Fisnik PASHOLLI
Shkup, 26 shtator – Tregu i letrave me vlerë në Maqedoni dominohet nga fitimi i madh i pak kompanive përkundër rezultateve modeste financiare të pjesës dërmuese të kompanive, shkruan gazeta KOHA. Sipas raporteve financiare të 102 kompanive që punojnë në Bursën e Maqedonisë, vetëm dhjetë prej tyre në gjashtë muajt e parë të vitit 2017 kanë pasur fitim prej 75 milionë euro e që është 83 për qind e fitimit total prej 90 milionë euro të totalit të bizneseve të tjera. Prej tyre, fitim shënojnë 73 kompani që kotojnë në bursë, ndërsa 29 kanë punuar me humbje në periudhën janar-qershor të këtij viti. Njëherësh, rezultatet financiare tregojnë se dy të tretat e fitimeve të ajkës së biznesit në Maqedoni shkojnë për pronarët e huaj, ndërsa një e treta në gjashtë muajt e parë të 2017-ës shkon për biznesin vendor apo shtetin e Maqedonisë, si pronar të aksioneve në top dhjetëshin e biznesit më profitabil në Maqedoni. Në grupin e dhjetë kompanive me më shumë fitime që funksionojnë në tregun vendor të letrave me vlerë, kompani vendore janë Alkaloidi, Graniti dhe Makpetroli, ndërsa shteti posedon akoma afër 40 për qind të aksioneve në Telekomin e Maqedonisë. E shprehur në shifra, kjo do të thotë se nga fitimi i top dhjetë bizneseve që punojnë në Bursën e Maqedonisë, 60 milionë euro shkojnë për pronarët e huaj, ndërsa 15 milionë euro për pronarët vendor. Në top pesëshin e shoqatave aksionare me më shumë fitim apo profit, që ushtrojnë aktivitetin e tyre në Bursën e Maqedonisë, e para me 21 milionë euro fitim është Stopanska Banka, e pasuar nga NLB Banka me 15 milionë euro fitim, Telekomi i Maqedonisë me fitim prej afër 10 milionë euro, Fabrika e çimentos Usje me tetë milionë euro dhe kompania farmaceutike Alkaloid me fitim prej afër 6 milionë euro.
Në grupin e pesë kompanive të tjera që kanë shënuar fitime të mëdha përkundër krizës politike, njofton KOHA, janë edhe Kombinati i Mermerit nga Prilepi me fitim prej 4.7 milionë euro, kompania ndërtimore Granit me fitim prej 3.3 milionë euro, Banka e Ohrit me fitim prej 2.5 milionë euro, Unibanka me 2 milionë euro dhe kompania naftës Makpetrol me 1.9 milion euro fitim në gjashtë muajt e parë të këtij viti. Fitime më të mëdha sipas sektorëve kanë bankat me 43 milionë euro, të pasuara nga industria me 15.5 milionë euro, shërbimet me 11 milionë euro, farmacia me 6.5 milionë euro, ndërtimtaria me 3.2 milionë euro, derivatet e naftës me 2.4 milionë euro, sigurimet me 1.3 milion euro, hoteleria me 650 mijë euro, dhe bujqësia me fitim prej 550 mijë euro. Ndërkohë, rezultate negative të punës shënon sektori i tregtisë me humbje prej minus 2.8 milionë euro. Ngjashëm me vitet e kaluara, vazhdon trendi i fitimit të madh të sektorit bankar ku fitimin më madh prej afër 43 milionë euro e kanë realizuar grupi i më shumë bankave ku bëjnë pjesë Stopanska Banka, Komercialna, Banka, NLB Banka, Stopanska Banka nga Manastiri, Unibanka , Ohridska Banka, Cetralna Koperativna Banka dhe TTK Banka. Në sektorin e industrisë, 32 shoqata aksionare tregojnë fitim prej 15.4 milionë euro, ndërsa dhjetë prej tyre tregojnë humbje. Sipas fitimit dallohet kompania farmaceutike Alkaloid me afër 6 milionë euro fitime. Në sektorin e shërbimeve 13 shoqata aksionare punojnë me fitim prej afër 11 milionë euro, ndërsa shtatë punojnë me humbje. Siç është edhe e pritshme në fitimin e sektorit të shërbimeve, dominon Telekomi i Maqedonisë me 10 milionë euro.
RREZIKU POLITIK FRIKËSON INVESTITORËT
Ndryshe, analistët ekonomik thonë se në punën e Bursës së Maqedonisë ndikon edhe mungesa e shitjeve të mëdha apo blerjeve të kompanive tona nga investitorët e huaj, të cilët në kushte të jostabilitetit politik – ofrojnë edhe çmimin për blerje më të ulët dhe më pak atraktiv për shkak të rrezikut politik. Njohësit e tjerë të tregut të letrave me vlerë vlerësojnë se puna e bursave në çdo shtet, në mënyrë të pandashme është e lidhur me punën e tregjeve rajonale të kapitalit. Rezultatet modestet të punës së tregjeve të kapitalit në rajon janë rrjedhojë e mungesës së rritjes më të madhe ekonomike dhe vëmendjes së ulët për të investuar të investitorëve të huaj. Vlerësohet se në vitet e fundit nuk ka neto derdhje nga ana e investitorëve të huaj, ndërsa tregu kryesisht bazohet në personat fizik nga vendi dhe institucionet vendore financiare. Andaj pritet edhe kthimi i investitorëve të huaj që do të ishin katalizator i shitblerjeve më të mëdha në tregun vendore, por edhe rajonal të letrave me vlerë. (koha.mk)