“Duhet që urgjentisht drejtues të këtyre segmenteve në gjyqësor të hartojnë një plan-financiar, që të mundet më pas më lehtë të krijojnë kushte elementare për zbatim të gjuhës shqipe. Është evidente se kapacitetet aktuale kanë qenë vetëm për zbatimin e ligjit të vjetër të përdorimit të gjuhës shqipe, kurse tash duhet të shtohen kapacitetet, prandaj që të mos ketë probleme – duhet më shumë financa”, tha avokati Bajrami
Urim HASIPI
Shkup, 19 janar – Pas shpalljes në Gazetën Zyrtare të Ligjit për gjuhët, sfidë për shumë institucione do të jetë zbatimi praktik i të njëjtit. Krahas asaj që institucionet do të duhet që të pajisen me mjete teknike dhe materiale, po ashtu do të duhet që të ketë edhe punësime të reja. Kjo më shumë ka të bëjë me administratën dhe gjyqësorin, ku ka më shumë nevojë për përkthyes dhe lektorë profesional, shkruan gazeta KOHA.
Në sferën e gjyqësorit, siç thonë avokatët, kjo periudhë kushtëzohet me përgatitjet e kuadrove profesionale dhe gjuhësore, të cilën janë njohës të mirë të gjuhës shqipe dhe maqedonase. Sipas tyre, nevojitet krijimi i një departamenti të veçantë që të trajnojë përkthyesit. Avokati Ibrahim Bajrami thotë se përkthimi në bazë të ligjit bie në barrë të vet institucioneve dhe nuk duhet të jetë barrë e qytetarëve.
“Kur them përkthyes, ata duhet të ndahen – përkthyes në gjyqësor për shkak të specificitetit të natyrës së përkthimit, si dhe persona që do të punësohen në vende të ndryshme në administratë me qëllim të krijimit të kuadrove cilësore dhe profesionale për zbatim të mirëfilltë të dygjuhësisë. Duhet të jemi të sinqertë se në organet e gjyqësorit mungojnë kushtet elementare, materiale-teknike për zbatim të ligjit. Duhet një interval kohor për të inspektuar buxhetin për të rregulluar kushtet materiale-teknike në njërën anë dhe në anën tjetër – për t’u rritur numri i përkthyesve që punojnë në gjyqësor për shkak të vëllimit të punës”, tha për KOHA, Bajrami.
Tashmë, sipas tij, çdo dokument në gjykatë, aktvendim, ankesë dhe përgjigje do të jetë në gjuhën shqipe dhe nëse në një seancë duke filluar nga prokurori, gjykatësi, të dënuarit, të akuzuarit, avokatët… të gjithë janë shqiptarë, atëherë seanca do të jetë në gjuhën shqipe. Avokati Bajrami më tej thotë se kryetarët e gjykatave, në prokurori dhe segmente tjera të gjyqësorit, duhet të hartojnë një plan financiar për të rritur buxhetin që të krijojnë kushte për zbatim të gjuhës shqipe.
“Duhet që urgjentisht drejtues të këtyre segmenteve në gjyqësor të hartojnë një plan-financiar, që të mundet më pas më lehtë të krijojnë kushte elementare për zbatim të gjuhës shqipe. Është evidente se kapacitetet aktuale kanë qenë vetëm për zbatimin e ligjit të vjetër të përdorimit të gjuhës shqipe, kurse tash duhet të shtohen kapacitetet, prandaj që të mos ketë probleme – duhet më shumë financa”, tha Bajrami. Ai sqaroi se edhe nëpër zyrat e avokatëve do të ketë punësime, por kjo nuk paraqet problem.
“Do të rritet vëllimi i punës, por ne me dekada e kemi pritur që të vjen një Ligj për gjuhën shqipe. Edhe krahas vështirësive, për mua personalisht – është edhe kënaqësi që të përdorim gjuhën shqipe në institucionet shtetërore, edhe pse jo në nivel të barazimit me gjuhën maqedonase, megjithatë edhe kjo është një arritje sidomos në sferën e gjyqësorit”, theksoi ai.
Në ndërkohë, profesori Xhelal Zejneli, i cili në të kaluarën ka punuar si përkthyes kur gjuha shqipe ka qenë zyrtare në ish-Jugosllavi për territorin e Kosovës, nënvizon se në atë kohë, edhe në Maqedoni gjuha shqipe është zbatuar, sepse dëftesat kanë qenë vetëm në gjuhën shqipe, kurse më pas në dy gjuhë. Në nivele më të larta, gjuha shqipe ka qenë vetëm në letër dhe nuk është zbatuar.
“Në Kosovë, dihet se ajo ka qenë krahinë autonome e nivelit më të lartë dhe gjuha shqipe është përdorur në të gjitha instancat. Deputetët e Kosovës në Federatë kanë pasur të drejtë të flasin në gjuhën shqipe dhe kanë patur përkthyes për në serbo-kroatisht. Këtu tek ne ka patur një nivel të përdorimit, por më shumë në letër se sa në praktikë. Më vjen keq, por patjetër duhet ta them se mundësitë tona apo kapacitetet për ta jetësuar dhe implementuar në praktikë janë të vogla. Nuk është puna vetëm e përkthyesve dhe lektorëve që ne nuk i kemi, por nëse flasim për zbatimin diletantesk, atëherë ndoshta edhe do të realizohet procesi, por profesionalisht nëse i qasemi këtij procesi, atëherë unë them se do të kemi pengesa të jashtëzakonshme nga vet ne, nga vet shqiptarët”, tha ai. Implementimi praktik i gjuhës shqipe në gjyqësor do të fillojë të zbatohet një vit pas hyrjes në fuqi të ligjit. (koha.mk)