kërkojmë investime të bëhen edhe në pjesën e qytetit ku shumica e popullsisë janë shqiptarë”, thonë nga Dega e BESËS e Kumanovës, duke i apeluar kryetarit Maksim Dimitrievski dhe partnerëve të tij nga BDI, si dhe gjithë këshilltarëve shqiptarë të cilët këtë mandat janë të pazëshëm, që të bëhet së paku një hap i vogël në këtë drejtim.
“Të krijohet një qendër rekreacioni me fushë futbolli, një fushë për tenis dhe një për basketboll. Të dhënat kadastrale tregojnë se kjo pronë është e Republikës së Maqedonisë kurse në planin urbanistik ka shifër D3-që janë objekte për sport dhe rekreim. Në bazë të kësaj është e qartë se nuk ekzistojnë pengesa juridike por mungon vullneti politik nga binomi LSDM-BDI. Sa për ilustrim në pjesët maqedonase kemi disa terrene sportive me fusha tenisi, futbolli dhe pishinë kurse në pjesët ku jetojnë shqiptarët nuk kemi asnjë terren sportiv. Madje këtë vend që tash gjendemi e shfrytëzojnë edhe rreth 2000 nxënës shqiptarë të shkollave të mesme. Nëse moto e juaj është ‘jetë për të gjithë’, atëherë dëshmoni këtë me vepra dhe jo vetëm me fjalë, mos i ndani qytetarët në baza etnike”.