Zejnulla VESELI
Shkup, 15 shtator – Analiza e Qeverisë e publikuar ditë më parë tregoi se përbërja e kaluar qeveritare dhjetë vite resht kompanive të huaja u ka dhënë 225 milionë euro për të krijuar vende të reja pune. Sipas ekspertëve ekonomik, kjo nxori në pah një të vërtet për rolin diskriminues ndaj kompanive vendore, shkruan gazeta KOHA. Sipas tyre, nëse një pjesë e këtyre patave do të shkonin si ndihma shtetërore për kompanitë vendore, efektet ekonomike me siguri do të ishin shumë më të larta. Menderes Kuçi, ekspert ekonomik dhe biznesmen privat, thotë se ndihmat shtetërore për kompanitë e huaja me siguri janë më ta larta se 225 milionë euro, për shkak se me vetë faktin që institucionet shtetërore apo funksionarë shtetëror që kanë vendosur firmën e tyre në marrëveshjet me kompanitë e huaja e më pas këto marrëveshje i kanë klasifikuar si sekrete afariste, është shumë e qartë se një pjesë e madhe e këtyre parave kanë përfunduar në xhepa të shumë funksionarëve të qeverisë së kaluar, apo edhe në kontot e partive politike në pushtet. “Kjo vlerë kaq e madhe prej 225 milionë eurove, para të qytetarëve dhënë kompanive të huaja, sikur të përfundonte dhe të ktheheshin te konsumatorët vendor, efekte ekonomike do të ishin shumë më të larta se sa ato minimale që thuhet në analizë. Të gjitha këto mjete që qeveria e kaluar i ka dhënë pa transparencë, e më pas pas nënshkrimit të marrëveshjeve për ndihmat shtetërore me kompanitë e huaja, këto marrëveshje të klasifikohen si sekrete afariste flet për një fenomen i cili tregon se ka të bëjë me diçka që lidhet direkt me korrupsionin. Mendoj se një pjesë e këtyre parave, gjegjësisht një e katërta e këtyre parave kanë përfunduar në fondet partiake të partive të qeverisë së kaluar, apo edhe në xhepat e disa funksionarëve të lartë në Qeveri”, thotë për KOHA, Kuçi. Kur kemi në shesh të dhënat që dalin nga kjo analizë, Kuçi thotë se qeveria e kaluar duhet të turpërohet e jo të lavdërohet se më sjelljen e investitorëve të huaj ka hapur 20 mijë vende pune. “Për 10 vite të japish me qindra miliona euro para të qytetarëve vetëm të punësosh 20 mijë punonjës dhe shteti të mos ketë asnjë dobi tjetër ekonomike, është veprim kriminel sepse gjatë dhjetë viteve të kaluara kompanitë vendore pa asnjë ndihmë shtetërore në para të gatshme apo përmes lehtësimeve tatimore ka punësuar 3 herë më shumë punëtorë duke u dhënë të njëjtën rrogë të cilën qeveria ua ka paguar të punësuarve në kompanitë e huaja me paratë e qytetarëve. Prandaj, Qeveria e re assesi të mos lejon që vetë shteti si dhe biznesi privat në Maqedoni edhe 10 vite tjera të jetë peng i këtyre marrëveshjeve, por t’i trajton në mënyrë të barabartë si kompanitë e huaja dhe ato vendore dhe nëse vetëm një pjesë të këtyre mjeteve do t’i dedikon kompanive vendore, jam më se i sigurt së për një afat shumë të shkurtër efekte ekonomike në vend do të jenë shumë më të larta si dhe do të këtë numër më të madh të punësuarve”, thotë Menderes Kuçi, ekspert ekonomik. Marjanço Nikollov, ekspert ekonomik, është i mendimit se sikur vetëm një pjesë e këtyre parave dhënë kompanive të huaja si ndihma shtetërore të pakthyeshme do të shkonin për kompanitë vendore, me siguri se efekte ekonomike do të ishin shumë më të larta si në aspekt të të hyrave në buxhet, por edhe në hapjen e vendeve të reja të punës. “Analiza edhe një herë nxori në shesh dyshimet se qeveria e kaluar jo vetëm që nuk ka pasur kapacitete të menaxhon me paratë e qytetarëve, por edhe me tatimet që kompanitë vendore i kanë paguar, qeveria e kaluar i ka favorizuar kompanitë e huaja, duke u mundësuar atyre të kenë profite të larta dhe të gjitha paratë që ata i kanë fituar këto dhjetë vitet e fundit i kanë bartur në shtete e tyre amë, e jo të përfundojnë në tregun vendor apo në buxhet. Kjo qeveri duhet ta ketë të qartë se kompanitë vendore kanë potencial të risin investimet e tyre me mjete të tyre vetanake dhe nëse në të ardhmen do të ketë trajtim të njëjtë dhe me para të gatshme si shteti i subvencionon kompanitë e huaja, jam më se i sigurt se jo vetëm që do të hapin vend të reja pune për tre apo katër herë më shumë se sa kompanitë e huaja, por njëherit në mënyre e direkte do të ndikojnë dukshëm në rritjen fuqisë blerëse në vend, sepse të gjithë paratë që do të fitojnë kompanitë vendore do të përfundojnë në buxhetin e Maqedonisë”, thotë Marjanço Nikollov, ekspert ekonomik.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.